MAN POGA

Fjala e arsyes, ndjenja e zemrës!

Hyrje

Thursday, July 9, 2015

VRASJA NE DUKAGJIN DHE QASJA JONË NDAJ TURIZMIT



Prap plumba nga njerëz të vegjël në Dukagjin, dhe prap viktima turistët çek. Ngjarja është më tepër së e rëndë, po të mos bëhej i ditur vendi, nga egërsia dhe mënyra se si vrasësit dhunuan çiftin çek, si i mbytën dy shpirtrat e lire, e më pas rrekja për ti  zhdukur trupat e njomë në humnerë, mendja të shkon në nje gjeografi të largët, në një botë të errët, në një kohë që s’na përket ne, aq më pak në Europë. Po ja që ndodhi ndër ne e midis nesh, nga njerëz mizorë, e që na bënë të ndihemi keq e më keq të gjithëve, si një turp i pamerituar që vazhdon e vazhdon të na përndjekë si makth, pavarësisht dëshirës për ti ikur.     

Në jug për sezon si të mos të mjaftojnë çmimet super të larta, anijet greke ndotin ujin me naftë, ndërkohë në Dukagjin ngrihen disa dhe ju japin plumba për mirëseardhje atyre pak turistëve që ose mezi i bindim të vine ose kalojnë tangent.

Po përtej ngjarjes, si i shohim ne turistet, çfarë qasje a sjellje manifestojmë ne ndaj tyre ?
Turisti tek ne, sidomos i huaji, vazhdon e vazhdon të shikohet si një shanc i mirë për tu rrjepur, ai shihet si ushqim, ku pritësi me të duhet të shuajë urine për nëntë muajt e tjerë, përpara se ai të ikë. Kjo mendësi, kjo babëzi, kjo qasje e të bërit turizëm apo e të parit të turizmit, na ka bërë të jemi të fundit në Ballkan. Edhe Mali i Zi 600-mijë banorësh na kalon. Jo se ka më shumë resurse natyrore, përkundrazi, por ka më shumë resurse njerzore. Shkurt, qytetari di të presë, bisnesi di të  bëjë turizëm, pra të përfitojë sa më shumë të mira materiale, dhe shteti ka ditur ta kthejë vërtet në prioritet kryesor turizmin, pa demagogji. Turistet që i pret njëherë, synon dhe arrin ti bëjë të rikthehen përsëri.
Tek ne filloi një etapë e mbarë e zhvillimit të turizmit malor, me pikat në Valbonë, Theth, e Pukë me Hanet, e ne vend që të shtrihet më tej, në Has, Kukës, Dibër, Mat etj., na dalin forca njerzore jo mbinjerzore dhe ofrojnë plumba si guide. Sa fillon të ecë diçka, për dreq ja bëhin ngjarje që na kthejnë mbrapa, dhe Miti i Sizifit na djek si mallkim.

E gjithë kjo është pasojë e shumë fakorëve, por më shumë se çdo gjë na vjen nga varfëria (jo vetëm ekonomike). “Ku ka fukarallek- ka maskarallëk” -na kujton urtësia e popullin tonë. Shto këtu etjen që kemi për tu pasuruar sa më shpejt, dhe në çdo mënyrë, aty dhe menjëherë. Turistët në tre muajt e verës janë një shanc i mirë për robin e thatë (në çdo aspect), që pret të pijë vitet e tjetrit, atje në harreses e vet (dhe shtetit), si të ishte prejë.

Atë mot që do të ndryshojmë qasje ndaj turizmit dhe turistëve (jo vetem të huaj), atëherë do bëhemi konkurues në rajon dhe të realizuar në kohë afatgjatë edhe në aspektin ekonomik.
Krahas shtetit, që të paktën duhet të ketë patjeter posta policie sezonale në zona të larta, rrugë dytësore por që bëhen kryesore gjatë sezonin turistik; gjithashtu vetë komuniteti, biznesi lokal duhet të marrë masa urgjente që njerzit ploblematik që cënojnë imazhin e zones ti denoncojë vet në polici si distancim ndaj akteve të tyre që minojnë turizmin, të ardhmen ekonomike, shancin e vetëm për begatimin afatgjatë të zonës.


Ndryshe, çekët do rikthehen çdo vit, vetëm për të vënë lule në vendin ku u vranë të afërmit e tyre.

Man Poga
Gazeta "Tirana Observer", Tiranë, 7.07.2015