HAZIR SYLË KURPALI
1874-1913
PROFILI I NJË ATDHETARI TË LËNË NË HIJE!
Nga Man POGA
Kush po shkon përpjetë çarshisë?!
Hazir Syla i Shqipnisë
Kush po shkon përpjetë sokakit?!
Hazir Syla djali i Hasit[1]
Populli
Fati e deshi
që ashtu rastësisht gjatë punës sime të përditshme kërkimore për çeshtje e tema
krejt të tjera, më ra në dorë një libër historik, monografia me titull: “Ram Binaku i Dashinocit” [2].
Në vija të përgjithshme në këtë monografi shkruhej me lavde për Ramë Binakun
(1888-1961), ku i vishesin merita të medha kësaj figure historike nga Komuna e
Gjakovës, deri atë çast i panjohur për mua. Mes të tjerash, në hyrje të kitij
libri por që e hasa pastaj edhe në shkrime e studime të tjera, me ra në sy një
paragraf që jepte disa të dhëna mbi fillesat e aktivitetit luftarak të
subjektit, citoj: “Lule Hajdari, nipin e
saj, Ramë Binakun 17 vjeçar, e dergon tek Ahmet Begu babai i Bajram Currit,
prej të cilit kërkoi ndimë për të mundur me e regjistrue në çetën e Hazir Sylës
i cili rrjedh nga familja Kurpali-Shqipëri [3].
Më mjaftoi ky
paragraf që të më grishte, të ma prishte
qetësinë, t’i lë menjëanë projektet e tjera, të më nxiste që të kërkoja më tej
në skutat e historisë, në mënyrë që të ndriçoja sadopak profilin e Hazir Sylë
Kurpalit, e në terrin e historisë së Hasit, të ndez një qiri të vogël. E si
mund të lihet një kapedan i tillë pa as edhe një artikull, të paktën, kur për
një antar a pjestar të çetës së tij ka libër monografik?!-mendoja me vete.
Eh! Në këtë
gjendje është katandisur historigrafia e visit të Hasit. I cili ka prodhuar me
shumicë histori në çdo shekull, ka nxjerrë kapedana, komandanta, heronjë e
dëshmorë me shumicë por shkrimtarë (historianë) jo…për me e shkru të
verteten-historinë. Ndaj asht bjerrë historia, aq sa, shumëkujt (ndoshta dhe disa
hasjanëve të sotëm...), ju asht mush mendja që Hasi nuk ka histori, nuk ka pasë
prijsa që i kanë dale zot vendit të vet, kombit të vet, në kohë e fate te zeza
kur visi a Kombi i lypi! Paj, e vërteta
është se, veç pak “koren e kohës” me ja heq historisë së visit të Hasit, kemi
me gjetë kuvendarë e prijsa, trima e dëshmorë, shtetarë e fisnikë të naltë,
klerikë e arsimtarë ndër shekuj, sa s’na ka pre menja…! Një nga ta, prijs e
trim që gjalloi rreth shekullit XIX-XX është sot e gjithë diten patrioti Hazir
Sylë Kurpali (1874-1913).
HAZIR SYLË KURPALI
VENDLINDJA
Hazir Kurpali lindi me
1874[4]
në Letaj, pinjoll i familjes së madhe e të njohur Kurpali nga Hasi. Familje e
cila dha kontribut të madh në çeshtjen Kombëtare Shqiptare. Kulla e tyre, duke
qenë buzë grykës së qaf-prushit, ishte në kontakt me shumë patriotë e atdhetarë
të shumë trevave Shqiptare. Letajt, si
emertim fshati na del qysh me 1415, ngjarjet historike na tregojne se Letajt në
shek XIX ishin një nga vendbanimet me ne zë të Hasit, por dhe të Malsisë. Ndër
betejat ku shquhen shumë Hasjanët e në veçanti nga Letajt mund të përmendim
luften e vitit 1887, në këtë luftë u shquan Ahmet Zeneli, Keç Ademi, Myftar
Syla dhe Ali Hoxha. Ne luften Turke të 1912, Bajram Sylë Kurpali dhe Rexhe
Mehmeti[5]
Letajt dhe Qaf-Prushi si grykë, nga pikpamja gjeografike janë mu në udhëkryqin
ku pikëtakoheshin historikisht, pushonin një cope here, karvane tregtare,
tregtar e prijës, patriot e njerëz të thjeshtë nga vise të ndryshme shqiptare,
duke filluar nga Kruma e një pjesë e mire e Hasit, Bytyqit dhe e Va-Spasit (nga
vinte Puka e Shkodra), prej nga nxirrnin krye pastaj për të dalë përballë
Gjakovës për punë minutash. Fillimisht lëvizej për çeshtje tregtie, pune
administrative etj., por jo vetëm. Gjatë fillimit të lëvizjes Kombtariste e
sidomos gjatë Lidhjes së Prizerenit lëviznin patriotë e ideolegë me za nga Shqipëria drejt Kosoves, e
anasjelltas nga Gjakova, Peja e më gjerë në drejtim të Hasit, Bytyçit, Pukës,
Shkodres... per te mbajtur ndezur e
shpërndarë sa me shumë flakën e atdhedashurisë! E tek kjo kullë si në çdo kulle
të Hasit, ata gjeten ndezur zjarrin e atdhedashurisë, shtruar sofren e bukes, e
thatë barutin e luftes…!
NDIKIMI FAMILJAR NË FORMËSIMIN PATRIOTIK
DHE ATDHETAR
Nëpër kohë bijtë e
kësaj familje janë shquar për patriotizem, ata ranë në kontakt dhe bashkëpunuan
me ideologë, luftetarë e patriotë të livizjen Kombetare Shqiptare si Asim
Vokshi, Haxhi Zeka, Hasan Prishtina, Bajram e Hysni Curri, Isa Boletini, Azen e
Shote Galica e shumë e shumë të tjerë. Syl
Kurti ka marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Lidhjes Shqiptare të
Prizerenit, në aksionin e Gjakovës, e në të gjitha veprimet luftarake të
mëpastme. Në total 8 djem të kësaj dere kanë dhënë jeten për atdheun dhe 5 të
tjerë janë plagosur[6]
Kulla e tyre u bë
qendra kryesore mbështetëse e kryengritjes shqiptare kunder Osmaneve sidomos në
kryengritjet e viteve 1900-1912-tës, ku në Qaf-Prush u bënë beteja të
përgjakshme. Sipas të dhënave autentike
që na jep direkt shumë afër nga
vendi i betejës diplomati A.N.
Elmenjalov asokohë i ngarkuar me punë në nënkonsullatën e
Perandorisë Ruse në Prizeren, nëpërmjet një telegrami drejtuar
Ministrise së Punëve të Jashtme Sankt-Petersburg, raporton se: “me 27
Qeshor / 10 Korrik 1912, kryengritësit e Hasit, të Gashit dhe të Bytyçit,
nën drejtimin e Bajram Currit, goditën katër batalione të përqendruara në Qafën
e Prushit. Forcat qeveritare u thyen keq, duke lënë në duart e shqiptarëve
municione, armë, mitraloza e topa, që u përdorën për armatosjen e
kryengritësve. Ata lanë gjatë këtij luftimi 300 të vrarë, të plagosur e robër
lufte”[7]
Suksesi i kryengritësve në Qafë të Prushit ushtroi ndikim në popull dhe, siç shkruante
direkt nga Stambolli Hasan Prishtina: “i
dha një shtytje të fuqishme lëvizjes së armatosur edhe në viset e tjera. Kjo
fitore bëri të aktivizoheshin edhe elementët opozitarë në radhët e oficerëve të
garnizoneve ushtarake në viset verilindore e lindore të Shqipërisë”[8] Për
kontributin e tyre gjatë përfshirjes në çeshtjen Kombëtare janë ruajtur dhe
përcjellur brez pas brezi, këngë, histori, bema që këndohet e ruhen si në
Kosovë ashtu dhe në Shqipëri (Has, Malesi e Gjakovës, etj), kënge që janë
kënduar jo vetem ne oda por deri në
Festivale Folklorike.[9]
Kesisoj, edhe Hazir
Syla nuk kishte si të dilte ndryshe, ambjenti ku u rrit dhe u formua ishte i
gatuar nga shqiptarizma, qe kur lindi deri sa vdiq, jeta e tij i shkoi në
betejë. Sepse i tillë ishte fati i Kombit, betejë për mbijetesë nga
asimilimi..! Ai e vazhdoi me tej lidhjen e familjen e tij me figurat me te shquara
të kohës që punonin për çeshtjen Kombëtare. Fati i tij ishte lufta, ashtu si e
gjithe familja e tij që ishte e përfshirë kryekreje në lëvizjen Kombëtare
Shqiptare, i ati ashtu dhe vellezerit e
tij kishin marre pjese ne beteja e kuvende, duke filluar qysh me reformat e
tanzimatit, Lidhjen Shqiptare të Prizerenin e deri tek Kryengrita e
Pergjithshme për Pavarsinë Kombëtare Shqiptare. Nga Kulla e tyre kanë dalë
nëpër kohë shumë trima, si Haziri, Avdia, Zymeri, Dërvishi, Bajrami, Selimi etj,
ndër to cilësoheshin si: prijsit shumë të
njohur të barakut të vogël të Hasit, Haziri, Bajram, e vllazëris “Kurpali”
– kështjella e Konaku i luftëtarve të lirisë, në pikën më nevralgjike “Qaf e
Prushit”[10]
Siç vëren gjithashtu studiuesi Besim R. Cengu: kjo kullë, nuk ngjasonte me një shtëpi banimi. Më shumë qe një
institucion që lindte e skaliste lufëtarë. E pastaj nëpërmjet tyre përhapte
pareshtur nëpër historinë tonë të vështirë patriotizëm dhe atdhedashuri.[11]
Muzeu i gjallë dhe
dëshmia e përpjekjeve të kësaj kulle ishte trupi i Bajram Sylës, stolisur me
tetëmbëdhjetë plagë në trup. Pas vdekjes së Hazirit, Bajrami do të vazhdonte me
tej lidhjet me patriot e ideologë të lidhjes, për të si trim dhe luftetar i
madh, (ndryshe nga Haziri), janë shkruar shumë artikuj e studime. Studiuesit Sejdi
DIDA, Agim SPAHIU dhe Dr. Besim MUHADRI e kane cilesuar Bajram Sylë Kurpalin me
epitete si: “Njeriun e miqësuar me plumbat”[12], “Legjenda Hasjane e 18 plageve”[13]
etj. Për të njohur dimensionin e vertetë ku u rrit dhe u brumos Hazir Kurpali
na jep me tej shpirti krijues hasjan i cili i ka përshkruar në grup,
vllazërimin Kurpali, ku përmenden me rrallë Bajrami, Haziri, Avdia dhe Zymeri,
përcjellë në këngën e njohur “Djemt e Hasit”, këngë e cila përkujton betejen e
lavdishme të Qaf-Prushit:
Djemt e Hasit
n’kulla t’bardha
Me pushkë
n’dorë i ka le nana
N’kullë
t’Kurpalit, shtiz flamurit
Prush asht ba
themel’ i gurit
Bajram Syla
gjallë s’po kapet
Asht ma i
vogli n’katër vllaznit
Shqipja e vogël
me 18 plagë
Po pisket o
nëpër flake
Ka Hazirin,
ka Avdinë
Kur lshojnë
za dridhin Turqinë
Ka Zymerin
lule t’motit
Oso Kukë
n’kullë t’barotit
Veton Hasi
Ishon rrugë
I thotë
Hasmit-mor ku je?
Luftë e dasëm
shortet e mija
Nji bajrak
kam për te dyja[14]
NË LUFTË DERI NË DITEN E MBRAME
NGA PLAVA-GUCIA NË QAF-PRUSH, NGA KAÇANIKU
NË SHKUP
Hazir Kurpali
ishte një prijës i lindur, ai ja kishte arritur që të themelonte e drejtonte në
moshë të re nje çetë mjaf aktive e cila la gjurmë të pashlyeshme në kronikat e
kohes e ku aktiviteti i dendur luftarak shtrihej që nga lufta e Qaf-Prushit,
beteja e Gjakovës, Decan, Plavë-Guci, beteja e përgjakshme e Kaçanikut e deri
në Shkup. Aktivitet i gjërë deshmuar e ruajtur në arkiva, dokumente, foto, kujtime
e studime të bashkëkohesve. Në çeten e tij shohim se do të gjenin besim e
bashkohen shumë të rinj e patriotë jo vetem nga Hasi, prej nga ishte Hazir Syla
por dhe nga Malsia, Deçani, Gjakova e shumë treva të tjera të Kosovës, fakt që
flet për shtrirjen e gjërë të influences së tij. Sipas dëshmive të gjalla të
antarëve dhe bashkëluftëtarëve të tij të cilet paten fatin të jetonin me gjatë,
është vertetuar se çeta e Hazir Sylës u themelua në vitin 1903[15].
Një dëshmi tjetër të dorës së parë dhe mjaft kuptimplotë mbi aktivitetin dhe rolin
e Hazir Sylë Kurpalit kemi nga nipi i Isa Boletinit: Tafil Boleti, i cili duke
përshkruar tre tarafët e Gjakovës, mes të tjerat thekson: “…në Gjakovë doli në shesh dhe grupimi i tretë
me Hazir Sylën në krye..”[16]
F. Mehmetaj në
monografinë: “Qel Shabani i Becit – jeta dhe vepra atdhetare”,
megjithëse mbart disa lajthitje lidhur me disa të dhena mbi Hazir Kurpalit, na
jep detaje te reja mbi shtrirjen e aktivitetit të Hazirit, ku shton dhe
vendbanimin e ri të tij, citoj: Qel Shabani një kohë të gjatë i ka takuar çetës së Hazir Sylë Kurpalit, trim i
dëgjuar i Malësisë së Gjakovës, i cili aso kohe ishte me vendbanim në fshatin Radoniq të Dushkajës. Me tej: Luftetarët
e kësaj çete morën pjesë në shumë aksione lokale dhe në kryengritjet e
armatosura të viteve 1908 – 1910. Kësaj çete i ka takuar edhe vëllai më i ri i
Hazirit, Bajram Syla, po ashtu trim i dëgjuar. Pas vdekjes së Hazirit, Qeli i
ka takuar çetës së Bajram Sylës. Kohë pas kohe Qeli ka bashkëvepruar edhe me
Bajram Daklanin, Zefin e Vogël, Zymer Fazlinë, Mon Avdinë, Avdi Sylë Kurpalin
(i vrarë në Pejë në përleshje me forcat turke në kohën e Hyrrjetit), Idriz
Jahën e Smolicës, Jahë Salihun e Babajve të Bokës etj[17] Haziri
mori pjesë në luftën e përgjakshme të Kaçanikut të vitit 1910, në betejen e së
cilës ju plagos i vellai Bajrami, të cilin e dërgoi për kurim në Shkup,
shoqëruan nga Hysni Curri (vëllai i Bajram Currit), dhe Islam Aga i Batushes,
bashkëluftetarë ne Kaçanik. Nga ku kemi dhe sot të vetmen foto –dëshmi të këtij
trimi. Profilin e tij e shohim si një nga prijësat i forcave të Hasit
si dhe luftëtarëve nga zona të ndryshme të Kosovës gjatë kryengritjes Kombëtare
Shqiptare. Siç e hasim edhe në kujtesën e zonës ruajtur në kënge:
…
Shumëkush
jeten se kurseu
Me gjak t’kuq
lirinë e bleu
Për dy trima
e kemi fjalën
Hazir Sylën e
Kurpalit
Ram Isufin
pika e djalit
Kur Turkia
kupen mushi
Batalionet
çoi n’Qafë Prushi
Bajram Curri
kur ka ndigjue
Hazir Sylës
fjalë i ka çue
Hazir Syla
çfarë i ka thanë:
Plot barut
kullat i kam
E me trimat
që kam me veti
S’ka shka na
ban krali as mbreti…[18]
Mes të
tjerash aktivitet të dendur patriotit dhe shume aktiv kishte në Deçan të
Kosovës. Përleshjet e para me forcat osmane në kete treve gjatë kryengritjes
gjithëpopullore kunderosmane të viteve 1908-1912, u bënë në beleg të Deçanit
nga luftetarët e çetës së Hazir Sylës[19]
Hazir Kurpali, dalë në Shkup
me 1910, pas luftës së përgjakshme të Kaçanikut[20].
Pas vdekjes, u dekurua nga pushteti i
kohes me medalje të shumta për veprimtari patriotike.
Krahas betejave përkrah
trimave të Kosovës atë e gjejmë edhe si pjesmarrës në kuvendin e Pejës, Besa-Besë,
Beslidhjen e Verrave të Llukës, së
Ferizajve dhe Gjakovës etj. Hazir Kurpali është një nga pjesmarrësit e
“Kuvendit të Përgjithshëm të Krerëve Shqiptarë” në Gerçë, ku ofrohet programi i
autonomisë kombëtare në 12 pika. Ky program, përmes një memorandum, siç u quajt
“Libri i Kuq”, iu paraqit qeverisë Turke e fuqive të mëdha me 23 qeshor 1911.
Figura e
Hazir Kurpalit ashtu si shume trimave të Letajve e Hasit meriton vëmendje dhe duhet
studiuar me tej per të nxjerrë sa me
shumë në pah kontributin e tij për çeshtjen Kombëtare, në mënyrë që brezat ta
njohin ashtu siç e meriton vepra e kontributi i tij për Letajt, Hasin, Deçanin,
Kosovën, Shqipërinë, që kur lindi e deri në frymën e ditës së mbrame të 14
janarit të vitit 1913të kur ra në Moravë në përpjekje me Bullgarët.
_____________________________
Bibliografia:
Libra:
1.
Agim SPAHIU, "Kurpalët”, Tiranë, 2000;
2.
Pjetër B. GECI,“Ramë Binaku i Dashinocit”, 2007;
3.
Faton M E H M E T A J, “Qel Shabani i Becit” ,
jeta dhe vepra atdhetare, Prishtinë, 2006;
4.
Tafil BOLETINI, “Pranë Isa Boletinit&Përballë
sfidave të kohes”, Kujtime, Tiranë, 2003;
5.
Hasan PRISHTINA, Dokumenta, 1908-1934, Tiranë 1982;
6.
Faton MEHMETAJ, Fetnete RAMOSAJ, Enciklopedi- “Deçani”,
1997;
7.
Bajram MEHMETAJ, “Ramë Binaku-dyzetë vjet me
çetat…”1994;
8.
Nexhat Çoçaj, “Hasi Enciklopedi Etnokulturore II”,
2014, fq. 347;
9.
Besim MUHADRI, “Tradita
Hasjane e shkrimit Shqip”, Prishtinë, 2009;
11. Sejdi
DIDA, “Gjurmime etnogjuhësore në krahinën e Hasit”;
12. Dokumente
Ruse për lëvizjen Kombëtare Shqiptare me 1912”, Prishtinë 2006;
Shkrime:
1.
Besim MUHADRI “Bajram
Sylë Kurpali - Legjenda Hasjane e Tetëmbëdhjetë Plagëve”;
2.
Sejdi DIDA, “18 plagët e kreshnikut Hasjan Bajram Sylë
Kurpalit (1878-1964)”;
3. Besim R. CENGU, 'Kurpalët' e Agim Spahiut, Monografi me vlerë
historike dhe letrare, publikuar me dt.11.01.2013, Pashtriku.org;
4.
Fehmi Kelmendi, “Ramë Binaku i Dashinocit”;
5. Isuf MESHI, “Mbi
konceptin e dashurisë, trimave dhe trimërisë” , publikuar me
dt. 11.03.2013, “Nacional”;
Gazeta:
1.
Gazeta “Kukësi i ri”, 15 janar 1986
Adresa:
web: ramebinaku.weebly.com;
[1]Kjo pjesë është marrë nga vjersha që
nga mbetur nga kujtesa popullore, po ashtu edhe sot për Hazir Kurpalin janë
ruajtur dhe përcjellur brez pas brezi, këngë, histori, bema që këndohet e ruhen
si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri (Has, Malsi, Gjakovë). Në vargun e fundit,
zakonisht haset edhe trajta tjeter Hazir Syla i Kurpalit, por ne kemi zgjedhur
trajten e parë;
[2] Pjetër B. Geci,“Ramë Binaku i Dashinocit”,
2007;
[3] Shih: Prof. Fehmi Kelmendi, “Ramë
Binaku i Dashinocit”; Më gjërë webin: ramebinaku.weebly.com;
[5] Nexhat Çoçaj, “Hasi Enciklopedi Etnokulturore II”,
2014, fq. 347;
[6] Gazeta “Kukësi i ri”, 15 janar 1986;
[7] Shih Telegramin
drejtuar Ministrise së Punëve të Jashtme Sankt-Petersburg nr.155 AVPR, AIH, R29
nga diplomati A.N. Elmenjalov, nënkonsullata e
Perandorisë Ruse në Prizeren; “Dokumente Ruse për lëvizjen Kombëtare
Shqiptare me 1912”, Prishtinë 2006;
[8] Shih Hasan Prishtina Dokumenta, 1908-1934, Tiranë
1982; Hasan Prishtina, “Një shkurtim
kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912, Shkoder 1921, fq-5-29;
[9] Më e veçanta është kenga që kendohet nga Rapsodët e
Hasit: “Djemt e Hasit n’kulla t’bardha”. Gjithashtu, në Kosovë, kemi kengen që
njihet si: “Kenga e Hazir Sylës”;
[10] Isuf MESHI,
“Mbi konceptin e dashurisë, trimave dhe trimërisë” ,
publikuar me dt. 11.03.2013, “Nacional”;
[11] Besim R.
Cengu, 'Kurpalët' e Agim Spahiut,
Monografi me vlerë historike dhe letrare, publikuar me dt.11.01.2013;
[12] Kurpalet, veper e cituar, fq. 57;
[13] Besim MUHADRI
“Bajram Sylë Kurpali - Legjenda Hasjane e tetëmbëdhjetë plagëve”, “Tradita
Hasjane e shkrimit Shqip”, Prishtinë, 2009, fq. 191;
[14] Kënduar në festivalin Folklorik,
viti 1983;
[15]Faton MEHMETAJ, Fetnete RAMOSAJ,
Encikoledi- “Deçani”, 1997
[16] Tafil BOLETINI, “Pranë Isa Boletinit&Përballë
sfidave të kohes”, Kujtime, Tiranë, 2003, fq. 235.
[17] F. M e h m e t a j, “Qel Shabani i Becit – jeta dhe vepra
atdhetare” Anatema, Prishtinë, 2006, f. 87- 88.
[18] Kurpalët, vep e cit, fq. 138;
[19] Faton MEHMETAJ, Fetnete RAMOSAJ, Enciklopedi-
“Deçani”, 1997, fq. 3, & 138-9;
[20] “Kurpalët”,
vepër e cituar, fq. 64;