MAN POGA

Fjala e arsyes, ndjenja e zemrës!

Hyrje

Friday, March 28, 2014

HAZIR SYLË KURPALI
1874-1913
PROFILI I NJË ATDHETARI TË LËNË NË HIJE!

Nga Man POGA

Kush po shkon përpjetë çarshisë?!
Hazir Syla i Shqipnisë
Kush po shkon përpjetë sokakit?!
Hazir Syla djali i Hasit[1]

Populli

Fati e deshi që ashtu rastësisht gjatë punës sime të përditshme kërkimore për çeshtje e tema krejt të tjera, më ra në dorë një libër historik, monografia me titull:  “Ram Binaku i Dashinocit” [2]. Në vija të përgjithshme në këtë monografi shkruhej me lavde për Ramë Binakun (1888-1961), ku i vishesin merita të medha kësaj figure historike nga Komuna e Gjakovës, deri atë çast i panjohur për mua. Mes të tjerash, në hyrje të kitij libri por që e hasa pastaj edhe në shkrime e studime të tjera, me ra në sy një paragraf që jepte disa të dhëna mbi fillesat e aktivitetit luftarak të subjektit, citoj: “Lule Hajdari, nipin e saj, Ramë Binakun 17 vjeçar, e dergon tek Ahmet Begu babai i Bajram Currit, prej të cilit kërkoi ndimë për të mundur me e regjistrue në çetën e Hazir Sylës i cili rrjedh nga familja Kurpali-Shqipëri [3].
Më mjaftoi ky paragraf  që të më grishte, të ma prishte qetësinë, t’i lë menjëanë projektet e tjera, të më nxiste që të kërkoja më tej në skutat e historisë, në mënyrë që të ndriçoja sadopak profilin e Hazir Sylë Kurpalit, e në terrin e historisë së Hasit, të ndez një qiri të vogël. E si mund të lihet një kapedan i tillë pa as edhe një artikull, të paktën, kur për një antar a pjestar të çetës së tij ka libër monografik?!-mendoja me vete.
Eh! Në këtë gjendje është katandisur historigrafia e visit të Hasit. I cili ka prodhuar me shumicë histori në çdo shekull, ka nxjerrë kapedana, komandanta, heronjë e dëshmorë me shumicë por shkrimtarë (historianë) jo…për me e shkru të verteten-historinë. Ndaj asht bjerrë historia, aq sa, shumëkujt (ndoshta dhe disa hasjanëve të sotëm...), ju asht mush mendja që Hasi nuk ka histori, nuk ka pasë prijsa që i kanë dale zot vendit të vet, kombit të vet, në kohë e fate te zeza kur visi a Kombi i lypi!  Paj, e vërteta është se, veç pak “koren e kohës” me ja heq historisë së visit të Hasit, kemi me gjetë kuvendarë e prijsa, trima e dëshmorë, shtetarë e fisnikë të naltë, klerikë e arsimtarë ndër shekuj, sa s’na ka pre menja…! Një nga ta, prijs e trim që gjalloi rreth shekullit XIX-XX është sot e gjithë diten patrioti Hazir Sylë Kurpali (1874-1913).

HAZIR SYLË KURPALI
VENDLINDJA

Hazir Kurpali lindi me 1874[4] në Letaj, pinjoll i familjes së madhe e të njohur Kurpali nga Hasi. Familje e cila dha kontribut të madh në çeshtjen Kombëtare Shqiptare. Kulla e tyre, duke qenë buzë grykës së qaf-prushit, ishte në kontakt me shumë patriotë e atdhetarë të shumë trevave Shqiptare. Letajt, si emertim fshati na del qysh me 1415, ngjarjet historike na tregojne se Letajt në shek XIX ishin një nga vendbanimet me ne zë të Hasit, por dhe të Malsisë. Ndër betejat ku shquhen shumë Hasjanët e në veçanti nga Letajt mund të përmendim luften e vitit 1887, në këtë luftë u shquan Ahmet Zeneli, Keç Ademi, Myftar Syla dhe Ali Hoxha. Ne luften Turke të 1912, Bajram Sylë Kurpali dhe Rexhe Mehmeti[5] Letajt dhe Qaf-Prushi si grykë, nga pikpamja gjeografike janë mu në udhëkryqin ku pikëtakoheshin historikisht, pushonin një cope here, karvane tregtare, tregtar e prijës, patriot e njerëz të thjeshtë nga vise të ndryshme shqiptare, duke filluar nga Kruma e një pjesë e mire e Hasit, Bytyqit dhe e Va-Spasit (nga vinte Puka e Shkodra), prej nga nxirrnin krye pastaj për të dalë përballë Gjakovës për punë minutash. Fillimisht lëvizej për çeshtje tregtie, pune administrative etj., por jo vetëm. Gjatë fillimit të lëvizjes Kombtariste e sidomos gjatë Lidhjes së Prizerenit lëviznin patriotë e  ideolegë me za nga Shqipëria drejt Kosoves, e anasjelltas nga Gjakova, Peja e më gjerë në drejtim të Hasit, Bytyçit, Pukës, Shkodres... per te mbajtur ndezur  e shpërndarë sa me shumë flakën e atdhedashurisë! E tek kjo kullë si në çdo kulle të Hasit, ata gjeten ndezur zjarrin e atdhedashurisë, shtruar sofren e bukes, e thatë barutin e luftes…!
NDIKIMI FAMILJAR NË FORMËSIMIN PATRIOTIK DHE ATDHETAR

Nëpër kohë bijtë e kësaj familje janë shquar për patriotizem, ata ranë në kontakt dhe bashkëpunuan me ideologë, luftetarë e patriotë të livizjen Kombetare Shqiptare si Asim Vokshi, Haxhi Zeka, Hasan Prishtina, Bajram e Hysni Curri, Isa Boletini, Azen e Shote Galica e shumë e shumë të tjerë. Syl Kurti ka marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, në aksionin e Gjakovës, e në të gjitha veprimet luftarake të mëpastme. Në total 8 djem të kësaj dere kanë dhënë jeten për atdheun dhe 5 të tjerë janë plagosur[6]
Kulla e tyre u bë qendra kryesore mbështetëse e kryengritjes shqiptare kunder Osmaneve sidomos në kryengritjet e viteve 1900-1912-tës, ku në Qaf-Prush u bënë beteja të përgjakshme. Sipas të dhënave autentike që na jep direkt shumë afër nga vendi i betejës diplomati A.N. Elmenjalov asokohë i ngarkuar me punë në nënkonsullatën  e  Perandorisë Ruse në Prizeren, nëpërmjet një telegrami drejtuar Ministrise së Punëve të Jashtme Sankt-Petersburg, raporton se: “me 27 Qeshor / 10 Korrik 1912, kryengritësit e Hasit, të Gashit dhe të Bytyçit, nën drejtimin e Bajram Currit, goditën katër batalione të përqendruara në Qafën e Prushit. Forcat qeveritare u thyen keq, duke lënë në duart e shqiptarëve municione, armë, mitraloza e topa, që u përdorën për armatosjen e kryengritësve. Ata lanë gjatë këtij luftimi 300 të vrarë, të plagosur e robër lufte”[7] Suksesi i kryengritësve në Qafë të Prushit ushtroi ndikim në popull dhe, siç shkruante direkt nga Stambolli Hasan Prishtina: “i dha një shtytje të fuqishme lëvizjes së armatosur edhe në viset e tjera. Kjo fitore bëri të aktivizoheshin edhe elementët opozitarë në radhët e oficerëve të garnizoneve ushtarake në viset verilindore e lindore të Shqipërisë[8] Për kontributin e tyre gjatë përfshirjes në çeshtjen Kombëtare janë ruajtur dhe përcjellur brez pas brezi, këngë, histori, bema që këndohet e ruhen si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri (Has, Malesi e Gjakovës, etj), kënge që janë kënduar jo  vetem ne oda por deri në Festivale Folklorike.[9]
Kesisoj, edhe Hazir Syla nuk kishte si të dilte ndryshe, ambjenti ku u rrit dhe u formua ishte i gatuar nga shqiptarizma, qe kur lindi deri sa vdiq, jeta e tij i shkoi në betejë. Sepse i tillë ishte fati i Kombit, betejë për mbijetesë nga asimilimi..! Ai e vazhdoi me tej lidhjen e familjen e tij me figurat me te shquara të kohës që punonin për çeshtjen Kombëtare. Fati i tij ishte lufta, ashtu si e gjithe familja e tij që ishte e përfshirë kryekreje në lëvizjen Kombëtare Shqiptare, i ati  ashtu dhe vellezerit e tij kishin marre pjese ne beteja e kuvende, duke filluar qysh me reformat e tanzimatit, Lidhjen Shqiptare të Prizerenin e deri tek Kryengrita e Pergjithshme për Pavarsinë Kombëtare Shqiptare. Nga Kulla e tyre kanë dalë nëpër kohë shumë trima, si Haziri, Avdia, Zymeri, Dërvishi, Bajrami, Selimi etj, ndër to cilësoheshin si: prijsit shumë të njohur të barakut të vogël të Hasit, Haziri, Bajram, e vllazëris “Kurpali” – kështjella e Konaku i luftëtarve të lirisë, në pikën më nevralgjike “Qaf e Prushit”[10] Siç vëren gjithashtu studiuesi Besim R. Cengu: kjo kullë, nuk ngjasonte me një shtëpi banimi. Më shumë qe një institucion që lindte e skaliste lufëtarë. E pastaj nëpërmjet tyre përhapte pareshtur nëpër historinë tonë të vështirë patriotizëm dhe atdhedashuri.[11]


Muzeu i gjallë dhe dëshmia e përpjekjeve të kësaj kulle ishte trupi i Bajram Sylës, stolisur me tetëmbëdhjetë plagë në trup. Pas vdekjes së Hazirit, Bajrami do të vazhdonte me tej lidhjet me patriot e ideologë të lidhjes, për të si trim dhe luftetar i madh, (ndryshe nga Haziri), janë shkruar shumë artikuj e studime. Studiuesit Sejdi DIDA, Agim SPAHIU dhe Dr. Besim MUHADRI e kane cilesuar Bajram Sylë Kurpalin me epitete si: “Njeriun e miqësuar me plumbat”[12],  “Legjenda Hasjane e 18 plageve”[13] etj. Për të njohur dimensionin e vertetë ku u rrit dhe u brumos Hazir Kurpali na jep me tej shpirti krijues hasjan i cili i ka përshkruar në grup, vllazërimin Kurpali, ku përmenden me rrallë Bajrami, Haziri, Avdia dhe Zymeri, përcjellë në këngën e njohur “Djemt e Hasit”, këngë e cila përkujton betejen e lavdishme të Qaf-Prushit:
Djemt e Hasit n’kulla t’bardha
Me pushkë n’dorë i ka le nana
N’kullë t’Kurpalit, shtiz flamurit
Prush asht ba themel’ i gurit
Bajram Syla gjallë s’po kapet
Asht ma i vogli n’katër vllaznit
Shqipja e vogël me 18 plagë
Po pisket o nëpër flake
Ka Hazirin, ka Avdinë
Kur lshojnë za dridhin Turqinë
Ka Zymerin lule t’motit
Oso Kukë n’kullë t’barotit
Veton Hasi Ishon rrugë
I thotë Hasmit-mor ku je?
Luftë e dasëm shortet e mija
Nji bajrak kam për te dyja[14]

NË LUFTË DERI NË DITEN E MBRAME
NGA PLAVA-GUCIA NË QAF-PRUSH, NGA KAÇANIKU NË SHKUP

Hazir Kurpali ishte një prijës i lindur, ai ja kishte arritur që të themelonte e drejtonte në moshë të re nje çetë mjaf aktive e cila la gjurmë të pashlyeshme në kronikat e kohes e ku aktiviteti i dendur luftarak shtrihej që nga lufta e Qaf-Prushit, beteja e Gjakovës, Decan, Plavë-Guci, beteja e përgjakshme e Kaçanikut e deri në Shkup. Aktivitet i gjërë deshmuar e ruajtur në arkiva, dokumente, foto, kujtime e studime të bashkëkohesve. Në çeten e tij shohim se do të gjenin besim e bashkohen shumë të rinj e patriotë jo vetem nga Hasi, prej nga ishte Hazir Syla por dhe nga Malsia, Deçani, Gjakova e shumë treva të tjera të Kosovës, fakt që flet për shtrirjen e gjërë të influences së tij. Sipas dëshmive të gjalla të antarëve dhe bashkëluftëtarëve të tij të cilet paten fatin të jetonin me gjatë, është vertetuar se çeta e Hazir Sylës u themelua në vitin 1903[15]. Një dëshmi tjetër të dorës së parë dhe mjaft kuptimplotë mbi aktivitetin dhe rolin e Hazir Sylë Kurpalit kemi nga nipi i Isa Boletinit: Tafil Boleti, i cili duke përshkruar tre tarafët e Gjakovës, mes të tjerat thekson: “…në Gjakovë doli në shesh dhe grupimi i tretë me Hazir Sylën në krye..”[16]
F. Mehmetaj në monografinë: “Qel Shabani i Becit – jeta dhe vepra atdhetare”, megjithëse mbart disa lajthitje lidhur me disa të dhena mbi Hazir Kurpalit, na jep detaje te reja mbi shtrirjen e aktivitetit të Hazirit, ku shton dhe vendbanimin e ri të tij, citoj: Qel Shabani një kohë të gjatë i ka takuar çetës së Hazir Sylë Kurpalit, trim i dëgjuar i Malësisë së Gjakovës, i cili aso kohe ishte me vendbanim  në fshatin Radoniq të Dushkajës. Me tej: Luftetarët e kësaj çete morën pjesë në shumë aksione lokale dhe në kryengritjet e armatosura të viteve 1908 – 1910. Kësaj çete i ka takuar edhe vëllai më i ri i Hazirit, Bajram Syla, po ashtu trim i dëgjuar. Pas vdekjes së Hazirit, Qeli i ka takuar çetës së Bajram Sylës. Kohë pas kohe Qeli ka bashkëvepruar edhe me Bajram Daklanin, Zefin e Vogël, Zymer Fazlinë, Mon Avdinë, Avdi Sylë Kurpalin (i vrarë në Pejë në përleshje me forcat turke në kohën e Hyrrjetit), Idriz Jahën e Smolicës, Jahë Salihun e Babajve të Bokës etj[17]  Haziri mori pjesë në luftën e përgjakshme të Kaçanikut të vitit 1910, në betejen e së cilës ju plagos i vellai Bajrami, të cilin e dërgoi për kurim në Shkup, shoqëruan nga Hysni Curri (vëllai i Bajram Currit), dhe Islam Aga i Batushes, bashkëluftetarë ne Kaçanik. Nga ku kemi dhe sot të vetmen foto –dëshmi të këtij trimi.  Profilin e tij e  shohim si një nga prijësat i forcave të Hasit si dhe luftëtarëve nga zona të ndryshme të Kosovës gjatë kryengritjes Kombëtare Shqiptare. Siç e hasim edhe në kujtesën e zonës ruajtur në kënge:
Shumëkush jeten se kurseu
Me gjak t’kuq lirinë e bleu
Për dy trima e kemi fjalën
Hazir Sylën e Kurpalit
Ram Isufin pika e djalit
Kur Turkia kupen mushi
Batalionet çoi n’Qafë Prushi
Bajram Curri kur ka ndigjue
Hazir Sylës fjalë i ka çue
Hazir Syla çfarë i ka thanë:
Plot barut kullat i kam
E me trimat që kam me veti
S’ka shka na ban krali as mbreti…[18]

Mes të tjerash aktivitet të dendur patriotit dhe shume aktiv kishte në Deçan të Kosovës. Përleshjet e para me forcat osmane në kete treve gjatë kryengritjes gjithëpopullore kunderosmane të viteve 1908-1912, u bënë në beleg të Deçanit nga luftetarët e çetës së  Hazir Sylës[19]


Hazir Kurpali,  dalë në Shkup  me 1910, pas luftës së përgjakshme të Kaçanikut[20]. Pas vdekjes, u dekurua  nga pushteti i kohes me medalje të shumta për veprimtari patriotike.

Krahas betejave përkrah trimave të Kosovës atë e gjejmë edhe si pjesmarrës në kuvendin e Pejës, Besa-Besë, Beslidhjen e Verrave të Llukës, së  Ferizajve dhe Gjakovës etj. Hazir Kurpali është një nga pjesmarrësit e “Kuvendit të Përgjithshëm të Krerëve Shqiptarë” në Gerçë, ku ofrohet programi i autonomisë kombëtare në 12 pika. Ky program, përmes një memorandum, siç u quajt “Libri i Kuq”, iu paraqit qeverisë Turke e fuqive të mëdha me 23 qeshor 1911.
Figura e Hazir Kurpalit ashtu si shume trimave të Letajve e Hasit meriton vëmendje dhe duhet studiuar me tej  per të nxjerrë sa me shumë në pah kontributin e tij për çeshtjen Kombëtare, në mënyrë që brezat ta njohin ashtu siç e meriton vepra e kontributi i tij për Letajt, Hasin, Deçanin, Kosovën, Shqipërinë, që kur lindi e deri në frymën e ditës së mbrame të 14 janarit të vitit 1913të kur ra në Moravë në përpjekje me Bullgarët.

_____________________________


Bibliografia:

Libra:

1.      Agim SPAHIU, "Kurpalët”, Tiranë, 2000;
2.      Pjetër B. GECI,“Ramë Binaku i Dashinocit”, 2007;
3.      Faton M E H M E T A J, “Qel Shabani i Becit” , jeta dhe vepra atdhetare,  Prishtinë, 2006;
4.      Tafil BOLETINI, “Pranë Isa Boletinit&Përballë sfidave të kohes”, Kujtime, Tiranë, 2003;
5.      Hasan PRISHTINA, Dokumenta, 1908-1934, Tiranë 1982;
6.      Faton MEHMETAJ, Fetnete RAMOSAJ, Enciklopedi- “Deçani”, 1997;
7.      Bajram MEHMETAJ, “Ramë Binaku-dyzetë vjet me çetat…”1994;
8.      Nexhat Çoçaj, “Hasi Enciklopedi Etnokulturore II”, 2014, fq. 347;
9.      Besim MUHADRI, “Tradita Hasjane e shkrimit Shqip”, Prishtinë, 2009;
           11.  Sejdi DIDA, “Gjurmime etnogjuhësore në krahinën e Hasit”;
          12.  Dokumente Ruse për lëvizjen Kombëtare Shqiptare me 1912”, Prishtinë 2006;

Shkrime:                                                               
          1.      Besim MUHADRI “Bajram Sylë Kurpali - Legjenda Hasjane e Tetëmbëdhjetë Plagëve”;
          2.      Sejdi DIDA, “18 plagët e kreshnikut Hasjan Bajram Sylë Kurpalit (1878-1964)”;
          3.      Besim R. CENGU,  'Kurpalët' e Agim Spahiut, Monografi me vlerë historike dhe letrare, publikuar                me dt.11.01.2013, Pashtriku.org;
          4.      Fehmi Kelmendi, “Ramë Binaku i Dashinocit”;
          5.    Isuf  MESHI, “Mbi konceptin  e  dashurisë,  trimave dhe trimërisë” , publikuar me dt. 11.03.2013,                “Nacional”;

Gazeta:

         1.      Gazeta “Kukësi i ri”, 15 janar 1986
Adresa:                     

 web: ramebinaku.weebly.com;




[1]Kjo pjesë është marrë nga vjersha që nga mbetur nga kujtesa popullore, po ashtu edhe sot për Hazir Kurpalin janë ruajtur dhe përcjellur brez pas brezi, këngë, histori, bema që këndohet e ruhen si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri (Has, Malsi, Gjakovë). Në vargun e fundit, zakonisht haset edhe trajta tjeter Hazir Syla i Kurpalit, por ne kemi zgjedhur trajten e parë;
[2] Pjetër B. Geci,“Ramë Binaku i Dashinocit”, 2007;
[3] Shih: Prof. Fehmi Kelmendi, “Ramë Binaku i Dashinocit”; Më gjërë webin: ramebinaku.weebly.com;
[4] Agim Spahiu, "Kurpalët”, Tiranë, 2000, fq. 25;
[5] Nexhat Çoçaj, “Hasi Enciklopedi Etnokulturore II”, 2014, fq. 347;
[6] Gazeta “Kukësi i ri”, 15 janar 1986;
[7] Shih Telegramin drejtuar Ministrise së Punëve të Jashtme Sankt-Petersburg nr.155 AVPR, AIH, R29 nga diplomati A.N. Elmenjalov, nënkonsullata e  Perandorisë Ruse në Prizeren; “Dokumente Ruse për lëvizjen Kombëtare Shqiptare me 1912”, Prishtinë 2006;
[8] Shih Hasan Prishtina Dokumenta, 1908-1934, Tiranë 1982;  Hasan Prishtina, “Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912, Shkoder 1921, fq-5-29;
[9] Më e veçanta është kenga që kendohet nga Rapsodët e Hasit: “Djemt e Hasit n’kulla t’bardha”. Gjithashtu, në Kosovë, kemi kengen që njihet si: “Kenga e Hazir Sylës”;
[10] Isuf  MESHI, “Mbi konceptin  e  dashurisë,  trimave dhe trimërisë” , publikuar me dt. 11.03.2013, “Nacional”;
[11] Besim R. Cengu,  'Kurpalët' e Agim Spahiut, Monografi me vlerë historike dhe letrare, publikuar me dt.11.01.2013;
[12] Kurpalet, veper e cituar, fq. 57;
[13] Besim MUHADRI “Bajram Sylë Kurpali - Legjenda Hasjane e tetëmbëdhjetë plagëve”, “Tradita Hasjane e shkrimit Shqip”, Prishtinë, 2009, fq. 191;
[14] Kënduar në festivalin Folklorik, viti 1983;
[15]Faton MEHMETAJ, Fetnete RAMOSAJ, Encikoledi- “Deçani”, 1997
[16] Tafil BOLETINI, “Pranë Isa Boletinit&Përballë sfidave të kohes”, Kujtime, Tiranë, 2003, fq. 235.
[17] F. M e h m e t a j, “Qel Shabani i Becit – jeta dhe vepra atdhetare”  Anatema, Prishtinë, 2006, f. 87- 88.
[18] Kurpalët, vep e cit, fq. 138;
[19] Faton MEHMETAJ, Fetnete RAMOSAJ, Enciklopedi- “Deçani”, 1997, fq. 3, & 138-9;
[20]  “Kurpalët”, vepër e cituar, fq. 64;

No comments:

Post a Comment