Nga: Man POGA
Botuar me 23.08.2013, "Tirana Observer"
Botuar me 23.08.2013, "Tirana Observer"
U bënë disa ditë që mediat vizive dhe të shkruara po pasqyrojnë në
mënyrë intensive episode të dhunës që erdhën si pasojë e konfliktit mes
disa policëve privatë e përmbaruesve nga njëra anë dhe priftërinjve të
Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare që shërbejnë në Përmet nga ana
tjetër. Lajmi mori dhenë, aq shpejt sa për çudi të parët që u shqetësuan
ishin përfaqësuesit e komunitetit minoritar grek në Shqipëri, pastaj
Konsullata greke, dhe në fund Kisha Ortodokse “Autoqefale” Shqiptare…!
Në analizë të parë të tekstit dhe frymës reaguese, konstatohet fare
thjeshtë se deklaratat kishin veçse një qellim: ta servirnin para
opinionin ndërkombëtar situatën si konflikt fetar, deri aty sa ta
cilësonin si pengesë e të drejtës për të besuar apo për të ushtruar të
drejtën e besimit në ritin ortodoks etj, etj. Si një orkestër e
organizuar mirë në fund erdhi dhe “ndihma” e shtetit fqinj mik, Greqisë.
E cila shpejt e shpejt nëpërmjet Ministrisë së Jashtme bëri një dalje
për shtyp, duke “futur hundët” në një çështje pronësie të një shteti
tjetër sovran. Vendi fqinj nuk e la me aq, por shkoi aq larg sa hartoi
dhe një raport kritik për Shqipërinë drejtuar KE, duke provokuar edhe më
tej situatën.
Mirëpo, po të lexohen me kujdes të dhënat në terren, del se “ngjarja
flluskë e Përmetit” nuk është një konflikt fetar por një konflikt
qartësisht pronësie mes Bashkisë Përmet dhe Kishës Ortodokse Autoqefale
Shqiptare. Konflikt i cili “de juro” ka marrë fund me vendimin e formës
së prerë nga Gjykata. Por, përkundër asaj që pritej (të paktën kësaj
radhe), kjo situatë absurde po konfirmon faktin e përsëritur e të
rëndomtë: atë të moszbatimit të vendimeve të gjykatave shqiptare, anipse
në këtë rast kemi të bëjmë me njerëz të zotit. Nga kjo ngjarje vihen re
disa detaje që në plan të parë duken absurditete, por që në fakt janë
indikatorë që na ndihmojnë për të kuptuar të vërtetën.
Së pari të bie në sy ripërsëritja e zinxhirit reagues (-përfaqësues i
minoritetit-konsullata greke-shteti grek) pa lidhje me ngjarjen, por
vetëm e vetëm për qëllime politike, duke sjelle zvarrë një mendësi
mesjetare e lidhur me konceptin se ku ka ortodoksë ka grekë…! Nga kjo
mendësi shpjegohet dhe bllokimi i qytetarëve shqiptarë në pikat kufitare
greke, si hakmarrje për situatën e Përmetit;
Së dyti të bën përshtypje reagimi befasues i priftërinjve. Të cilët
të vetme mundësi proteste menduan dhunën. A thua se ata ishin predikues
të dhunës e jo paqes;
Së treti, a nuk është absurde dhe anormale që të sjellësh me autobusë
të ashtuquajtur besimtarë nga Saranda, Delvina, Gjirokastra dhe ti
yshtësh drejt dhunës…mu në mes të Përmetit?!
Duke patur miq nga Përmeti ju telefonova duke shprehur shqetësimin
për ngjarjen por dhe habinë se pse paska qenë e nevojshme të shkojnë
besimtarë nga rrethe të tjera, fundja, nëse priftërinjtë nuk arrijnë dot
të bindin besimtaret e Përmetit pse u dashka ajo shtëpi Kulture për
Kishë..?!
-Normalisht se do t-i merrnin nga rrethe të tjera, – më tha miku im
nga Përmeti, – se ne jemi besimtarë të qetë jo besimtarë të dhunës.
No comments:
Post a Comment