MAN POGA

Fjala e arsyes, ndjenja e zemrës!

Hyrje

Wednesday, April 16, 2014

15-TË VJET NGA KRONIKA E MBIJETESËS TEK PËRKUJTIMI I DINJITETIT KOMBËTAR 1999-2014



(Kontributi i popullit të Hasit në përballimin e  eksodit të vitin ’99)

Nga Man Poga
Botuar ne gazeten "Tirana Observer" 16 prill 2014

Popullsia vendase (Hasit) për vite me rradhë ka mbajtur dhe strehuar vëllezërit kosovarë që iknin nga terrori serbo-malazez, dhe kanë ndarë bukën e gojës. Kështu ka vazhduar deri sa janë instaluar nëpër pasuri shtetërore dhe ju kanë shpëtuar jetën.
Tafil BOLETINI
(marrë nga libri me kujtime: “Pranë Isa Boletinit&Përballë sfidave të kohes”, Tiranë, 2003,  fq. 182)

Me 16 prill në qytetin e Kukësit sipas njoftimeve të ekzekutivit dhe pushtetit vendor do të ketë aktivitete të shumta në përkujtim të 15-të vjetorit të eksodit të popullsisë Shqiptare të Kosovës nga trojet e veta në drejtim të Shqipërisë.
Me moton “Shqiperia dhe Kosova, 15 vjet nga eksodi”, në qendër të Qarkut Kukës do mbahen aktivitete te shumta argëtuese dhe kulturore për shënjimin e këtij përvjetori me qëllim falenderimin e popullsisë së Qarkut Kukës (Kukësit, Hasit dhe Tropojës), për përballimin me dinjitet të asaj situate shumë të vështirë, ku mund të themi se popullsia Shqiptare e Kosovës kaloi nga gjendja e asimilimit nëpërmjet gjenocidit të ushtruar mbi të, e deri në eksod biblik.
Festa vjen sot si një bashkëpunim në një kohë e rrethanë afërmendsh shumë me dinjitoze për popullsinë shqiptare që gjallon e lire tashmë në dy shtete zyrtare, Shqipërisë dhe Kosovës.
***
Mirëpo krahas kësaj atmosfere feste, duhet të mbizotërojë një ndjesi e përgjegjësi kujtese kombëtare nga çdo indivit që ka çfarë të thotë dhe të kujtojë nga kronika e eksodit ’99. E, nëpërmjet publikimit të çdo dëshmie, qe vjen nëpërmjet fotove, filmimeve, statistikave e të dhënave të tjera, të dëshmohet fort e vërteta e madhe se shqiptarët e Kosovës janë viktima jo agresori… siç duan ta sjellin sot politikat e mbrapshta antikombëtare. Njëkohësisht, duhet të dalë në pah çdo kontribut i çdo krahine, fshati, familje, individi që në kohë e rrethana shumë të vështira ekonomike dhe sociale (sapo kishte kaluar 97-ta) gjeten forcen, energjinë, besimin dhe solidaritenin për ta kaluar bashkarisht këtë sprovë historike.

Një prej dëshmitarëve të pasojave të eksodit ’99, jam dhe unë, si shumë bashkëqytetarë të Krumës së Hasit, të cilët për hirë të së vërtetës, (siç dihet) është zona që ka kontribuar masivisht që në hapat e parë të lëvizjes së Ushtrisë Çlirimtare, ku bijte e kësaj krahine kanë qënë të përfshirë kryekreje në çdo pikëpamje dhe kontributi i tyre ka qenë shumëplanësh, deri në dhënjen e gjësë më të shtrejtë: Jeten. Sidomos fshatrat kufitarë si: Letajt, Dobruna, Vlahnja, Cahani, Kishajt, Pogajt etj.

Të parët Shqiptarë të Kosovës që erdhën grup në Krumë si pasojë e dhunës e masakrave serbe ishin rreth 200 banorë të fshatit Goden të Komunës së Gjakovës të cilët u depërtuan nëpërmejt pikes së qaf-prushit. Ata gjetën strehë menjeherë në familjet Hasjane në Krumë. Për të parë situatën në vend në këto familje bëri vizitë Presidenti, Rexhep Mejdani, dhe kryeministri Pandeli Majko, ndërkohë gjendje sa vinde e përkeqësohej dhe më tej. Çdo ditë e pas 25-26 marsit u bë dhe me e vështirë në Krumë, numri i të dëbuarve po shtohej me shpejtesi, ndërkohë kapacitetet mbajtese ishin shumë të kufizuara. U tejmbush çdo ode e çdo shpie, pastaj sistemimi  vazhdoi tek Xhamia e Qytetit, Pallati i Kulturës, Shkolla e Mesme, Shkolla 8 vjeçare, Pallati i Oficerave, Spitali,  çdo hapsirë e lulishteve ishte plot e përplot.

Me 17 prill shënohet një dyndje e madhe ku në rrethin e Hasit atë ditë, ishin njëzet e tre mijë banorë të shpërngulur. Në qytetin e Krumës 9.417 persona, në komunën Golaj 7.990,  në komunën Fajza 1.540 dhe komunën Gjinaj 966 veta. Ndërsa në xhaminë e qytetit të Krumës dhe në Pallatin e Kulturës u vendosën edhe dy mijë të tjerë.  Solidariteti ishte në përmasa hyjnore, të gjithë morëm nga 2-3 familje, për njerzit që s’mund ti mbanim në shpi kemi shpërnda ujë, bukë e rroba nëpër lulishte ku ishin vendosë.

 Qaf Prush, 1999

Gjithçka u bë me ndimen e banorëve vendas, asnjë ndimë nga shoqatat apo shteti nuk kishte ardhë në Krumë, ishin fokusu në Kukës, sepse atje kishte një dëpertim edhe me të madh. Sipas regjistrimeve numri i të shpërngulevje që kaloi nëpërmejt pikës së qaf-prushit për në Krumë e nëpër Has ishte mbi 70 mijë, por mund të ketë  qënë edhe më shumë…

Populli i Hasit në përgjithsi e ka besdi me përmendë buken qe ka dhanë, e sheh si ofendim, i largohet vetëmburrjes me urtesi, por kjo gjë shpesh here e ka çuar në harrese kontributin qe ka dhene ...
Sot 15-të vite më vonë nga kronika e mbijetesës, kemi arsye të përkujtojmë triumfin në përballimin e situatës dhe të festojmë të gjithë me dinjitet.



Tiranë, 15 prill 2014

Friday, March 28, 2014

HAZIR SYLË KURPALI
1874-1913
PROFILI I NJË ATDHETARI TË LËNË NË HIJE!

Nga Man POGA

Kush po shkon përpjetë çarshisë?!
Hazir Syla i Shqipnisë
Kush po shkon përpjetë sokakit?!
Hazir Syla djali i Hasit[1]

Populli

Fati e deshi që ashtu rastësisht gjatë punës sime të përditshme kërkimore për çeshtje e tema krejt të tjera, më ra në dorë një libër historik, monografia me titull:  “Ram Binaku i Dashinocit” [2]. Në vija të përgjithshme në këtë monografi shkruhej me lavde për Ramë Binakun (1888-1961), ku i vishesin merita të medha kësaj figure historike nga Komuna e Gjakovës, deri atë çast i panjohur për mua. Mes të tjerash, në hyrje të kitij libri por që e hasa pastaj edhe në shkrime e studime të tjera, me ra në sy një paragraf që jepte disa të dhëna mbi fillesat e aktivitetit luftarak të subjektit, citoj: “Lule Hajdari, nipin e saj, Ramë Binakun 17 vjeçar, e dergon tek Ahmet Begu babai i Bajram Currit, prej të cilit kërkoi ndimë për të mundur me e regjistrue në çetën e Hazir Sylës i cili rrjedh nga familja Kurpali-Shqipëri [3].
Më mjaftoi ky paragraf  që të më grishte, të ma prishte qetësinë, t’i lë menjëanë projektet e tjera, të më nxiste që të kërkoja më tej në skutat e historisë, në mënyrë që të ndriçoja sadopak profilin e Hazir Sylë Kurpalit, e në terrin e historisë së Hasit, të ndez një qiri të vogël. E si mund të lihet një kapedan i tillë pa as edhe një artikull, të paktën, kur për një antar a pjestar të çetës së tij ka libër monografik?!-mendoja me vete.
Eh! Në këtë gjendje është katandisur historigrafia e visit të Hasit. I cili ka prodhuar me shumicë histori në çdo shekull, ka nxjerrë kapedana, komandanta, heronjë e dëshmorë me shumicë por shkrimtarë (historianë) jo…për me e shkru të verteten-historinë. Ndaj asht bjerrë historia, aq sa, shumëkujt (ndoshta dhe disa hasjanëve të sotëm...), ju asht mush mendja që Hasi nuk ka histori, nuk ka pasë prijsa që i kanë dale zot vendit të vet, kombit të vet, në kohë e fate te zeza kur visi a Kombi i lypi!  Paj, e vërteta është se, veç pak “koren e kohës” me ja heq historisë së visit të Hasit, kemi me gjetë kuvendarë e prijsa, trima e dëshmorë, shtetarë e fisnikë të naltë, klerikë e arsimtarë ndër shekuj, sa s’na ka pre menja…! Një nga ta, prijs e trim që gjalloi rreth shekullit XIX-XX është sot e gjithë diten patrioti Hazir Sylë Kurpali (1874-1913).

HAZIR SYLË KURPALI
VENDLINDJA

Hazir Kurpali lindi me 1874[4] në Letaj, pinjoll i familjes së madhe e të njohur Kurpali nga Hasi. Familje e cila dha kontribut të madh në çeshtjen Kombëtare Shqiptare. Kulla e tyre, duke qenë buzë grykës së qaf-prushit, ishte në kontakt me shumë patriotë e atdhetarë të shumë trevave Shqiptare. Letajt, si emertim fshati na del qysh me 1415, ngjarjet historike na tregojne se Letajt në shek XIX ishin një nga vendbanimet me ne zë të Hasit, por dhe të Malsisë. Ndër betejat ku shquhen shumë Hasjanët e në veçanti nga Letajt mund të përmendim luften e vitit 1887, në këtë luftë u shquan Ahmet Zeneli, Keç Ademi, Myftar Syla dhe Ali Hoxha. Ne luften Turke të 1912, Bajram Sylë Kurpali dhe Rexhe Mehmeti[5] Letajt dhe Qaf-Prushi si grykë, nga pikpamja gjeografike janë mu në udhëkryqin ku pikëtakoheshin historikisht, pushonin një cope here, karvane tregtare, tregtar e prijës, patriot e njerëz të thjeshtë nga vise të ndryshme shqiptare, duke filluar nga Kruma e një pjesë e mire e Hasit, Bytyqit dhe e Va-Spasit (nga vinte Puka e Shkodra), prej nga nxirrnin krye pastaj për të dalë përballë Gjakovës për punë minutash. Fillimisht lëvizej për çeshtje tregtie, pune administrative etj., por jo vetëm. Gjatë fillimit të lëvizjes Kombtariste e sidomos gjatë Lidhjes së Prizerenit lëviznin patriotë e  ideolegë me za nga Shqipëria drejt Kosoves, e anasjelltas nga Gjakova, Peja e më gjerë në drejtim të Hasit, Bytyçit, Pukës, Shkodres... per te mbajtur ndezur  e shpërndarë sa me shumë flakën e atdhedashurisë! E tek kjo kullë si në çdo kulle të Hasit, ata gjeten ndezur zjarrin e atdhedashurisë, shtruar sofren e bukes, e thatë barutin e luftes…!
NDIKIMI FAMILJAR NË FORMËSIMIN PATRIOTIK DHE ATDHETAR

Nëpër kohë bijtë e kësaj familje janë shquar për patriotizem, ata ranë në kontakt dhe bashkëpunuan me ideologë, luftetarë e patriotë të livizjen Kombetare Shqiptare si Asim Vokshi, Haxhi Zeka, Hasan Prishtina, Bajram e Hysni Curri, Isa Boletini, Azen e Shote Galica e shumë e shumë të tjerë. Syl Kurti ka marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, në aksionin e Gjakovës, e në të gjitha veprimet luftarake të mëpastme. Në total 8 djem të kësaj dere kanë dhënë jeten për atdheun dhe 5 të tjerë janë plagosur[6]
Kulla e tyre u bë qendra kryesore mbështetëse e kryengritjes shqiptare kunder Osmaneve sidomos në kryengritjet e viteve 1900-1912-tës, ku në Qaf-Prush u bënë beteja të përgjakshme. Sipas të dhënave autentike që na jep direkt shumë afër nga vendi i betejës diplomati A.N. Elmenjalov asokohë i ngarkuar me punë në nënkonsullatën  e  Perandorisë Ruse në Prizeren, nëpërmjet një telegrami drejtuar Ministrise së Punëve të Jashtme Sankt-Petersburg, raporton se: “me 27 Qeshor / 10 Korrik 1912, kryengritësit e Hasit, të Gashit dhe të Bytyçit, nën drejtimin e Bajram Currit, goditën katër batalione të përqendruara në Qafën e Prushit. Forcat qeveritare u thyen keq, duke lënë në duart e shqiptarëve municione, armë, mitraloza e topa, që u përdorën për armatosjen e kryengritësve. Ata lanë gjatë këtij luftimi 300 të vrarë, të plagosur e robër lufte”[7] Suksesi i kryengritësve në Qafë të Prushit ushtroi ndikim në popull dhe, siç shkruante direkt nga Stambolli Hasan Prishtina: “i dha një shtytje të fuqishme lëvizjes së armatosur edhe në viset e tjera. Kjo fitore bëri të aktivizoheshin edhe elementët opozitarë në radhët e oficerëve të garnizoneve ushtarake në viset verilindore e lindore të Shqipërisë”[8] Për kontributin e tyre gjatë përfshirjes në çeshtjen Kombëtare janë ruajtur dhe përcjellur brez pas brezi, këngë, histori, bema që këndohet e ruhen si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri (Has, Malesi e Gjakovës, etj), kënge që janë kënduar jo  vetem ne oda por deri në Festivale Folklorike.[9]
Kesisoj, edhe Hazir Syla nuk kishte si të dilte ndryshe, ambjenti ku u rrit dhe u formua ishte i gatuar nga shqiptarizma, qe kur lindi deri sa vdiq, jeta e tij i shkoi në betejë. Sepse i tillë ishte fati i Kombit, betejë për mbijetesë nga asimilimi..! Ai e vazhdoi me tej lidhjen e familjen e tij me figurat me te shquara të kohës që punonin për çeshtjen Kombëtare. Fati i tij ishte lufta, ashtu si e gjithe familja e tij që ishte e përfshirë kryekreje në lëvizjen Kombëtare Shqiptare, i ati  ashtu dhe vellezerit e tij kishin marre pjese ne beteja e kuvende, duke filluar qysh me reformat e tanzimatit, Lidhjen Shqiptare të Prizerenin e deri tek Kryengrita e Pergjithshme për Pavarsinë Kombëtare Shqiptare. Nga Kulla e tyre kanë dalë nëpër kohë shumë trima, si Haziri, Avdia, Zymeri, Dërvishi, Bajrami, Selimi etj, ndër to cilësoheshin si: prijsit shumë të njohur të barakut të vogël të Hasit, Haziri, Bajram, e vllazëris “Kurpali” – kështjella e Konaku i luftëtarve të lirisë, në pikën më nevralgjike “Qaf e Prushit”[10] Siç vëren gjithashtu studiuesi Besim R. Cengu: kjo kullë, nuk ngjasonte me një shtëpi banimi. Më shumë qe një institucion që lindte e skaliste lufëtarë. E pastaj nëpërmjet tyre përhapte pareshtur nëpër historinë tonë të vështirë patriotizëm dhe atdhedashuri.[11]


Muzeu i gjallë dhe dëshmia e përpjekjeve të kësaj kulle ishte trupi i Bajram Sylës, stolisur me tetëmbëdhjetë plagë në trup. Pas vdekjes së Hazirit, Bajrami do të vazhdonte me tej lidhjet me patriot e ideologë të lidhjes, për të si trim dhe luftetar i madh, (ndryshe nga Haziri), janë shkruar shumë artikuj e studime. Studiuesit Sejdi DIDA, Agim SPAHIU dhe Dr. Besim MUHADRI e kane cilesuar Bajram Sylë Kurpalin me epitete si: “Njeriun e miqësuar me plumbat”[12],  “Legjenda Hasjane e 18 plageve”[13] etj. Për të njohur dimensionin e vertetë ku u rrit dhe u brumos Hazir Kurpali na jep me tej shpirti krijues hasjan i cili i ka përshkruar në grup, vllazërimin Kurpali, ku përmenden me rrallë Bajrami, Haziri, Avdia dhe Zymeri, përcjellë në këngën e njohur “Djemt e Hasit”, këngë e cila përkujton betejen e lavdishme të Qaf-Prushit:
Djemt e Hasit n’kulla t’bardha
Me pushkë n’dorë i ka le nana
N’kullë t’Kurpalit, shtiz flamurit
Prush asht ba themel’ i gurit
Bajram Syla gjallë s’po kapet
Asht ma i vogli n’katër vllaznit
Shqipja e vogël me 18 plagë
Po pisket o nëpër flake
Ka Hazirin, ka Avdinë
Kur lshojnë za dridhin Turqinë
Ka Zymerin lule t’motit
Oso Kukë n’kullë t’barotit
Veton Hasi Ishon rrugë
I thotë Hasmit-mor ku je?
Luftë e dasëm shortet e mija
Nji bajrak kam për te dyja[14]

NË LUFTË DERI NË DITEN E MBRAME
NGA PLAVA-GUCIA NË QAF-PRUSH, NGA KAÇANIKU NË SHKUP

Hazir Kurpali ishte një prijës i lindur, ai ja kishte arritur që të themelonte e drejtonte në moshë të re nje çetë mjaf aktive e cila la gjurmë të pashlyeshme në kronikat e kohes e ku aktiviteti i dendur luftarak shtrihej që nga lufta e Qaf-Prushit, beteja e Gjakovës, Decan, Plavë-Guci, beteja e përgjakshme e Kaçanikut e deri në Shkup. Aktivitet i gjërë deshmuar e ruajtur në arkiva, dokumente, foto, kujtime e studime të bashkëkohesve. Në çeten e tij shohim se do të gjenin besim e bashkohen shumë të rinj e patriotë jo vetem nga Hasi, prej nga ishte Hazir Syla por dhe nga Malsia, Deçani, Gjakova e shumë treva të tjera të Kosovës, fakt që flet për shtrirjen e gjërë të influences së tij. Sipas dëshmive të gjalla të antarëve dhe bashkëluftëtarëve të tij të cilet paten fatin të jetonin me gjatë, është vertetuar se çeta e Hazir Sylës u themelua në vitin 1903[15]. Një dëshmi tjetër të dorës së parë dhe mjaft kuptimplotë mbi aktivitetin dhe rolin e Hazir Sylë Kurpalit kemi nga nipi i Isa Boletinit: Tafil Boleti, i cili duke përshkruar tre tarafët e Gjakovës, mes të tjerat thekson: “…në Gjakovë doli në shesh dhe grupimi i tretë me Hazir Sylën në krye..”[16]
F. Mehmetaj në monografinë: “Qel Shabani i Becit – jeta dhe vepra atdhetare”, megjithëse mbart disa lajthitje lidhur me disa të dhena mbi Hazir Kurpalit, na jep detaje te reja mbi shtrirjen e aktivitetit të Hazirit, ku shton dhe vendbanimin e ri të tij, citoj: Qel Shabani një kohë të gjatë i ka takuar çetës së Hazir Sylë Kurpalit, trim i dëgjuar i Malësisë së Gjakovës, i cili aso kohe ishte me vendbanim  në fshatin Radoniq të Dushkajës. Me tej: Luftetarët e kësaj çete morën pjesë në shumë aksione lokale dhe në kryengritjet e armatosura të viteve 1908 – 1910. Kësaj çete i ka takuar edhe vëllai më i ri i Hazirit, Bajram Syla, po ashtu trim i dëgjuar. Pas vdekjes së Hazirit, Qeli i ka takuar çetës së Bajram Sylës. Kohë pas kohe Qeli ka bashkëvepruar edhe me Bajram Daklanin, Zefin e Vogël, Zymer Fazlinë, Mon Avdinë, Avdi Sylë Kurpalin (i vrarë në Pejë në përleshje me forcat turke në kohën e Hyrrjetit), Idriz Jahën e Smolicës, Jahë Salihun e Babajve të Bokës etj[17]  Haziri mori pjesë në luftën e përgjakshme të Kaçanikut të vitit 1910, në betejen e së cilës ju plagos i vellai Bajrami, të cilin e dërgoi për kurim në Shkup, shoqëruan nga Hysni Curri (vëllai i Bajram Currit), dhe Islam Aga i Batushes, bashkëluftetarë ne Kaçanik. Nga ku kemi dhe sot të vetmen foto –dëshmi të këtij trimi.  Profilin e tij e  shohim si një nga prijësat i forcave të Hasit si dhe luftëtarëve nga zona të ndryshme të Kosovës gjatë kryengritjes Kombëtare Shqiptare. Siç e hasim edhe në kujtesën e zonës ruajtur në kënge:
…
Shumëkush jeten se kurseu
Me gjak t’kuq lirinë e bleu
Për dy trima e kemi fjalën
Hazir Sylën e Kurpalit
Ram Isufin pika e djalit
Kur Turkia kupen mushi
Batalionet çoi n’Qafë Prushi
Bajram Curri kur ka ndigjue
Hazir Sylës fjalë i ka çue
Hazir Syla çfarë i ka thanë:
Plot barut kullat i kam
E me trimat që kam me veti
S’ka shka na ban krali as mbreti…[18]

Mes të tjerash aktivitet të dendur patriotit dhe shume aktiv kishte në Deçan të Kosovës. Përleshjet e para me forcat osmane në kete treve gjatë kryengritjes gjithëpopullore kunderosmane të viteve 1908-1912, u bënë në beleg të Deçanit nga luftetarët e çetës së  Hazir Sylës[19]


Hazir Kurpali,  dalë në Shkup  me 1910, pas luftës së përgjakshme të Kaçanikut[20]. Pas vdekjes, u dekurua  nga pushteti i kohes me medalje të shumta për veprimtari patriotike.

Krahas betejave përkrah trimave të Kosovës atë e gjejmë edhe si pjesmarrës në kuvendin e Pejës, Besa-Besë, Beslidhjen e Verrave të Llukës, së  Ferizajve dhe Gjakovës etj. Hazir Kurpali është një nga pjesmarrësit e “Kuvendit të Përgjithshëm të Krerëve Shqiptarë” në Gerçë, ku ofrohet programi i autonomisë kombëtare në 12 pika. Ky program, përmes një memorandum, siç u quajt “Libri i Kuq”, iu paraqit qeverisë Turke e fuqive të mëdha me 23 qeshor 1911.
Figura e Hazir Kurpalit ashtu si shume trimave të Letajve e Hasit meriton vëmendje dhe duhet studiuar me tej  per të nxjerrë sa me shumë në pah kontributin e tij për çeshtjen Kombëtare, në mënyrë që brezat ta njohin ashtu siç e meriton vepra e kontributi i tij për Letajt, Hasin, Deçanin, Kosovën, Shqipërinë, që kur lindi e deri në frymën e ditës së mbrame të 14 janarit të vitit 1913të kur ra në Moravë në përpjekje me Bullgarët.

_____________________________


Bibliografia:

Libra:

1.      Agim SPAHIU, "Kurpalët”, Tiranë, 2000;
2.      Pjetër B. GECI,“Ramë Binaku i Dashinocit”, 2007;
3.      Faton M E H M E T A J, “Qel Shabani i Becit” , jeta dhe vepra atdhetare,  Prishtinë, 2006;
4.      Tafil BOLETINI, “Pranë Isa Boletinit&Përballë sfidave të kohes”, Kujtime, Tiranë, 2003;
5.      Hasan PRISHTINA, Dokumenta, 1908-1934, Tiranë 1982;
6.      Faton MEHMETAJ, Fetnete RAMOSAJ, Enciklopedi- “Deçani”, 1997;
7.      Bajram MEHMETAJ, “Ramë Binaku-dyzetë vjet me çetat…”1994;
8.      Nexhat Çoçaj, “Hasi Enciklopedi Etnokulturore II”, 2014, fq. 347;
9.      Besim MUHADRI, “Tradita Hasjane e shkrimit Shqip”, Prishtinë, 2009;
           11.  Sejdi DIDA, “Gjurmime etnogjuhësore në krahinën e Hasit”;
          12.  Dokumente Ruse për lëvizjen Kombëtare Shqiptare me 1912”, Prishtinë 2006;

Shkrime:                                                               
          1.      Besim MUHADRI “Bajram Sylë Kurpali - Legjenda Hasjane e Tetëmbëdhjetë Plagëve”;
          2.      Sejdi DIDA, “18 plagët e kreshnikut Hasjan Bajram Sylë Kurpalit (1878-1964)”;
          3.      Besim R. CENGU,  'Kurpalët' e Agim Spahiut, Monografi me vlerë historike dhe letrare, publikuar                me dt.11.01.2013, Pashtriku.org;
          4.      Fehmi Kelmendi, “Ramë Binaku i Dashinocit”;
          5.    Isuf  MESHI, “Mbi konceptin  e  dashurisë,  trimave dhe trimërisë” , publikuar me dt. 11.03.2013,                “Nacional”;

Gazeta:

         1.      Gazeta “Kukësi i ri”, 15 janar 1986
Adresa:                     

 web: ramebinaku.weebly.com;




[1]Kjo pjesë është marrë nga vjersha që nga mbetur nga kujtesa popullore, po ashtu edhe sot për Hazir Kurpalin janë ruajtur dhe përcjellur brez pas brezi, këngë, histori, bema që këndohet e ruhen si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri (Has, Malsi, Gjakovë). Në vargun e fundit, zakonisht haset edhe trajta tjeter Hazir Syla i Kurpalit, por ne kemi zgjedhur trajten e parë;
[2] Pjetër B. Geci,“Ramë Binaku i Dashinocit”, 2007;
[3] Shih: Prof. Fehmi Kelmendi, “Ramë Binaku i Dashinocit”; Më gjërë webin: ramebinaku.weebly.com;
[4] Agim Spahiu, "Kurpalët”, Tiranë, 2000, fq. 25;
[5] Nexhat Çoçaj, “Hasi Enciklopedi Etnokulturore II”, 2014, fq. 347;
[6] Gazeta “Kukësi i ri”, 15 janar 1986;
[7] Shih Telegramin drejtuar Ministrise së Punëve të Jashtme Sankt-Petersburg nr.155 AVPR, AIH, R29 nga diplomati A.N. Elmenjalov, nënkonsullata e  Perandorisë Ruse në Prizeren; “Dokumente Ruse për lëvizjen Kombëtare Shqiptare me 1912”, Prishtinë 2006;
[8] Shih Hasan Prishtina Dokumenta, 1908-1934, Tiranë 1982;  Hasan Prishtina, “Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912, Shkoder 1921, fq-5-29;
[9] Më e veçanta është kenga që kendohet nga Rapsodët e Hasit: “Djemt e Hasit n’kulla t’bardha”. Gjithashtu, në Kosovë, kemi kengen që njihet si: “Kenga e Hazir Sylës”;
[10] Isuf  MESHI, “Mbi konceptin  e  dashurisë,  trimave dhe trimërisë” , publikuar me dt. 11.03.2013, “Nacional”;
[11] Besim R. Cengu,  'Kurpalët' e Agim Spahiut, Monografi me vlerë historike dhe letrare, publikuar me dt.11.01.2013;
[12] Kurpalet, veper e cituar, fq. 57;
[13] Besim MUHADRI “Bajram Sylë Kurpali - Legjenda Hasjane e tetëmbëdhjetë plagëve”, “Tradita Hasjane e shkrimit Shqip”, Prishtinë, 2009, fq. 191;
[14] Kënduar në festivalin Folklorik, viti 1983;
[15]Faton MEHMETAJ, Fetnete RAMOSAJ, Encikoledi- “Deçani”, 1997
[16] Tafil BOLETINI, “Pranë Isa Boletinit&Përballë sfidave të kohes”, Kujtime, Tiranë, 2003, fq. 235.
[17] F. M e h m e t a j, “Qel Shabani i Becit – jeta dhe vepra atdhetare”  Anatema, Prishtinë, 2006, f. 87- 88.
[18] Kurpalët, vep e cit, fq. 138;
[19] Faton MEHMETAJ, Fetnete RAMOSAJ, Enciklopedi- “Deçani”, 1997, fq. 3, & 138-9;
[20]  “Kurpalët”, vepër e cituar, fq. 64;

Thursday, December 19, 2013

Mbijetuan për të treguar të vertetën! “Bogujevci – histori vizuale"


Saranda, Jehona dhe Fatosi
Gjallë, për të treguar të vertetën!

Man POGA

Këto ditë dhjetori prag festash, anëkënd europës ka atmosfere festive. Beogradi, aq më tepër është zbukuruar edhe më shume sivjet, uguri i mirë i erdhi nga BE, së shpejti do të hapen negociatat për caktimin e datës për antarësim të Serbisë në BE me të drejta të plota.
Në krahun tjeter, Prishtinë, gjithcka është ok, të rijtë e pas luftes ’99 duket se e kanë tejkaluar të shkuarën e dhimbshme…, ata janë zbukuruar sa më ska,  dhe enden nëpër shitoret e kryeqytetit për të blere një dhuratë për fundvit.

Saranda, Jehona dhe Fatosi, nuk festojnë. Janë të tre në Beograd për të festuar frymën që jua fali zoti për të dyten herë, për të dëshmuar një histori jo vetëm familjare por kombëtare, mu në zemrën e kryeqytetit që 14 vite më parë yshti, dhe turri me egersi ushtrine dhe policine paramilitare drejt popullatës Shqiptare në Kosovë.

Prania e tyre ka befasuar këdo në Serbi, shumë dolën në protesta, por në ftyrat e Sarandës, Jehonës dhe Fatosit ka dinjitet, kurajo, bardhesi, janë të ftohtë në përgjigje, intelegjentë deri në skaj me çeljen e ekspozitës “Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës”. “Për ne është shumë e rëndësishme që jemi këtu. Kemi ndjenjën se e kemi pasur të shkruar të mbijetojmë për të treguar historinë tonë, për të treguar të vërtetën:- thotë Saranda përpara medias Serbe dhe të pranishmeve në ekspozitë, mes tyre dhe Kryeministi Daçiq.


Ata përkujtojnë 14 pjestarët e familjes që nuk i kanë më. Sepse në 1999 (Mars), në Podujevë, pjesëtarë serbë të formacionit “Shkorpionët” vranë 14 persona të familjes, në mesin e tyre gra dhe fëmijë. Pesë fëmijë të plagosur rëndë mbijetuan, në mesin e tyre edhe Saranda, Jehona dhe Fatosi.

Fatosi

Saranda, Jehona dhe Fatosi, këta ëngjej, si dhuratë për prinderit dhe familjarët e tyre të ndjerë kanë përkujtimin ndaj tyre, kanë vetedijen e madhe se janë gjallë për të treguar krejt botës historine e tyre të dhimbjes, historine e vertete të ëndrave dhe lumturisë së prerë në mes nga dora e përgjakur që akoma nuk kërkon falje, anipse Europa sapo i  dha një ok tjetër për antarësim në bashkesinë e vlerave demokratike…!
Saranda, Jehona dhe Fatosi, janë gjallë për ta na kujtuar dhe ne, se harresa nuk duhet të mbulojë historitë e dhimbshme të mijra familjeve të Shqiptarëve të Kosovës, që po përjetojnë akoma traumat e luftës... Janë gjallë, për t’i dhënë mesazhin e madh edhe Europës…se Shqiptarët janë viktima jo agresori.., Janë gjallë, për të dhënë mesazh edhe Prishtinës zyrtare, se e verteta duhet dëshmuar, (akoma s’ka një muze për krimet e luftes).

Ata janë gjallë per ne, për të na treguar të vërtetën.
Botuar ne gazeten "Tirana Observer" dt. 20.12.2013

Thursday, November 28, 2013

Flamuri që na vlon gjakun!








Gezuar 28-29 Nëntorin!
Cdo vit kur afrojnë ditët e bardha të 28-29 nëntorit, me vlon gjaku. Në mendime më vijnë si para syve, historite e lexuara, tregimet e mocme të përcjella brez pas brezi e deri te ngjarjet historike që i kam parë e perjetuar vetë në "99 kur pjesën më vitale të kombiit tonë e shkleli sllavi. Kombi ynë ka vuajtur shumë për të arritur këto ditë të bardha. Edhe sot në ballkonin tim do të valëvitet flamuri kuq e zi, si kujtim dhe mirënjohje për të gjithë deshmorët e lirisë; Të 1912-tës, 1945-sës e deri të deshmorët e "99-tës...!

Përulem me respekt para të gjithë familjeve që dhanë kontribut ndër shekuj për çeshtjen Kombëtare Shqiptare. Ata janë të bekuar. Siç e djej veten dhe unë që i përkas një familje që sa herë vijnë këto data të shejta e çon kryet përpjetë....!
Që i përkas një visi të lashtë të Hasit, që në të gjitha betejat, kuvendet, ditët kur kombi e deshi, si shqiponjë u ngrit, gjithmonë u nda faqebardhë në betejë e nuk la marre mbrapa.

Stërgjyshi dha kontribut në luftërat e 1912-tës, në 1913 u plagos në përpjekje me serbo-malazezet; Gjyshi Man bashkë me të vallain Ismailin, themeluan dhe drejtuan çetën e Hasit. Më pas batalionin "Hakmarrja" krijuar në Krumë të Hasit, e drejtoi Komandant Ismail POGA, i cili bashke me trimat e Hasit mori pjesë në luftime kundër pushtuesit deri në "gur të shpum", kufiri natyral i Shqipërisë; Në '99 dihen kontributet e familjes para dhe gjatë luftes, sidomos i nën/kolonel Sokol Pogës, historia do të shkruajë....!

Gëzuar festat miq!

Le të valëviten në ballkonet tona, mendjet tona, zemrat tona, flamuri që na bën të vlojë gjaku- flamuri kuq e zi!!!

Man POGA


28.11.2013

Friday, November 1, 2013

Beteja e fush-kosovës, pikënisje e mitit Serb mbi Kosovën!


Man POGA

Botuar në gazeten "Tirana Observer" 05.11.2013

Edhe pse kjo betejë u bë në vitin 1389, serbët e nxorrën nga arkivi rreth shek XIX si ngjarje, nga ku gatuan pastaj atë përrallë historike që viktimizon kombin serb, si gjoja humbës perballë osmanëve duke shtuar “argumentin” se shqiptaret erdhën në Kosove pikerisht në këtë betejë si aleat të Osmanëve. Pikerisht, për këtë argument, me shkatërrimin e Perandorisë Osmane gjatë fillim shek XX këto territore duhej ti ktheheshin Serbise...si gjoja toke serbe!

Kjo tezë ështe ritrajtuar edhe tani, duke spekuluar mjaft, me përkatësinë etnike të Kosovës, ku disa e quajnë Turqi, duke sjellur në kujtesë fenë…, disa e quajnë serbi duke sjellë në kujtesë betejën e vitin 1389 në fush-kosovë.  Ndërkohë faktet historike dëshmojnë të kundërtën!


***

Me vdekjen e sunduesit Car Dushani (1355) shpërthyen mospajtimet e brendëshme në shtetin serb. Ndërkohë në palcën shqiptare ngritën krye fisnikë shqiptarë të cilët duke nuhatur dobësimin e serbisë nuk ngurun për të rifituar territoret e humbura më parë, konkretisht në Zetë e në shqipërinë e epërme u fuqizuan së tepërmi Balshajt, në verilindje e në shqipërinë e mesme Dukagjinët e Kastriotët. Në jug aleanca shqiptare e krijuar nga Karl Topia e Gjin Bue Shpata korrën një fitore të lavdishme në luginën e Ahelout ne vitin 1358, kundër Niqofor Angjelos (dhënder i Stefan Dushanit),  i cili kishte në ketë betejë kishte si aleat serbet, të udhehequr nga prijësi serb Th. Preljuboviç. Mbas kësaj fitore Princat shqiptar zoteruan Etolinë, Akarnaninë dhe periferine e Artës.

Në territore të tjera sundimi u përtërit me elemetin Serb nëpërmjët se cilës do të shohim se në  luginën e Moravës, u vendos Llazar Hrebelanoviqi, ndërsa  në pjesën e kosovës së mirfilltë,  rrethi i Prishtinës, Vuciternës dhe  i Zvercanit u vendos pushteti i Vuk Brankoviqit. Gjatë gjysmës së dyte të shekullit XIV në horizontin ballkanik u shfaq rreziku osman. Depërtimet osmane në thellësi të gadishullit sa vinin e bëheshin edhe më kërcënuese, kësisoj princat e ballkanit e panë vetën të bashkuar para këtij rreziku të madh që po u kanosej, e që ishte më afër se kurrë. Fati politik i kësaj hapësire, në rrethana te reja do të vendosej në Kosovë e pikërisht në fushen e mëllenjave. 

Tashmë zot  i dy të tretave të Azisë se Vogël, Sulltan Murati iu kthye me të shpejtë përqëndrimit për zgjerim në Ballkan sepse pritej  fushata e programuar prej tij. I nisur nga Filipi, ai nuk shkoi drejt Sofies as drejt Nishit, ku e prisnin Llazari dhe Tvërokja, por drejt Velbuzhdit (Kjustendil), prej ku mbërriti në fushën e Kosovës –Kosovo polje -në afërsi të qytetit të sotem te Prishtinës. E sigurt ështe se në këtë betejë  ushtria e Muratit ishte e përforcuar me kontigjentët e vasalëve të tij të krishterë: Kostandini, princi bullgar i Velbuzhdit, serbi Marko Kraljevic, armik i Llazarit, ndër to mungonte basileusi Jovan V, që s’ishte në gjendje të mobilizonte trupa.[1]  


Përballë ishin rreshtuar ushtritë e princit Llazar dhe të mbretit Tvërtko të cilët ishin përforcuar me kontigjente Vllahe të Vojvodës Mircea dhe nga Shqiptaret e Gjergj Balshës dhe të Dhimitër Jonimës. U fol për 10.000 vetë nga njëra anë dhe për 60.000 vetë nga tjetra duke I kthyer shifrat sipas burimeve osmane ose kristiane.[2] Beteja përfundoi me pasoja për aleancen ballkanike ata u thyen bashkë me shpresën për të ushtruar më gjatë e në mënyrë sovrane pushtetin e tyre mbi territoret e principateve.

II
Veç të tjerash ngjarja mes serbëve dhe shqipëtareve përceptohej në mënyren e gjithë se cilit. Rapsodët kishin nisur ndërkaq fillimet e këngëve të tyre secili në gjuhën e vet. Ato ngjanin me këngët e hershme, madje dhe fjalët ishin po ato. Pleqtë serbë këndonin: O ç’po bëhen gati të na mësyjnë shqiptarët dhe po ashtu lahutarët shqiptarë: Ngrehuni burra, se po ia bëhin shkjetë.[3] Në këto këngë epike lahutare, bie në sy lartësimi i dy figurave kryesore që përkojnë më ngjarjen.
  

Në epikën Shqiptare, lartësohet fort, epërsia, dukja dhe trimeria e heroit te luftës Milosh Kopiliqit, nëpërmjet së cilës ngrihet lart akti i tij historik, ai i vrasjes së sulltan Muratit në qadrën e tij pak pas mbarimit të betejes. Ndërsa në epikën serbe ngrihet lart figura e mbetit Lazar, qe shkon deri në legjendë. Ai u kthye në hero dhe shenjëtor,  kësisoj siç e donin rregullat edhe jeta e tij, filloi të përshkruhej në frymën e vuajtjeve të Krishtit. Megjithse të tërheq vemendjen fakti se tradita popullore serbe për Milosh Kopiliqin është fare e varfër. Kjo heshtje përcillet  me shekuj. Për të do të flitet vetëm në dy shekujt e fundit atëherë kur nis të krijohet miti serb i Kosovës[4]. Serbët pretëndojnë edhe këtu mbi përkatësinë etnike të këtij heroi.

Në lidhje me përmbajtjen dhe origjinalitetin e epikes serbe, ngelët shumë për të dyshuar duke marrë parasysh edhe vendin apo periferine ku janë mbledhur këto këngë. Vuk Karaxhiqi[5] thotë se dhjetë nga njëmbëdhjëtë këngët të betejës së Fushë-Kosovës, i ka mbledhur në një lokalitet të veriut në Srem, ndërsa të njembëdhjetën në Karlovac të Kroacisë. Për kundër, këngët shqiptare janë regjistruar në vatrën e ngjarjeve, ose në rrethina të afërta me to ku organisht bashkë më këngët jetojnë edhe Shqipëtarët sot e asaj dite si: në  Fushë-Kosovë,  Drenice,  Prishtinë,  Pejë , Rugovë, Ferizaj,  Has, etj[6]. Kështu në Serbi u krijua një epos që në Evropën perendimore arriti të fitojë edhe admirimin e vetë Getës. Këtyre këngëve iu mungonte edhe baza tjetër historike, heroi kryesor Marko Krajleviç, që në të vërtetë ishte një bashkpunëtorë i deklaruar i osmanëve, e që në betejën e Fushë-Kosovës ishte përkrah tyre, megjithatë u vazhdua të “besohej” në historitë e pasqyruara në këngë deri në ditët e sotme.


Nëpermjet këtyre këngëve epike u krijua një mitologji. Serbët rrekën të argumentojnë se mu në këtë vit, në këtë betejë daton fataliteti i mbretërisë se tyre, kjo sipas tyre për faj të shqiptarëve të cilet ishin përkrah Turqëve. Nëpërmjet kësaj mitologjie serbët i mëshojnë idesë së shqiptarët  janë të ardhur bash në këtë kohë, dhe nuk kan luftuar kundër pushtuesve turq,  por ata kanë ndihmuar këtë perandori duke shërbyer në të.[7] Në fakt në çdo perandori, për vetë natyren e tyre, çdo popull shërben në administratën e saj, sikurse çdo popull lufton pastaj për pavarsinë e tij. Shqipëtarët e dëshmuan me luftra të përgjakshme edhe kundërshtine ndaj pushtimit Osman, vetë periudha e lavdishme e Gjergj Kastriotit e dëshmon ketë. Serbët ngritën kultin famëkeq se Kosova është djepi i Serbisë e shkojnë deri aty sa citojnë se Kosova është “Jeruzalemi Serb”.[8]
 
E gjithë kjo filozofi zuri fill në 28 qeshor 1389 ku daton edhe beteja e famshme mes aleancës ballkanike në njërën anë dhë Osmanëve në anën tjetër të udhëhequr nga Sulltan Murati. Por kjo betejë do te marri trajta vërtet historike, patetike, e nacionaliste për serbët gjatë shekullit XIX, ku edhe shikohej renia e Perandorisë Osmane e gjithsesi duhej gjetur nje ideologji për te aneksuar trojet shqipëtare që gjendeshin brenda perandorise duke e ashtëquajtur legjitimim historik të serbëve mbi Kosovën. 

Dhe me së miri ishte ideologjia serbe e shekullit XIX ajo që krijoi kultin e Betejës Mesjetare të Kosovës, si një lloj ngjarje historike e vetpërcaktimit nacional dhe shpirtëror .[9] 

III
Popullsia e Kosovës, në gjysmën e dytë të shek. XVI dhe në shek. XVII për shkak të pushtimit nga Perandoria Osmane, një pjesë e konsideruar e popullsisë shqipëtare islamizohet dhe si rrjedhim, një pjese e antroponimisë së saj shndërrohet në antroponimi të sferës fetare islamike. Identiteti kombëtar shqipëtar u ruajt fort sepse nuk përfaqësohej me fenë sikurse fqinjët, (Serbët dhe Grekët- M.P) por thellë me identitetin Shqiptar i cili nuk diktohej nga përkatësia fetare.
Prania e popullsisë shqiptare në  këtë  kohë përbën në vetvete një dëshmi të pakundërshtueshme, që provon se ajo ekzistonte aty edhe në periudhën e sundimit mesjetar rasian-serb, se ishte autoktone dhe vazhduese e popullsisë së dikurshme ilire, se me sukses i kishte bërë ballë procesit të sllavizimit gjatë shekujve XII-XIV ne sajë të këtij virtyti të veçantë.

Përveç kësaj, për islamizimin e popullsisë shqiptare vepruan edhe faktorë të tjerë ekonomikë e social-politikë. Ku shumë faktorë ekzistencial dhe jetësorë lidheshin me pasjen e fesë myslimane, si p.sh, mbajtja e armës , shtimi, mbajtja, trashegimi i pronës, si dhe karriera ushtarake vareshin nga përqafimi  ose jo i fese myslimane. Megjithatë disa parime janë te kristianizmi si themel, ndërsa disa janë te muslimanizmi si supërstrukturë mendimi dhe sjellje.  Të parat vlejnë si traditë dhe edukatë historike, të dytat si formë konkrete të përshtatjes në rrethana të reja historiko-konkrete ku imponimi i islamizmit ka në themel tezën e konvertimit.[10]  Në këtë periudhë kohore, ku populli shqipëtar qëndroi podhuajse për 500 vjet nën pushtimin Osman u shenuan shumë ngjarje e rrethana historike të cilat pasqyrojnë rëniet dhe ngritjet gjatë këtyre shekujve. 


Trojet shqipfolëse u ndanë në katër vilajete, ku mes të tjerash me ndarjen administrative osmane në 1871, u krijua edhe  vilajeti i Kosovës me qendër ne Shkup. Sipas regjistrave e statistikave zyrtare osmanë ky Vilajet  kishte 840.000 banorë.[11]  Një vilajet ky mjaft i gjërë për nga shtrirja por edhe për nga popullsia, ku  pjesa dërrmuese ishte Shqiptare.

Në tërësinë e kesaj pjese administrative  së bashku me Sanxhakun e Nishit, Vilajeti i Kosovës përfshinte në gjirin e vet troje të tjera  etnike shqiptare. Këtë e pohojnë, midis të tjerëve, tre vezhgues të huaj, të cilët disa dekada përpara Kongresit të Berlinit, i vizituan këto troje. Që te tre këta vëzhgues, njohës të mirë të Gadishullit Ballkanik, studjuesi erodit freng, Ami Boue më 1810, analisti i m’prehtë britanik E. Spenser më 1847 dhe shkencëtari i njohur austriak J. Hahn më 1853, kishin dhënë në mënyrë të përafërt edhe konturet e trojeve ku shqiptarët ishin të pranishëm në kohën e tyre.

Sipas tyre, shqiptarët ishin të pranishëm në “Veri deri në Nish, Leskofc dhe Vranjë, në Lindje deri në Kumanovë, Prelep dhe Manastir, në Jug deri në Konicë, Janinë dhe Prevezë, pa qenë nevoja të përsëritet se në periferi të kësaj treve kishte përzirje etnish, ku shqiptarët formonin diku pakicën përball etnive tjera.[12] 

Për fund!

Kur Perandoria Osmane po tronditej thellë në rrenjët e veta. Serbët nxorën nga antropopsikikja e tyre mitin për Kosovën. Por kësaj rradhe me një program të detajuar e me ideator shtetarë e akademikë. Një platformë të tillë themeloi Ilia Garashani Ministër i Brendshëm i Serbisë në vitin 1844, e që njihet platforma e parë politike e detajuar e qarqeve drejtuese të Beogratit, njeherësh dhe baza ideologjike e programit shovinisht të “Serbisë së Madhe”.[13]  Si synim kryesor i autorit ishte plotesimi i detyrave të përcaktuara nga car Stefan Dushani të cilat qenë nderprerë nga beteja e Kosovës e vitit 1389. Në këtë menyrë rikrijimi i Perandorisë Serbe arsytohej si e drejtë historike, të cilët ngelej për ta përfunduar sundimtaret e shekullit XIX. E gjithe kjo devize politike u mbështet e u propogandua në baza mitike, folklorike e asesi shkencore, nga ku  u mobilizuan një grup i tëre akademikësh gjatë ty shekujve për të ushqyer, argumentuar, e mbështjellur me të ashtëquajturen argument shkencor ketë arsytim mesjetar. 


Por, siç thekson edhe S. Pulaha kjo “shkencë” nuk ka pasur për bazë normat dhe moralin shkencor, të vërtetën shkencore, por vetëm interesat e politikës së ditës, politikës anti-shqiptare. Shkencëtarët e tillë përpiqen që me çdo kusht ta mohojnë prejardhjen ilire të shqiptarëve. Ata kishin vetëm një qëllim të caktuar - mohimin e së kaluarës historike etnike të shqiptarëve, falsifikimin e historisë dhe të autoktonisë së tyre.[14] Prandaj ky mit do të bjerë shpejt dhe Kosova do të shohë driten e vet historike kur bota do të njohë të verteten- se Kosova s’është asgjë tjeter veçse shqiptare! 
___________________________________________________________________________________
[1] Castellan, G, “Histori e Ballkanit”,Cabej, Tiranë,1991 fq, 66
[2] Castellan,G. Vep e cit, fq, 67.
[3] Kadare,I, “Tri Këngë Zie Për  Kosovën”, Onufri, Tirane, 2005,fq, 22.
[4] Prof.dr. Qamil Haxhihasani,” Beteja E Fush-Kosovës  (1389) Në Epikën Popullore Shqiptare”. Botim nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë; Beteja E Kosovës 1389 (Përmbledhje studimesh), fq, 160.
[5] Mbledhës, studiues i epikës folkloristike popullore  Serbe.
[6] Prof.dr. Qamil Haxhihasani, Beteja E Fush-Kosovës  (1389), Në Epikën Popullore Shqiptare. fq, 155.
[7] Jasminka Udoviçki & James Ridgeëay ,”Yugoslavia’s Ethnic Nightmare”: fq, 28
[8] Bytyç Enveri,”Shqiptarët, sebët dhe grekët”, Koha, Tirane,2005, fq, 18-19.
[9] Malcolm, N, “Kosova një Histori e Shkurtër” , Revista Koha , nr 11, datë 15 maj 1999, faqe 41.
[10] Kabo Përparim, “Autoritarizëm Në Tranzicion”, Plejad,Tirane,2006, fq, 48.
[11] Akademia e Shkencave, vep e cit, fq, 84.
[12] Prof. dr. Kristo Frashëri, Kosova historike dhe Kosova e sotme, Konfrenenca e Bujanit, ASH e RSH dhe IH në Tiranë, Sesion Shkencor kushtuar 55 vjetorit të Konferencës së Bujanit, mbajtur në Tiranë, më 20 janar 1999. Cituar nga  Dr.Jusuf Osmani, Kolonizimi Serb I Kosovës, fq, 10.
[13] “Naçertanije”, in “Delo”, Beograd, 1906 (përkthim shqip nga H. Bajrami në, Ilia Garashanini dhe politika e tij shtetërore 1844-1874, “Vjetar-Godisnjak, XXIV/88, Prishtinë, 1988, fq, 127-137. Shih edhe: M. Verli, Kosova Sfida Shqiptare Në Historine E NJë Shekulli, Tiranë 2007, fq, 19.
[14] Selami Pulaha, “Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shekujve XV-XVI”, Tiranë, 1984, fq. 4.