MAN POGA

Fjala e arsyes, ndjenja e zemrës!

Hyrje

Thursday, November 28, 2013

Flamuri që na vlon gjakun!








Gezuar 28-29 Nëntorin!
Cdo vit kur afrojnë ditët e bardha të 28-29 nëntorit, me vlon gjaku. Në mendime më vijnë si para syve, historite e lexuara, tregimet e mocme të përcjella brez pas brezi e deri te ngjarjet historike që i kam parë e perjetuar vetë në "99 kur pjesën më vitale të kombiit tonë e shkleli sllavi. Kombi ynë ka vuajtur shumë për të arritur këto ditë të bardha. Edhe sot në ballkonin tim do të valëvitet flamuri kuq e zi, si kujtim dhe mirënjohje për të gjithë deshmorët e lirisë; Të 1912-tës, 1945-sës e deri të deshmorët e "99-tës...!

Përulem me respekt para të gjithë familjeve që dhanë kontribut ndër shekuj për çeshtjen Kombëtare Shqiptare. Ata janë të bekuar. Siç e djej veten dhe unë që i përkas një familje që sa herë vijnë këto data të shejta e çon kryet përpjetë....!
Që i përkas një visi të lashtë të Hasit, që në të gjitha betejat, kuvendet, ditët kur kombi e deshi, si shqiponjë u ngrit, gjithmonë u nda faqebardhë në betejë e nuk la marre mbrapa.

Stërgjyshi dha kontribut në luftërat e 1912-tës, në 1913 u plagos në përpjekje me serbo-malazezet; Gjyshi Man bashkë me të vallain Ismailin, themeluan dhe drejtuan çetën e Hasit. Më pas batalionin "Hakmarrja" krijuar në Krumë të Hasit, e drejtoi Komandant Ismail POGA, i cili bashke me trimat e Hasit mori pjesë në luftime kundër pushtuesit deri në "gur të shpum", kufiri natyral i Shqipërisë; Në '99 dihen kontributet e familjes para dhe gjatë luftes, sidomos i nën/kolonel Sokol Pogës, historia do të shkruajë....!

Gëzuar festat miq!

Le të valëviten në ballkonet tona, mendjet tona, zemrat tona, flamuri që na bën të vlojë gjaku- flamuri kuq e zi!!!

Man POGA


28.11.2013

Friday, November 1, 2013

Beteja e fush-kosovës, pikënisje e mitit Serb mbi Kosovën!


Man POGA

Botuar në gazeten "Tirana Observer" 05.11.2013

Edhe pse kjo betejë u bë në vitin 1389, serbët e nxorrën nga arkivi rreth shek XIX si ngjarje, nga ku gatuan pastaj atë përrallë historike që viktimizon kombin serb, si gjoja humbës perballë osmanëve duke shtuar “argumentin” se shqiptaret erdhën në Kosove pikerisht në këtë betejë si aleat të Osmanëve. Pikerisht, për këtë argument, me shkatërrimin e Perandorisë Osmane gjatë fillim shek XX këto territore duhej ti ktheheshin Serbise...si gjoja toke serbe!

Kjo tezë ështe ritrajtuar edhe tani, duke spekuluar mjaft, me përkatësinë etnike të Kosovës, ku disa e quajnë Turqi, duke sjellur në kujtesë fenë…, disa e quajnë serbi duke sjellë në kujtesë betejën e vitin 1389 në fush-kosovë.  Ndërkohë faktet historike dëshmojnë të kundërtën!


***

Me vdekjen e sunduesit Car Dushani (1355) shpërthyen mospajtimet e brendëshme në shtetin serb. Ndërkohë në palcën shqiptare ngritën krye fisnikë shqiptarë të cilët duke nuhatur dobësimin e serbisë nuk ngurun për të rifituar territoret e humbura më parë, konkretisht në Zetë e në shqipërinë e epërme u fuqizuan së tepërmi Balshajt, në verilindje e në shqipërinë e mesme Dukagjinët e Kastriotët. Në jug aleanca shqiptare e krijuar nga Karl Topia e Gjin Bue Shpata korrën një fitore të lavdishme në luginën e Ahelout ne vitin 1358, kundër Niqofor Angjelos (dhënder i Stefan Dushanit),  i cili kishte në ketë betejë kishte si aleat serbet, të udhehequr nga prijësi serb Th. Preljuboviç. Mbas kësaj fitore Princat shqiptar zoteruan Etolinë, Akarnaninë dhe periferine e Artës.

Në territore të tjera sundimi u përtërit me elemetin Serb nëpërmjët se cilës do të shohim se në  luginën e Moravës, u vendos Llazar Hrebelanoviqi, ndërsa  në pjesën e kosovës së mirfilltë,  rrethi i Prishtinës, Vuciternës dhe  i Zvercanit u vendos pushteti i Vuk Brankoviqit. Gjatë gjysmës së dyte të shekullit XIV në horizontin ballkanik u shfaq rreziku osman. Depërtimet osmane në thellësi të gadishullit sa vinin e bëheshin edhe më kërcënuese, kësisoj princat e ballkanit e panë vetën të bashkuar para këtij rreziku të madh që po u kanosej, e që ishte më afër se kurrë. Fati politik i kësaj hapësire, në rrethana te reja do të vendosej në Kosovë e pikërisht në fushen e mëllenjave. 

Tashmë zot  i dy të tretave të Azisë se Vogël, Sulltan Murati iu kthye me të shpejtë përqëndrimit për zgjerim në Ballkan sepse pritej  fushata e programuar prej tij. I nisur nga Filipi, ai nuk shkoi drejt Sofies as drejt Nishit, ku e prisnin Llazari dhe Tvërokja, por drejt Velbuzhdit (Kjustendil), prej ku mbërriti në fushën e Kosovës –Kosovo polje -në afërsi të qytetit të sotem te Prishtinës. E sigurt ështe se në këtë betejë  ushtria e Muratit ishte e përforcuar me kontigjentët e vasalëve të tij të krishterë: Kostandini, princi bullgar i Velbuzhdit, serbi Marko Kraljevic, armik i Llazarit, ndër to mungonte basileusi Jovan V, që s’ishte në gjendje të mobilizonte trupa.[1]  


Përballë ishin rreshtuar ushtritë e princit Llazar dhe të mbretit Tvërtko të cilët ishin përforcuar me kontigjente Vllahe të Vojvodës Mircea dhe nga Shqiptaret e Gjergj Balshës dhe të Dhimitër Jonimës. U fol për 10.000 vetë nga njëra anë dhe për 60.000 vetë nga tjetra duke I kthyer shifrat sipas burimeve osmane ose kristiane.[2] Beteja përfundoi me pasoja për aleancen ballkanike ata u thyen bashkë me shpresën për të ushtruar më gjatë e në mënyrë sovrane pushtetin e tyre mbi territoret e principateve.

II
Veç të tjerash ngjarja mes serbëve dhe shqipëtareve përceptohej në mënyren e gjithë se cilit. Rapsodët kishin nisur ndërkaq fillimet e këngëve të tyre secili në gjuhën e vet. Ato ngjanin me këngët e hershme, madje dhe fjalët ishin po ato. Pleqtë serbë këndonin: O ç’po bëhen gati të na mësyjnë shqiptarët dhe po ashtu lahutarët shqiptarë: Ngrehuni burra, se po ia bëhin shkjetë.[3] Në këto këngë epike lahutare, bie në sy lartësimi i dy figurave kryesore që përkojnë më ngjarjen.
  

Në epikën Shqiptare, lartësohet fort, epërsia, dukja dhe trimeria e heroit te luftës Milosh Kopiliqit, nëpërmjet së cilës ngrihet lart akti i tij historik, ai i vrasjes së sulltan Muratit në qadrën e tij pak pas mbarimit të betejes. Ndërsa në epikën serbe ngrihet lart figura e mbetit Lazar, qe shkon deri në legjendë. Ai u kthye në hero dhe shenjëtor,  kësisoj siç e donin rregullat edhe jeta e tij, filloi të përshkruhej në frymën e vuajtjeve të Krishtit. Megjithse të tërheq vemendjen fakti se tradita popullore serbe për Milosh Kopiliqin është fare e varfër. Kjo heshtje përcillet  me shekuj. Për të do të flitet vetëm në dy shekujt e fundit atëherë kur nis të krijohet miti serb i Kosovës[4]. Serbët pretëndojnë edhe këtu mbi përkatësinë etnike të këtij heroi.

Në lidhje me përmbajtjen dhe origjinalitetin e epikes serbe, ngelët shumë për të dyshuar duke marrë parasysh edhe vendin apo periferine ku janë mbledhur këto këngë. Vuk Karaxhiqi[5] thotë se dhjetë nga njëmbëdhjëtë këngët të betejës së Fushë-Kosovës, i ka mbledhur në një lokalitet të veriut në Srem, ndërsa të njembëdhjetën në Karlovac të Kroacisë. Për kundër, këngët shqiptare janë regjistruar në vatrën e ngjarjeve, ose në rrethina të afërta me to ku organisht bashkë më këngët jetojnë edhe Shqipëtarët sot e asaj dite si: në  Fushë-Kosovë,  Drenice,  Prishtinë,  Pejë , Rugovë, Ferizaj,  Has, etj[6]. Kështu në Serbi u krijua një epos që në Evropën perendimore arriti të fitojë edhe admirimin e vetë Getës. Këtyre këngëve iu mungonte edhe baza tjetër historike, heroi kryesor Marko Krajleviç, që në të vërtetë ishte një bashkpunëtorë i deklaruar i osmanëve, e që në betejën e Fushë-Kosovës ishte përkrah tyre, megjithatë u vazhdua të “besohej” në historitë e pasqyruara në këngë deri në ditët e sotme.


Nëpermjet këtyre këngëve epike u krijua një mitologji. Serbët rrekën të argumentojnë se mu në këtë vit, në këtë betejë daton fataliteti i mbretërisë se tyre, kjo sipas tyre për faj të shqiptarëve të cilet ishin përkrah Turqëve. Nëpërmjet kësaj mitologjie serbët i mëshojnë idesë së shqiptarët  janë të ardhur bash në këtë kohë, dhe nuk kan luftuar kundër pushtuesve turq,  por ata kanë ndihmuar këtë perandori duke shërbyer në të.[7] Në fakt në çdo perandori, për vetë natyren e tyre, çdo popull shërben në administratën e saj, sikurse çdo popull lufton pastaj për pavarsinë e tij. Shqipëtarët e dëshmuan me luftra të përgjakshme edhe kundërshtine ndaj pushtimit Osman, vetë periudha e lavdishme e Gjergj Kastriotit e dëshmon ketë. Serbët ngritën kultin famëkeq se Kosova është djepi i Serbisë e shkojnë deri aty sa citojnë se Kosova është “Jeruzalemi Serb”.[8]
 
E gjithë kjo filozofi zuri fill në 28 qeshor 1389 ku daton edhe beteja e famshme mes aleancës ballkanike në njërën anë dhë Osmanëve në anën tjetër të udhëhequr nga Sulltan Murati. Por kjo betejë do te marri trajta vërtet historike, patetike, e nacionaliste për serbët gjatë shekullit XIX, ku edhe shikohej renia e Perandorisë Osmane e gjithsesi duhej gjetur nje ideologji për te aneksuar trojet shqipëtare që gjendeshin brenda perandorise duke e ashtëquajtur legjitimim historik të serbëve mbi Kosovën. 

Dhe me së miri ishte ideologjia serbe e shekullit XIX ajo që krijoi kultin e Betejës Mesjetare të Kosovës, si një lloj ngjarje historike e vetpërcaktimit nacional dhe shpirtëror .[9] 

III
Popullsia e Kosovës, në gjysmën e dytë të shek. XVI dhe në shek. XVII për shkak të pushtimit nga Perandoria Osmane, një pjesë e konsideruar e popullsisë shqipëtare islamizohet dhe si rrjedhim, një pjese e antroponimisë së saj shndërrohet në antroponimi të sferës fetare islamike. Identiteti kombëtar shqipëtar u ruajt fort sepse nuk përfaqësohej me fenë sikurse fqinjët, (Serbët dhe Grekët- M.P) por thellë me identitetin Shqiptar i cili nuk diktohej nga përkatësia fetare.
Prania e popullsisë shqiptare në  këtë  kohë përbën në vetvete një dëshmi të pakundërshtueshme, që provon se ajo ekzistonte aty edhe në periudhën e sundimit mesjetar rasian-serb, se ishte autoktone dhe vazhduese e popullsisë së dikurshme ilire, se me sukses i kishte bërë ballë procesit të sllavizimit gjatë shekujve XII-XIV ne sajë të këtij virtyti të veçantë.

Përveç kësaj, për islamizimin e popullsisë shqiptare vepruan edhe faktorë të tjerë ekonomikë e social-politikë. Ku shumë faktorë ekzistencial dhe jetësorë lidheshin me pasjen e fesë myslimane, si p.sh, mbajtja e armës , shtimi, mbajtja, trashegimi i pronës, si dhe karriera ushtarake vareshin nga përqafimi  ose jo i fese myslimane. Megjithatë disa parime janë te kristianizmi si themel, ndërsa disa janë te muslimanizmi si supërstrukturë mendimi dhe sjellje.  Të parat vlejnë si traditë dhe edukatë historike, të dytat si formë konkrete të përshtatjes në rrethana të reja historiko-konkrete ku imponimi i islamizmit ka në themel tezën e konvertimit.[10]  Në këtë periudhë kohore, ku populli shqipëtar qëndroi podhuajse për 500 vjet nën pushtimin Osman u shenuan shumë ngjarje e rrethana historike të cilat pasqyrojnë rëniet dhe ngritjet gjatë këtyre shekujve. 


Trojet shqipfolëse u ndanë në katër vilajete, ku mes të tjerash me ndarjen administrative osmane në 1871, u krijua edhe  vilajeti i Kosovës me qendër ne Shkup. Sipas regjistrave e statistikave zyrtare osmanë ky Vilajet  kishte 840.000 banorë.[11]  Një vilajet ky mjaft i gjërë për nga shtrirja por edhe për nga popullsia, ku  pjesa dërrmuese ishte Shqiptare.

Në tërësinë e kesaj pjese administrative  së bashku me Sanxhakun e Nishit, Vilajeti i Kosovës përfshinte në gjirin e vet troje të tjera  etnike shqiptare. Këtë e pohojnë, midis të tjerëve, tre vezhgues të huaj, të cilët disa dekada përpara Kongresit të Berlinit, i vizituan këto troje. Që te tre këta vëzhgues, njohës të mirë të Gadishullit Ballkanik, studjuesi erodit freng, Ami Boue më 1810, analisti i m’prehtë britanik E. Spenser më 1847 dhe shkencëtari i njohur austriak J. Hahn më 1853, kishin dhënë në mënyrë të përafërt edhe konturet e trojeve ku shqiptarët ishin të pranishëm në kohën e tyre.

Sipas tyre, shqiptarët ishin të pranishëm në “Veri deri në Nish, Leskofc dhe Vranjë, në Lindje deri në Kumanovë, Prelep dhe Manastir, në Jug deri në Konicë, Janinë dhe Prevezë, pa qenë nevoja të përsëritet se në periferi të kësaj treve kishte përzirje etnish, ku shqiptarët formonin diku pakicën përball etnive tjera.[12] 

Për fund!

Kur Perandoria Osmane po tronditej thellë në rrenjët e veta. Serbët nxorën nga antropopsikikja e tyre mitin për Kosovën. Por kësaj rradhe me një program të detajuar e me ideator shtetarë e akademikë. Një platformë të tillë themeloi Ilia Garashani Ministër i Brendshëm i Serbisë në vitin 1844, e që njihet platforma e parë politike e detajuar e qarqeve drejtuese të Beogratit, njeherësh dhe baza ideologjike e programit shovinisht të “Serbisë së Madhe”.[13]  Si synim kryesor i autorit ishte plotesimi i detyrave të përcaktuara nga car Stefan Dushani të cilat qenë nderprerë nga beteja e Kosovës e vitit 1389. Në këtë menyrë rikrijimi i Perandorisë Serbe arsytohej si e drejtë historike, të cilët ngelej për ta përfunduar sundimtaret e shekullit XIX. E gjithe kjo devize politike u mbështet e u propogandua në baza mitike, folklorike e asesi shkencore, nga ku  u mobilizuan një grup i tëre akademikësh gjatë ty shekujve për të ushqyer, argumentuar, e mbështjellur me të ashtëquajturen argument shkencor ketë arsytim mesjetar. 


Por, siç thekson edhe S. Pulaha kjo “shkencë” nuk ka pasur për bazë normat dhe moralin shkencor, të vërtetën shkencore, por vetëm interesat e politikës së ditës, politikës anti-shqiptare. Shkencëtarët e tillë përpiqen që me çdo kusht ta mohojnë prejardhjen ilire të shqiptarëve. Ata kishin vetëm një qëllim të caktuar - mohimin e së kaluarës historike etnike të shqiptarëve, falsifikimin e historisë dhe të autoktonisë së tyre.[14] Prandaj ky mit do të bjerë shpejt dhe Kosova do të shohë driten e vet historike kur bota do të njohë të verteten- se Kosova s’është asgjë tjeter veçse shqiptare! 
___________________________________________________________________________________
[1] Castellan, G, “Histori e Ballkanit”,Cabej, Tiranë,1991 fq, 66
[2] Castellan,G. Vep e cit, fq, 67.
[3] Kadare,I, “Tri Këngë Zie Për  Kosovën”, Onufri, Tirane, 2005,fq, 22.
[4] Prof.dr. Qamil Haxhihasani,” Beteja E Fush-Kosovës  (1389) Në Epikën Popullore Shqiptare”. Botim nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë; Beteja E Kosovës 1389 (Përmbledhje studimesh), fq, 160.
[5] Mbledhës, studiues i epikës folkloristike popullore  Serbe.
[6] Prof.dr. Qamil Haxhihasani, Beteja E Fush-Kosovës  (1389), Në Epikën Popullore Shqiptare. fq, 155.
[7] Jasminka Udoviçki & James Ridgeëay ,”Yugoslavia’s Ethnic Nightmare”: fq, 28
[8] Bytyç Enveri,”Shqiptarët, sebët dhe grekët”, Koha, Tirane,2005, fq, 18-19.
[9] Malcolm, N, “Kosova një Histori e Shkurtër” , Revista Koha , nr 11, datë 15 maj 1999, faqe 41.
[10] Kabo Përparim, “Autoritarizëm Në Tranzicion”, Plejad,Tirane,2006, fq, 48.
[11] Akademia e Shkencave, vep e cit, fq, 84.
[12] Prof. dr. Kristo Frashëri, Kosova historike dhe Kosova e sotme, Konfrenenca e Bujanit, ASH e RSH dhe IH në Tiranë, Sesion Shkencor kushtuar 55 vjetorit të Konferencës së Bujanit, mbajtur në Tiranë, më 20 janar 1999. Cituar nga  Dr.Jusuf Osmani, Kolonizimi Serb I Kosovës, fq, 10.
[13] “Naçertanije”, in “Delo”, Beograd, 1906 (përkthim shqip nga H. Bajrami në, Ilia Garashanini dhe politika e tij shtetërore 1844-1874, “Vjetar-Godisnjak, XXIV/88, Prishtinë, 1988, fq, 127-137. Shih edhe: M. Verli, Kosova Sfida Shqiptare Në Historine E NJë Shekulli, Tiranë 2007, fq, 19.
[14] Selami Pulaha, “Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shekujve XV-XVI”, Tiranë, 1984, fq. 4.

Friday, August 23, 2013

BESIMTARET E DHUNES!

 Nga: Man POGA


Botuar me 23.08.2013, "Tirana Observer"

U bënë disa ditë që mediat vizive dhe të shkruara po pasqyrojnë në mënyrë intensive episode të dhunës që erdhën si pasojë e konfliktit mes disa policëve privatë e përmbaruesve nga njëra anë dhe priftërinjve të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare që shërbejnë në Përmet nga ana tjetër. Lajmi mori dhenë, aq shpejt sa për çudi të parët që u shqetësuan ishin përfaqësuesit e komunitetit minoritar grek në Shqipëri, pastaj Konsullata greke, dhe në fund Kisha Ortodokse “Autoqefale” Shqiptare…! Në analizë të parë të tekstit dhe frymës reaguese, konstatohet fare thjeshtë se deklaratat kishin veçse një qellim: ta servirnin para opinionin ndërkombëtar situatën si konflikt fetar, deri aty sa ta cilësonin si pengesë e të drejtës për të besuar apo për të ushtruar të drejtën e besimit në ritin ortodoks etj, etj. Si një orkestër e organizuar mirë në fund erdhi dhe “ndihma” e shtetit fqinj mik, Greqisë. E cila shpejt e shpejt nëpërmjet Ministrisë së Jashtme bëri një dalje për shtyp, duke “futur hundët” në një çështje pronësie të një shteti tjetër sovran. Vendi fqinj nuk e la me aq, por shkoi aq larg sa hartoi dhe një raport kritik për Shqipërinë drejtuar KE, duke provokuar edhe më tej situatën.


Mirëpo, po të lexohen me kujdes të dhënat në terren, del se “ngjarja flluskë e Përmetit” nuk është një konflikt fetar por një konflikt qartësisht pronësie mes Bashkisë Përmet dhe Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Konflikt i cili “de juro” ka marrë fund me vendimin e formës së prerë nga Gjykata. Por, përkundër asaj që pritej (të paktën kësaj radhe), kjo situatë absurde po konfirmon faktin e përsëritur e të rëndomtë: atë të moszbatimit të vendimeve të gjykatave shqiptare, anipse në këtë rast kemi të bëjmë me njerëz të zotit. Nga kjo ngjarje vihen re disa detaje që në plan të parë duken absurditete, por që në fakt janë indikatorë që na ndihmojnë për të kuptuar të vërtetën.

Së pari të bie në sy ripërsëritja e zinxhirit reagues (-përfaqësues i minoritetit-konsullata greke-shteti grek) pa lidhje me ngjarjen, por vetëm e vetëm për qëllime politike, duke sjelle zvarrë një mendësi mesjetare e lidhur me konceptin se ku ka ortodoksë ka grekë…! Nga kjo mendësi shpjegohet dhe bllokimi i qytetarëve shqiptarë në pikat kufitare greke, si hakmarrje për situatën e Përmetit;

Së dyti të bën përshtypje reagimi befasues i priftërinjve. Të cilët të vetme mundësi proteste menduan dhunën. A thua se ata ishin predikues të dhunës e jo paqes;

Së treti, a nuk është absurde dhe anormale që të sjellësh me autobusë të ashtuquajtur besimtarë nga Saranda, Delvina, Gjirokastra dhe ti yshtësh drejt dhunës…mu në mes të Përmetit?!

Duke patur miq nga Përmeti ju telefonova duke shprehur shqetësimin për ngjarjen por dhe habinë se pse paska qenë e nevojshme të shkojnë besimtarë nga rrethe të tjera, fundja, nëse priftërinjtë nuk arrijnë dot të bindin besimtaret e Përmetit pse u dashka ajo shtëpi Kulture për Kishë..?!
-Normalisht se do t-i merrnin nga rrethe të tjera, – më tha miku im nga Përmeti, – se ne jemi besimtarë të qetë jo besimtarë të dhunës.

Monday, April 22, 2013

Hasi në krizë përfaqësimi dhe forca e votës!




Man POGA

U bënë disa legjislatura që rrethi i Hasit, pjesë e Qarkut të Kukësit, nuk ka përfaqësus nga gjiri i vet në Kuvendin e Shqipërisë. Me shumë gjasa dhe votimet e fundit (shpresoj të jetë e kundërta) nuk do sjellin ndonje të re. Hasjanët do shkojnë në kutitë e votimit me fletën për ta hedhur në "koshin e 23 qeshorit" por jo me vote për të votuar përfaqësuesin e tyre, njeriun e tyre, birin e tyre. Sepse nuk ka...!

Situatë tragjike për mendimin tim, por dhe komike njëherësh.

Situatë tragjike sepse është e turpshme, e papranueshme që nga katër deputetë që nxjerr Qarku i Kukësit, asnjë mos të dali nga rrethi i Hasit anipse Hasi është një nga tre rrethet e qarkut që bukur mire kontribuon me vota. Kjo jo për krahinarizem, lokalizem,  apo siç mund të më quajnë disa fanatizem të semurë, por në të mire të vet funksionimit të konceptit demokraci, Hasi duhet të ketë përfaqësuesin e vet jo formalisht,  të sjellë nga lart, por nga vullneti i vet votuesve, dalë nga gjiri i vet.  

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë shprehet mjaft saktë se “çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet”, (Neni 45 pika 1). Duket qartë se Hasjanët tash 2 legjislatura kanë të drejtë vetëm të  zgjedhin  ndërsa që të zgjidhen nuk paskan të drejtë!!!

Situatë komike sepse në kafenetë e Krumës të gjithë “qahen“ se pse s’po bëhet rruga Krumë-Kukës, pse s’po bëhet ajo e kjo, pse s’ka Hasi kandidat/e për deputet/e etj, etj,. Duke dhëne idera si filozofë të klasit të pare, por kur vjen puna për reagim, asnje letër publike qeverisë qëndrore, asnjë pedicion, asnjë shkrim për çështjet kryesore, jetike që prekin Hasin, vetëm heshtje.

Mendoj se kjo gjendje mjerane vjen së pari prej paragjykimit dhe përpuzjes nën dhe mbi tavolinë që i bëhet zones së Hasit nga të dy liderit e forcave të mëdha politike, PS& PD, duke mos patur asnjë program për zonën, e duke mos kandiduar për deputet asnjë Hasjan/e në mënyrë të përsëritur; Së dyti prej mungesës së reagimit të kryetareve lokal të partive respektive në rrethin e Hasit. Kjo situate ka sjellë një dëm shumë të madh në imazhin e zonës, duke sfumuar, penguar, zbehur moshen e re që megjithse me koncepte të qarta, formim solid perindimor dhe dëshirën për të kontribuar nuk çan dot përpara…! Pra, le të themi është pa rekomantim, pa referencë, pa krye…!

Në fakt sistemi propocional delegoi shumë forcë rreth liderëve kryesorë (PS, PD), duke monopolizuar  listën e emrave të kandidateve. Megjithatë, lind pyetja po pse nuk balancojnë kandidaturat në Qarkun e Kukësit (Kukës, Has, Tropojë), në raport me vullnetin/votat e votuesve, meqë i kanë shumë për zemër balancimet? Bie fjala pse PD nuk vendos një kandidaturë Hasjan/e të paktën në treshen fituese të saj, apo PS në dyshen e parë në listë…?! Mendoj se kjo situate vjen në përgjithësi si pasojë e frymës paragjykuese së partive kundrejt Hasit, duke shkuar madje deri në artikulimin e disa preudo-argumentave nën zë në tavolina të ngushta vendimarrëse.

Pseudoargumenti i parë është ai i ashtëquajtures mungese e intelektualëve nga Hasi. Ky “argument” që këshilluesit e lidërve kryesore që janë dhe të deleguarit në qark kanë, ështe se nuk ka kandidatë të denjë, apo intelektualë, prandaj skemi ku ti gjejmë për ti vënë në listë…dhe o burra le të vendosim nga zona të tjera (ngjitur).

Një e pavertetë e madhe që vjen erë paragjykimi dhe të bën të vjellësh vrer. Kjo fyerje krahinore i bëhet Hasit, vendit që shkruajti për here të parë gjuhen shqipe qysh me 1580, nga bashkohësi i Buzukut, At. Pal Hasi. Krahinës që nxorri 3 Kryepeshkop, (Pjetër Mazrrekun, Andre Bogdanin, Pjetër Bogdanin); një nga Vezirët e Perandorisë Osmane (HASAN PASHA (1535-1603); Popullit që themeloi Prefekturën e Kosoves (1921-1925); Kontribues në arsimin e gjithë qarkut me abetaren e parë “Abetarja e Zymit” (1900), duke ardhur në fund me shkollën e njohur të Krumës (1921, me vone Internat) etj, etj. Vetëm në sistemin Universitar sot, japin mësim  si pedagog dhe profesorë 12 Hasjan/e, ndërsa me grada shkencore Dr. janë mbi 26 … 2 prej tyre janë kërkues në Akademinë e Shkencave (QSA). Pse si kandidojnë këta apo s’ju duken intelektualë … ndoshta pse janë nga Hasi dhe nuk bëjnë…për sëren e tyre paragjykuese, apo ndoshta ngaqe nuk janë puthadorë…?! Mund t’ju kujtoj dy forcave politike dhe deleguarve të tyre në qark dhe emra që nga, ish Zv. Ministra, Drejtora Drejtorisht, Mjek të shkëlqyer, Noter, Ekonomistë, Ambasadorë, Avokatë etj, por me siguri s’do ju pëlqejnë…!

Pseudoargumenti i dytë është tek numri i votave pra pretendimi i ashtëquajturës ulje popullsie dhe për pasoj Hasi nuk ka aq vota sa të nxjerr një deputet. Një gënjeshtër e madhe. Po të shikosh numrin e votuesve për çdo rreth del qartë se Hasi i ka votat e plota për deputet, sidomos me këte sistem ku vota numërohet në nivel qarku, (Kukës, Has, Tropojë), dhe partitë marrin mandate në nivel qarku jo rrethi. Ku dihet tashmë se Hasit përveç votave nga katër njësitë e veta (3 Komuna, 1 Bashki), ka dhe një numër të madh votuesish (mbi 5000 pesëmijë banorë) që për arsye ekonomike, tregtare, pune në kohë të ndryshme janë shpërngulur në Kukës…! Pra mund të themi se votuesit (Kukës, Has, Tropojë), relativisht janë në mënyrë të balancuar, madje, nga numri i votuesve Hasjanët janë të dytët në qark . Pra, përkundrazi siç  pretendohet forca e votes është e madhe.

Nga sa më sipër fajtorë dhe përgjegjës për këtë situatë tepër të padeshirueshme është mungesa e reagimit lokal nga kryetarët përkatës, të cilët ngihen me thërrimet e vogla dhe as që mendojnë e guxojnë që të adresojnë këtë problematikë në nivelin qëndror. Përjashtuar disa reagime individuale qytetare, reagimi politik ka qenë zero. Duke mos kuptuar cilësinë e vërtetë të qenurit drejtues në ato nivele, me mungesë totale argumentuese e force reaguese  kanë sjellë këtë situatë, ku Hasi është në krizë përfaqësimi…pa deputet, dhe në zbehje të forces reale të votes që ka në qark.

Mosreagimi i tyre është regres dhe me historinë politike të Hasit. Mjafton të sjellim reagimin model të parisë (mund ta quaj me plot goje elite) së Hasit të vitit 1921, që themeloi Prefekturën e Kosovës, me dërgimin e kërkësës  Këshillit të Lartë të Shtetit, në kundërshtim me vendimin e marrë, për ta lëne këtë krahinë nën administrimin e Prefekturës së Drinit.

Dhe reagimin kryesor e vendimtar e bënë pikërisht në prag të zgjedhjeve për Asamblenë Kombëtare e cila do të mbahej në 5 Prill, 1921.

Ku gati një muaj përpara zgjedhjeve, më 2 Mars të 1921, paria e Hasit i drejton një peticion Këshillit të Lartë të shtetit Shqiptar lidhur me pakënaqësinë për ndarjen administrative. Citoj:
“…Po marrim vesh se Hasin, qe perbahet prej (2000) dymije shpive e (2500) e nizete e pese mie shpirt, Qeveria Kombetare e paska lane me Prefekturen e  Drinit, me te cilin vend Hasi as ekonomikisht as gjeografikisht s’ka kurrfare marrëdhanie e pergjithehere ka asht kane nen-prefekture e Gjakoves e skemi kurrfare udhe tregtiet me Prefekturen e Drinit, e jemi këtej Drinit”, .. duam qendër me vete....

“Per ndryshe s’kena me i dhane zarat (votat) per deputet per Prefekturen e Drinit, e keshtu ka me i hup 2-3 deputet Shqypnia” (AQSH. F. 418. V. 1921. D. 14, fl 1). (e meritojnë të përmenden këta dinjitozë: Hysen Selmani i Qarrit, Mehmet Alia, Rexhep Syla, Brahim Dida, Tahir Hoxha, Avdi Saiti, Ali Haxhija, Zejnel Peçaku etj).

Dihet se kërkesa e tyre u miratua…  Po kërkesa ama, jo heshtja.

Si ka mundësi që 92 vite më parë ata arritën të kuptonin forcën e votes, reagimin civil për të fituar të drejtat e tyre nëpërmjet kushtëzimit. Ndërsa sot 92 vite më pas “politikanët” lokale nuk po arrijnë të kuptojnë dot demokracinë, forcën përfaqësuese dhe detyrën që kanë marrë përsipër, ose ndoshta janë puthadorë të liderëve qëndrorë, dhe po lënë Hasin në krizë përfaqësimi.


Monday, December 17, 2012

Reportazh/ Perfektura e Kosovës në Dokumente




Hapet në Krumë të Hasit ekpozita me dokumenta arkivorë “Prefektura e Kosoves” Has 1921-1925 nga Dokt. Man POGA


View Spoti i aktivitetit.JPG in slide show


Me rastin e 100 vjetorit të Pavaresisë së Shqipërisë, dt. 27-28.11.2012 ora 10-30 në pallatin e kulturës "Pjetër Bogdani" të qytetit të Krumës, u hap ekspozita me dokumenta arkivorë nga Dokt. Man POGA. Ekspozita me titull: "Prefektura e Kosovës" themelimi dhe aktiviteti Krumë - Has 1921-1925.

Fjalën e hapjes e mbajti Zv. Kryetari i Bashkisë Krumë Z. Flamur Thaçi, i cili falenderoi studiuesin e ri nga Hasi Z. Man Poga për ekzpozitën e hapur për nder të 100 vjetorit të Pavarësisë. Ai theksoi se dokumentat janë autentike dhe sjellin risi për vizitorët. Periudha në të cilën fokusohet kjo ekzpozitë i përket njërës prej periudhave me të ndritura të Hasit por poashtu më pak të studiuara.

View Pjese nga ekspozita.JPG in slide show 


Duke falenderuar të pranishmit ai ja dha fjalën specialistit të Muzeut të Krumës Z. Astrit Fejzës, Historian. Z. Fejza vuri në dukje rëndësinë e kësaj ekpozitë të çelur me dokumenta arkivorë të pa publikuar më pare.
Më pas e mori fjalën autori i ekspozitës, Dokt. Man POGA. Ai tha se janë disa arsye kryesore që në ndërveprim me njëri tjetrin mundësuan krijimin dhe funksionimin e Prefekturës së Kosovës me qendër në Krumë: 1. Kërkesa e parisë së Hasit dërguar Keshillit të Naltë, 2.Pozita gjeografike; 3. zhvillimi politik i kohës; 4. krijimi si qendër arsimore/kulturore, 5 lidhja me Kosovës që Hasi e kishte të shumëfishtë. Jo po qëllim theksoi ai, prefektura e mori emrin Prefektura e Kosovës. Hasi gjithmonë ka qënë i lidhur me fatin e Kosovës. Tashmë po gjysma e Hasit ndodhet përtej kufirit, por kur u themelua Prefektua e Kosoves ata firmos bashkë, si një njesi administrative, deri më 1923.

Në vijim Z. POGA bëri një shpjegim të gjërë për publikun për çdo dokument përkatës. Sigurisht rëndësi të madhe ju dha dokumentave që flisnin për Themelimin e Prefektures, çeljen e zyres Bashkia Krume me dt 21.01.1924, Zyres së financave, Gjykatës së Krumës, Shkollës së Krumës, krijimit të grupit artistik të Krumës në vitin 1923, pazarit  me mbi 30-të dyqaneve të hapura aty, arsyet se pse qendren e Prefekturës së Kosovës  e shkëputin nga Kruma për në Kukës etj.

Man Poga Falenderoi Kryetarin e Bashkisë Krumë Z. Liman Morina, përfaqësuesin e Bashkisë Krumë Z. Flamur Thaçi dhe Z. Astrit Fejza për mbështetjen dhe u shpreh mjaft i lumtur për praninë e madhe të qytetarëve të Krumës në ekspozitë.

Ekspozohet Flamuri i sjellë nga Londra me firmën e n Emigrantëve Hasjan/e.

Krahas paraqitjes se dokumentave arkivore per Historine e Hasit, u paraqit dhe nje suprize për të pranishmit. Supriza ishte shpalosja e Flamurit Kombëtar i ardhur nga Emigrantet Hasjan/e që jetojnë në Londer. Perfaqesuesi i tyre Z. Ibrahim Bera kishte sjelle dhe 100 firmat e tyre bashkë me flamurin. Ky gjest ishte nje mesazh i madh. Te pranishmit u emocionun kur shikonin emrat e bijve te tyre si firmetar. 

Thursday, April 19, 2012

Trishtimi dhe Arsyeja

Pushtues, verbues është trishtimi
kur turret marrëzisht drejt shpirtit.
të mbyll në keshtjellë prej boje dhe letre
dhe pret reagimin ...

Vetullat si heshta shpejt kthehen
drejtuar pa shkak drejt njerezisë
që përballë në kodrën e gajasjes presin
pa durim një përfundim...

Sytë, këta këshilltarë të vetëm
në oborrin mbushur plot të pabesë
Lajmërojnë lart në kullë, arsyen
trishtimit ti kundërpërgjigjet me shpresë

Në koder dyqindëmijë njerzi si nënqeshje
hunj rrine stepur pa fjale
ndersa ne kështjellën prej boje e letre
arsyeja me arsye shuan trishtimin
në ditar...

Tulipani im




Dita ime ështe e thjeshtë

ashtu si shpirti

nuk duron sende të tepërta...

veçse nje lule si lule.


Rrëmujë me libra,

ëndrra, projekte, ulje-ngritje

dita ime sende të tepërta s'mban

Veç një lule tulipan


Që si flladi i sekondit të pandalur

i njom ditët e mija me qeshje...

në cep të shpirtit tim e vetmja lule...

Wednesday, November 9, 2011

Si u krijua “Prefektura e Kosovës” në Krumë të Hasit më 1921


(90 vjetori i harruar)

Doktorant. Man POGA

Në vitet ‘20 të shekullit të kaluar shteti shqiptar rënkonte së tepërmi, edhe pse pas 8 vitesh mëvetësie, Shqipëria nuk qeveriste dot territorin e vet, grindjet mes “krerëve” brenda vendit ishin të mëdha dhe situata ekonomike shumë e vështirë.

Mirëpo, përpjekjeve të herëpashershme të elementit anti-shqiptar për shthurjen e shtetit ju dha fund Kongresi i Lushnjes (21.01.1920).

Kongresi i Lushnjes ka meritën historike të zgjidhjes përfundimtare të dy detyrave themelore kombëtare: 1. të krijimit të shtetit të qëndrueshëm, me institucione demokratike; 2. ruajtjes së sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Ku vendin kryesor në zhvillimet e Kongresit e zuri pikëpamja e rimëkëmbjes dhe e organizimit të shtetit të pavarur shqiptar mbi baza kushtetuese.

Krijimi i prefekturave në veri-lindje të Shqipërisë

Një ndër detyrat kryesore të shtetit shqiptar ishte organizimi dhe funksionimi i njësive administrative, prefekturave e nën/prefekturave.

Në veri-lindje të Shqipërisë, fillimisht u organizua Dibra si njësi administrative në nivel prefekture, e cila u emërtua “Prefektura e Drinit”, me qendër në Peshkopi. Në përbërjen e saj do të hynin Dibra, Mati, nën/prefektura e Hasit, Lumës dhe Homeshit, (Malësia e Gjakovës shkonte me Shkodrën). Ky organizim administrativ duket se ishte i ngutshëm dhe nuk plotësonte kërkesat e të gjithë popullsisë veri-lindore (Hasit e Malësisë së Gjakovës) të cilat ishin larg qendrës së re dhe akoma të pushtuar nga serbët.

Në këto kushte paria e Hasit, dërgoi disa letra këshillit të lartë të shtetit, në kundërshtim me vendimin e marrë, për ta lëne këtë krahinë nën administrimin e Prefekturës së Drinit. Reagimi kryesor dhe vendimtar u bë nëpërmjet kërkesës dërguar në prag të zgjedhjeve për Asamblenë Kombëtare e cila do të mbahej në 5 Prill, 1921.

Letra e parisë së Hasit dërguar Këshillit të Lartë të Shtetit Shqiptar, datë 2.III.1921: ne nuk votojmë për deputet për Prefekturën e Drinit.

Gati një muaj përpara zgjedhjeve, më 2 Mars të 1921, paria e Hasit i drejton një peticion Këshillit të Lartë të shtetit Shqiptar lidhur me pakënaqësinë për ndarjen administrative. Ndarje e cila Krumën me rrethina e kishte përcaktuar si pjesë e prefekturës së sapoformuar të Drinit, që ishte me qendër në Peshkopi.

Kërkesa fillon me notë proteste të dukshme, të bën përshtypje mënyra e parashtrimit të fakteve, ku spikasin elementët argumentues (gjeografik dhe ekonomik), në favor të një njësie të re për Hasin, konkretisht:

“…Po marrim vesh se Hasin, qe perbahet prej (2000) dymije shpive e (2500) e nizete e pese mie shpirt, Qeveria Kombetare e paska lane me Prefekturen e Drinit, me te cilin vend Hasi as ekonomikisht as gjeografikisht s’ka kurrfare marrëdhanie e pergjithehere ka asht kane nen-prefekture e Gjakoves e skemi kurrfare udhe tregtiet me Prefekturen e Drinit, e jemi këtej Drinit”, (AQSH. F. 418. V. 1921. D. 14, fl 1).

Kërkesa kulmon me kushtëzimin deri me bojkot të zgjedhjeve në rast se nuk realizohej ndarja nga prefektura e largët e Drinit. Ndërkohë zgjedhjet për Asamblenë do mbaheshin shumë afër (me 5 prill 1921), citoj:… “Per ndryshe s’kena me i dhane zarat (votat) per deputet per Prefekturen e Drinit, e keshtu ka me i hup 2-3 deputet Shqypnia” (AQSH. F. 418. D. 14, fl 1).

Kërkesa u firmos nga Hysen Selmani i Çarrit, Bajraktar Mehmet Alia, Bajraktar Rexhep Syla, Brahim Dida, Tahir Hoxha, Avdi Saiti, Ali Haxhija, Zejnel Peçaku, etj., me 20 qendrat kryesore si, Krumë, Vlahna, Golaj, Nikoliç, Tregtan, Çarr, Demjan, Rugovë, Gjonaj, Kushlli, Romaj, Gercine, Planej, Grazhup, Kishaj, Helshan, Kosturr, Letaj, Shiqjegj (Zgjeç), Perollaj.

Kruma u shpall qendër prefekture fill pas kërkesës së parisë së Hasit si dhe me mbështetjen e fuqishme të Bajram Currit, i cili ishte anëtar i senatit që në mars të vitit 1920, për Has e Krasniqe, (Shih: Ligjvënësit Shqiptarë 1920-2005,Tiranë 2005, fq.8). Prefektura e re mori emërtimin “Prefektura e Kosovës”, dhe përfshinte Hasin, Lumën e Malësinë e Gjakovës (Tropoja). Megjithatë, vërehet se, shumë shkresa zyrtare emërtimin e prefekturës e shënojnë edhe me emrin “Prefektura e Krumës”, (Shih: Telegram- Min. e Luftës, AQSH. F. 252. D. 1/1, Fl. 549). Në funksion të aktivitetit të Prefekturës, Këshilli i Ministrave me vendim nr. 975 datë 30.12.1921, vendosi që të formohej një komision administrativ nën kryesinë e prefektit, me të drejtën e gjykimit provizorisht të çështjeve civile dhe penale, komisioni i formuar do të kishte 8 anëtarë dhe anëtarët do të paguheshin nga 100 franga ari, (ASHQ. F. 152. D. 754, fl. 195).

Zhvillimet e Kohës:

Rrethanat historike që mundësuan krijimin e “Prefekturës së Kosovës” në Krumë:

Në historiografinë shqiptare kur bie fjala për vitet 1920-‘25, Kruma përmendet vetëm si pikënisje e “Revolucionit Demokratik” të Qershorit 1924, me në krye Bajram Currin dhe ngelet me kaq. Për zhvillimet historike, arsimore, kulturore e patriotike të qendrës pak ose aspak është shkruar. Mendoj se asgjë nuk ka mbirë në një tokë të thatë, përkundrazi, aty prej shekujsh kultivohej arsimi dhe atdhedashuria, duke filluar që nga shekulli i XVI-XVII me shkollat dhe viganët e arsimit si me Pal Hasin (klerik, shkrimtar), Pjetër Mazrrekun, (Kryepeshkop), Gregor Mazrreku, Andre Bogdanin (Kryepeshkop), Pjetër Bogdanin (Shkroi veprën e plotë shqip “Çeta e Profetëve”), Lukë e Gjon Bogdani, e deri tek “Abetarja e Zymit” (1900), shkolla në Golaj (1906), duke ardhur në fund me shkollën e njohur të Krumës (1921, me vone Internat).

Janë tri elementë kryesore që në ndërveprim me njëri tjetrin mundësuan krijimin dhe funksionimin e Prefekturës së Kosovës:

1. Pozita gjeografike; 2. zhvillimi politik i kohës;

3. krijimi si qendër arsimore/kulturore.


I. Si pozitë gjeografike

Kruma si qendër prefekture ndodhej në mes të “Prefekturës së Kosovës”, duke krijuar një baraspeshë edhe në kuptimin gjeografik dhe politik mes krahinës së Malësisë së Gjakovës ne veri dhe krahinës së Lumës në jug.

Përveç kësaj në të gjithë historinë e vet organizohej në një territor shumë të gjerë, duke u kufizuar me dy qendrat e rëndësishme si Gjakova dhe Prizreni. Kësisoj, duke qenë udhëkryq mes këtyre qyteteve, nëpër Has kalonte rruga Shkodër- Vaspas- Has- Gjakovë, Shkodër-Has-Kukës-Prizren. Kështu që më shumë se asnjë vend tjetër Hasi lidhjet kryesore ekonomike-tregtare, shoqërore e kulturore i kishte me së shumti me Gjakovën në verilindje dhe diçka me pak me Prizrenin në jug. Themelimi i Prefekturës shihej me simpati dhe mbështetej nga banorët e Gjakovës, Pejës, Rahovecit, Hasit të përtejmë etj., të cilët shpresonin qe me forcimin e Krumës ato do të ishin më të sigurtë, (Për ti shpëtuar mizorisë serbe, një pjesë e familjeve të pasura u shpërngulën në Krumë, mbi 1000 banorë). Si pasojë e shtimit të popullsisë dhe zhvillimit u ndërtuan mbi 30 dyqane, vepra publike si shkolla e re dhe ndërtesa qeveritare,(Shih: AQSH. V. 1924. D. 12, fl. 6).

II. Si qendër politike

Kruma ishte mbështetje e madhe e lëvizjes kombëtare në verilindje aq sa cilësohet si qendra e irredentistëve Kosovarë (shih Robert C. Austin, Tiranë, 2003, fq. 270), popullsia vendase për vite me rradhë ka mbajtur dhe strehuar vëllezërit kosovarë që iknin nga terrori serbo-malazez, dhe kanë ndarë bukën e gojës. Kështu ka vazhduar deri sa janë instaluar nëpër pasuri shtetërore dhe ju kanë shpëtuar jetën, (shih Tafil Boletini, Tiranë, 2003, fq. 182).

Është për tu theksuar se në zgjedhjet për asamblenë kushtetuese të vitit 1923 në këtë prefekture fituan figurat opozitare si Hoxhë Kadriu, Dr. Fariu, Niman Ferizi dhe Avni Rustemi që përbënin krahun demokrat, duke dëshmuar kështu unitetin kombëtar aq të domosdoshëm për kohën. Vetë populli i prefekturës me një kërkesë ju drejtua Avni Rustemit: të duam deputet të Prefekturës së Kosovës. Më pas me 21.01.1924, Kruma filloi veprimet si bashki duke krijuar një zhvillim të përparuar për kohën, (Shih: AQSH. F. 152. V 1924. D. 400, fl. 1).

Veprimtari të dendur zhvilluan Hasan Prishtina, Bajram Curri, Hysni Curri dhe çetat kosovare të Azem Galicës, Sadik Ramës, etj, të cilat luftonin për ruajtjen e tërësisë tokësore dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Bashkë me Bujanin, Kruma u bë mbështetja kryesore e “Zonës së lirë të Junikut” në Kosovë. Gjithashtu aktivitet të rëndësishëm zhvilluan Riza Cerova, Ali Kelmendi, Zylyftar Veleshnja, Ibrahim Gjakova, Tahir Zajmi etj.

III. Si qendër arsimore dhe kulturore

Në fillim të viteve ‘20 të shekullit të kaluar në Krumë ka funksionuar shkolla shumë degëshe, e njësuar me të mesmen e sotme, e cila ka pasur edhe një konvikt të emërtuar “Kosova”. Si kryemësues i shkollës ishte intelektuali e patrioti Niman Ferizi, kontributi i të cilit është shumë i çmuar në çeljen e shkollave në Krumë e Malësi. Në Internatin e Krumës përveç Hasit, Lumës e Malësisë mësuan shumë djem që vinin nga vise të ndryshme, si Gjakova, Peja, Mitrovica, Prizreni, Dibra etj., disa prej nxënësve do të bëheshin më vonë personalitete të spikatur, si Mahmut Bakalli, Emin Duraku, Fadil Hoxha, heroi i popullit Xheladin Beqiri e shumë të tjerë. Kjo shkollë u bë qendër e rëndësishme e arsimimit dhe edukimit patriotik kombëtar, si frymëmarrje e vetme atdhetare e arsimore për rininë kosovare.

Grupi artistik i Krumes, 1923

Zhvillimi kulturor mori gjithashtu dimensione të tjera, me 1923 u krijua shoqëria kulturore “Shkëlzeni”, e përbërë nga patriotë dhe intelektualë që punonin në prefekturë. Kjo shoqëri themeloi në Krumë bandën frymore të Krumës, rrethin letrar dhe teatrin amator. Nëpërmjet shoqërisë u arrit qëllimi për edukimin e brezave dhe përmirësimin e jetës ekonomike e politike të prefekturës.

Sot e 90 vite më parë u themelua “Prefektura e Kosovës” me mbështetjen e madhe të patriotëve, arsimtarëve dhe intelektualeve që deshën përparimin rajonal e kombëtar të vendit. Ata shkrinë pasurinë e tyre për interesin e kombit, ndërsa “politikanët” e sotëm të qarkut e kanë harruar këtë datë, sepse këta po shkrijnë pasurinë e kombit për interesa personale.