MAN POGA

Fjala e arsyes, ndjenja e zemrës!

Hyrje

Monday, February 8, 2010

Vetvetndosja dhe Sovraniteti. Si ndikoi e Drejta Ndërkombëtare në Zgjidhjen e çështjes së Kosovës!?


Në ndryshim nga e drejta e brendshme, në të drejtën ndërkombëtare nuk ekziston një normë fillestare, bazike, themelore (Hans Kelsen), apo një vendim primar (Karl Shmit) për të cilin mund të thuhet se paraqet fillimin e lindjes së saj.
Për pasojë, nuk ekziston asnjë normë, apo vendim, me të cilin do të mbyllej zhvillimi i kësaj degë të së drejtës. Si “fillimi” ashtu dhe “fundi” i të drejtës ndërkombëtare janë në gjendje të një lëvizjeje e ndryshimi të vazhdueshëm, në varësi të rrethanave, situatave, ngjarjeve. Në këtë shteg duhet pare dhe problematikita, zhvillimi, e zgjidhja e çeshtjes së Shqiptarëve të Kosovës.
E drejta ndërkombëtare e parë në këtë zhvillim nuk është faktor i jashtëm i cili ndikon në sjelljet e shteteve. Si e tillë, ajo ndjek praktikën. Kësisoj zgjidhja e statusit të Kosovës u pa si zhvillim i praktike të re ndërkombëtare, duke e pare këte rast si “sui generis”.
Faktorët që ndikojnë në sjelljet e shteteve lidhen me interesin e tyre dhe konfiguracionin e forcave në planin ndërkombëtar në kohën dhe hapësirën e dhënë. Shtetet ndjekin interesat e tyre dhe në varësi të forcës që kanë në disponim i realizojnë ato në kuadër të një ambienti anarkik ku nuk ka pushtet qendror që i kushtëzon ato apo që iu jep dorë të lire në heshtje.
Më tutje, kjo do të thotë se shtetet janë aktorë racional, të cilat veprojnë në kërkim të realizimit të interesave të tyre vetjake. Ajo që duket si mënyrë e zakonshme e sjelljes së shteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk është veçse perceptim i gabuar.
E drejta ndërkombëtare, secila normë e saj, pa marrë parasysh burimin, reflekton katër kategori përmes të cilave mund të shpjegohen sjelljet e shteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ato katër kategori janë:
1. puqja e interesave (shteti respekton të drejtën ndërkombëtare sepse interesat individuale të shteteve puqen me ato të shteteve tjera);
2. koordinimi (shteti respekton të drejtën ndërkombëtare sepse fiton më shumë nëse ndërmerr veprime simetrike dhe të njëjta më ato të shteteve tjera);
3. bashkëpunimi (shteti respekton të drejtën ndërkombëtare sepse fiton më shumë nëse ndërmerr veprime të cilat nuk janë në interes imediat për hir të përfitimeve të mëvonshme afatgjate dhe afatmesme);
4. shtrëngimi (shteti respekton të drejtën ndërkombëtare dhe ndërmerr veprime kundër interesave të tij si pasojë e kërcënimit me përdorimin e forcës).
Retorika mbi zbatimin dhe rolin praktik të së drejtës ndërkombëtare duhet të shikohet në prizmin e këtyre katër kategorive. Kjo është vërejtur edhe me sjelljet e shteteve në rastin e krizës dhe tragjedisë ish jugosllave që nga vitit 1991, por edhe në rastet tjera të ngjashme të zgjidhjes së krizave rreth sovranitetit dhe vetëvendosjes gjatë dekadës së fundit: Irlanda e Veriut (Marrëveshja e të Premtes së Mirë), Izraeli dhe Palestina (Karta për Paqen), Saharaja Perëndimore (Plani Paqësor i Backer-it), Sudani (Protokolli i Machakos) e kështu me radhë.
Roli dhe rëndësia e së drejtës ndërkombëtare, i normave të saj, në zgjidhjen e çështjes së Kosovës nuk ka pse të jetë ndryshe. Sikundër rastet e sipërpërmendura, në Kosovë objekt zgjidhjeje është e drejta për vetëvendosje dhe format e saj, apo kontesti politik për sovranitetin territorial. Vetëvendosja, në stadin aktual të zhvillimit të së drejtës ndërkombëtare, paraqitet vetëm si një parim , jo si normë e përcaktuar.
As në rastin e Kosovës nuk ekziston një normë ndërkombëtare e cila do ta impononte zbatimin e llojit të caktuar të vetëvendosjes, interne ose eksterne. Fakti që serbët me insistim vetëvendosjen e Kosovës e paraqesin si vetëvendosje të brendshme, e cila sipas tyre buron nga Rezoluta 1244 e KS të OKB-së, është vetëm një nga interpretimet e mundshme të vetëvendosjes si parim. Ky interpretim serb supozon mbrojtjen me çdo kusht dhe në çdo rrethanë të parimit të integritetit territorial, (gje që e kerkojnë dhe sot).
Në të drejtën ndërkombëtare, si vetëvendosja ashtu dhe mbrojtja e integritetit territorial janë në nivel parimesh, jo në nivel normash ndërkombëtare të cilat do të vlenin për çdo kohe dhe për të gjitha rastet. Po të ishte kështu, ish Jugosllavia nuk do të shpërbëhej më 1991 kurse bashkësia ndërkombëtare do të kishte ndërhyrë në mbrojtje të sovranitetit e integritetit territorial të atij shteti, siç pat bërë në Kongo/Zaire në fillim të viteve ’60 të shekullit të kaluar. Me atë rast, OKB shtypi me dhunë kërkesën për pavarësi të provincës Katanga sado që i kushtoi me jetë Dag Hammarskjöld, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së të asaj kohe.
Zbatimi i këtyre dy parimeve, zakonisht përjashtues ndaj njëri tjetrit, në praktikë mund të rezultojë me konfirmimin e normës ekzistuese abstrakte dhe të përgjithshme ndërkombëtare, pa marrë parasysh burimin e saj, por edhe me modifikimin, ndryshimin ose krijimin e normës së re mbi vetëvendosjen dhe integritetin territorial. Rezultati përfundimtar përcaktohet nga ajo se cila nga kategoritë e sipërpërmendura do ta dominojnë politikën aktuale të anëtarëve të Grupit të Kontaktit të cilët janë të involvuar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Tek e fundit, vetë ky organ joformal ndërkombëtar, i formuar në prill të vitit 1994, rezulton të jetë pasojë e anashkalimit të KS të OKB-së, i cili u tregua i paaftë (apo nuk kishte vullnet??), për ta ndalur gjenocidin në Bosnje-Hercegovinë. Po të respektohej e drejta ndërkombëtare, Grupi i Kontaktit nuk do të ishte formuar kurrë, mirëpo në Bosnje – Hercegovinë do të vriteshin më shumë njerëz. E njëjta vlenë edhe për intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999.
Konvertimi i parimit të vetëvendosjes në normë ndërkombëtare të detyrueshme për palët e vetëvendosjes dhe akterët tjerë relevant ndërkombëtar kërkon ndërhyrjen e një arbitri. Kjo ka qenë praktika e shteteve në të kaluarën. Ai arbitër quhet bashkësi ndërkombëtare dhe mund të ketë forma të ndryshme përfaqësimi të interesave të shteteve anëtare të kësaj bashkësie. Më 1815, ai është quajtur Kongresi i Vjenës, më 1878 Kongresi i Berlinit, më 1918 Konferenca e Versajës, me rastin e dekolonizimit - OKB dhe OUA (Organizata e Unitetit Afrikan, tani Unioni i Unitetit Afrikan), etj.
Në rastin e ish Jugosllavisë (1991-1995), ai arbitër u quajt Konferenca Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, fillimisht e njohur si Konferenca e UE-së për Jugosllavinë (1991-1992). Kjo konferencë ka zbatuar parimet e të drejtës ndërkombëtare mbi vetëvendosjen dhe trashëgiminë e shteteve. Ato parime janë transformuar në norma të detyrueshme vetëm atëherë kur ky organ ka vendosur për subjektet e vetëvendosjes, interne dhe eksterne, dhe kur është përkrahur në tërësi nga të gjitha strukturat ndërkombëtare dhe fuqitë e mëdha të kohës.
Konferenca ka reflektuar katër kategoritë e sipërme dhe ka treguar se sjelljet e shteteve karshi ish Jugosllavisë nuk mund të shpijnë në mbrojtjen me çdo kusht të integritetit territorial dhe se duhen gjetur modalitetet e vetëvendosjes së re të popujve të ish Jugosllavisë. Në këtë kontekst u krijuan dy modalitete të vetëvendosjes, interne dhe eksterne.
Me të parën u nënkuptua e drejta për jetesë të përbashkët të të gjithë popujve në kuaish republikave jugosllave, pa pasur të drejtën e ndryshimit të kufijve republikan, të cilët u shpallën si ndërkombëtar që nga momenti i deklarimit të pavarësisë së ish republikave jugosllave.
Përpjekjet serbe për krijimin e entiteteve të reja përmes politikës së pastrimit etnik u shpallën të kundërligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare dhe nuk u shpërblyen më njohje, ngjashëm siç pat ndodhur me Rodezinë e Jugut në kohën e regjimit të Smith-it. Me vetëvendosje eksterne u nënkuptua e drejta e ish republikave jugosllave për t’u bërë shtete të reja sovrane dhe të pavarura brenda kufijve administrativ republikan, përfshirë këtu të drejtën e asocimit eventual me shtetet tjera sovrane dhe të pavarura ose themelimin e shteteve të reja sovrane dhe të pavarura nga dy ose më shumë ish republika jugosllave.
Në fakt, këto dy forma të vetëvendosjes nuk ishin veçse një zbatim i ri i vetëvendosjes koloniale në kontestin e shpërbërjes së një shteti ekzistues sovran dhe i pavarur – ish Jugosllavisë. Zbatimi i ri i këtyre dy formave të vetëvendosjes u konfirmua fuqishëm edhe në Dejton (1995) sepse u dëshmua edhe njëherë se e drejta ndërkombëtare ndjek praktikën e shteteve, jo anasjelltas.
M. POGA

No comments:

Post a Comment