Man
POGA
U bënë disa legjislatura
që rrethi i Hasit, pjesë e Qarkut të Kukësit, nuk ka përfaqësus nga gjiri i vet
në Kuvendin e Shqipërisë. Me shumë gjasa dhe votimet e fundit (shpresoj të jetë
e kundërta) nuk do sjellin ndonje të re. Hasjanët do shkojnë në kutitë e
votimit me fletën për ta hedhur në "koshin e 23 qeshorit" por jo me
vote për të votuar përfaqësuesin e tyre, njeriun e tyre, birin e tyre. Sepse
nuk ka...!
Situatë tragjike për
mendimin tim, por dhe komike njëherësh.
Situatë tragjike sepse
është e turpshme, e papranueshme që nga katër deputetë që nxjerr Qarku i
Kukësit, asnjë mos të dali nga rrethi i Hasit anipse Hasi është një nga tre
rrethet e qarkut që bukur mire kontribuon me vota. Kjo jo për krahinarizem, lokalizem, apo siç mund të më quajnë disa fanatizem të
semurë, por në të mire të vet funksionimit të konceptit demokraci, Hasi duhet
të ketë përfaqësuesin e vet jo formalisht, të sjellë nga lart, por nga vullneti i vet
votuesve, dalë nga gjiri i vet.
Kushtetuta e Republikës
së Shqipërisë shprehet mjaft saktë se “çdo
shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të
drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet”, (Neni 45 pika 1). Duket qartë se
Hasjanët tash 2 legjislatura kanë të drejtë vetëm të zgjedhin
ndërsa që të zgjidhen nuk paskan të drejtë!!!
Situatë komike sepse në
kafenetë e Krumës të gjithë “qahen“ se pse s’po bëhet rruga Krumë-Kukës, pse s’po
bëhet ajo e kjo, pse s’ka Hasi kandidat/e për deputet/e etj, etj,. Duke dhëne
idera si filozofë të klasit të pare, por kur vjen puna për reagim, asnje letër
publike qeverisë qëndrore, asnjë pedicion, asnjë shkrim për çështjet kryesore,
jetike që prekin Hasin, vetëm heshtje.
Mendoj se kjo gjendje
mjerane vjen së pari prej paragjykimit dhe përpuzjes nën dhe mbi tavolinë që i
bëhet zones së Hasit nga të dy liderit e forcave të mëdha politike, PS& PD,
duke mos patur asnjë program për zonën, e duke mos kandiduar për deputet asnjë Hasjan/e
në mënyrë të përsëritur; Së dyti prej mungesës së reagimit të kryetareve lokal të
partive respektive në rrethin e Hasit. Kjo situate ka sjellë një dëm shumë të
madh në imazhin e zonës, duke sfumuar, penguar, zbehur moshen e re që megjithse
me koncepte të qarta, formim solid perindimor dhe dëshirën për të kontribuar
nuk çan dot përpara…! Pra, le të themi është pa rekomantim, pa referencë, pa
krye…!
Në fakt sistemi
propocional delegoi shumë forcë rreth liderëve kryesorë (PS, PD), duke monopolizuar listën e emrave të kandidateve. Megjithatë, lind
pyetja po pse nuk balancojnë kandidaturat në Qarkun e Kukësit (Kukës, Has,
Tropojë), në raport me vullnetin/votat e votuesve, meqë i kanë shumë për zemër
balancimet? Bie fjala pse PD nuk vendos një kandidaturë Hasjan/e të paktën në
treshen fituese të saj, apo PS në dyshen e parë në listë…?! Mendoj se kjo situate
vjen në përgjithësi si pasojë e frymës paragjykuese së partive kundrejt Hasit,
duke shkuar madje deri në artikulimin e disa preudo-argumentave nën zë në
tavolina të ngushta vendimarrëse.
Pseudoargumenti i parë është
ai i ashtëquajtures mungese e intelektualëve nga Hasi. Ky “argument” që
këshilluesit e lidërve kryesore që janë dhe të deleguarit në qark kanë, ështe
se nuk ka kandidatë të denjë, apo intelektualë, prandaj skemi ku ti gjejmë për
ti vënë në listë…dhe o burra le të vendosim nga zona të tjera (ngjitur).
Një e pavertetë e madhe
që vjen erë paragjykimi dhe të bën të vjellësh vrer. Kjo fyerje krahinore i
bëhet Hasit, vendit që shkruajti për here të parë gjuhen shqipe qysh me 1580,
nga bashkohësi i Buzukut, At. Pal Hasi. Krahinës që nxorri 3 Kryepeshkop, (Pjetër
Mazrrekun, Andre Bogdanin, Pjetër Bogdanin); një nga Vezirët e Perandorisë Osmane
(HASAN PASHA (1535-1603); Popullit që themeloi Prefekturën e Kosoves
(1921-1925); Kontribues në arsimin e gjithë qarkut me abetaren e parë “Abetarja
e Zymit” (1900), duke ardhur në fund me shkollën e njohur të Krumës (1921, me
vone Internat) etj, etj. Vetëm në sistemin Universitar sot, japin mësim si pedagog dhe profesorë 12 Hasjan/e, ndërsa
me grada shkencore Dr. janë mbi 26 … 2 prej tyre janë kërkues në Akademinë e
Shkencave (QSA). Pse si kandidojnë këta apo s’ju duken intelektualë … ndoshta
pse janë nga Hasi dhe nuk bëjnë…për sëren e tyre paragjykuese, apo ndoshta
ngaqe nuk janë puthadorë…?! Mund t’ju kujtoj dy forcave politike dhe deleguarve
të tyre në qark dhe emra që nga, ish Zv. Ministra, Drejtora Drejtorisht, Mjek
të shkëlqyer, Noter, Ekonomistë, Ambasadorë, Avokatë etj, por me siguri s’do ju
pëlqejnë…!
Pseudoargumenti i dytë është
tek numri i votave pra pretendimi i ashtëquajturës ulje popullsie dhe për pasoj
Hasi nuk ka aq vota sa të nxjerr një deputet. Një gënjeshtër e madhe. Po të
shikosh numrin e votuesve për çdo rreth del qartë se Hasi i ka votat e plota
për deputet, sidomos me këte sistem ku vota numërohet në nivel qarku, (Kukës,
Has, Tropojë), dhe partitë marrin mandate në nivel qarku jo rrethi. Ku dihet
tashmë se Hasit përveç votave nga katër njësitë e veta (3 Komuna, 1 Bashki), ka
dhe një numër të madh votuesish (mbi 5000 pesëmijë banorë) që për arsye
ekonomike, tregtare, pune në kohë të ndryshme janë shpërngulur në Kukës…! Pra
mund të themi se votuesit (Kukës, Has, Tropojë), relativisht janë në mënyrë të
balancuar, madje, nga numri i votuesve Hasjanët janë të dytët në qark . Pra,
përkundrazi siç pretendohet forca e
votes është e madhe.
Nga sa më sipër fajtorë
dhe përgjegjës për këtë situatë tepër të padeshirueshme është mungesa e
reagimit lokal nga kryetarët përkatës, të cilët ngihen me thërrimet e vogla dhe
as që mendojnë e guxojnë që të adresojnë këtë problematikë në nivelin qëndror.
Përjashtuar disa reagime individuale qytetare, reagimi politik ka qenë zero. Duke
mos kuptuar cilësinë e vërtetë të qenurit drejtues në ato nivele, me mungesë
totale argumentuese e force reaguese kanë sjellë këtë situatë, ku Hasi është në
krizë përfaqësimi…pa deputet, dhe në zbehje të forces reale të votes që ka në qark.
Mosreagimi i tyre është
regres dhe me historinë politike të Hasit. Mjafton të sjellim reagimin model të
parisë (mund ta quaj me plot goje elite) së Hasit të vitit 1921, që themeloi
Prefekturën e Kosovës, me dërgimin e kërkësës
Këshillit të Lartë të Shtetit, në kundërshtim me vendimin e marrë, për
ta lëne këtë krahinë nën administrimin e Prefekturës së Drinit.
Dhe reagimin kryesor e
vendimtar e bënë pikërisht në prag të zgjedhjeve për Asamblenë Kombëtare e cila
do të mbahej në 5 Prill, 1921.
Ku gati një muaj
përpara zgjedhjeve, më 2 Mars të 1921, paria e Hasit i drejton një peticion
Këshillit të Lartë të shtetit Shqiptar lidhur me pakënaqësinë për ndarjen
administrative. Citoj:
“…Po marrim vesh se Hasin, qe perbahet prej (2000) dymije shpive e (2500)
e nizete e pese mie shpirt, Qeveria Kombetare e paska lane me Prefekturen
e Drinit, me te cilin vend Hasi as
ekonomikisht as gjeografikisht s’ka kurrfare marrëdhanie e pergjithehere ka
asht kane nen-prefekture e Gjakoves e skemi kurrfare udhe tregtiet me
Prefekturen e Drinit, e jemi këtej Drinit”, .. duam qendër me vete....
“Per
ndryshe s’kena me i dhane zarat (votat) per deputet per Prefekturen e Drinit, e
keshtu ka me i hup 2-3 deputet Shqypnia” (AQSH. F. 418. V. 1921. D. 14, fl 1). (e meritojnë të përmenden këta dinjitozë:
Hysen Selmani i Qarrit, Mehmet Alia, Rexhep Syla, Brahim Dida, Tahir Hoxha,
Avdi Saiti, Ali Haxhija, Zejnel Peçaku etj).
Dihet se kërkesa e tyre
u miratua… Po kërkesa ama, jo heshtja.
Si ka mundësi që 92
vite më parë ata arritën të kuptonin forcën e votes, reagimin civil për të fituar
të drejtat e tyre nëpërmjet kushtëzimit. Ndërsa sot 92 vite më pas
“politikanët” lokale nuk po arrijnë të kuptojnë dot demokracinë, forcën përfaqësuese
dhe detyrën që kanë marrë përsipër, ose ndoshta janë puthadorë të liderëve
qëndrorë, dhe po lënë Hasin në krizë përfaqësimi.