MAN POGA

Fjala e arsyes, ndjenja e zemrës!

Hyrje

Saturday, December 13, 2014

VEPRA MONUMENTALE E STUDIUESIT NEXHAT ÇOÇAJ


“HASI -ENCIKLOPEDI ETNOKULTURORE”

Man Poga


"Nëse edhe ne heshtim dhe nuk e zbardhim thesarin e artë të traditës kulturore, Hasi edhe për shumë kohë do të shkojë zvarrë pa i marrë ‘këmbët’ që i kishte dikur"- Sejdi DIDA, studiues.

Nëse shumëkush ndër ne ka heshtur, Nexhat ÇOÇAJ, jo, ai ka punuar dhe punon çdo ditë të vitit, për të realizuar projektin madhor, zbardhjen e thesarit të artë të Kultures së Hasit, ai punon për projektin e madh, nuk ndalet, nuk lodhet, nuk pushon, veç punon natë e ditë më nxjerrë në dritë historinë, kulturën, traditën e lashtë të trevës së Hasit që kulmon me veprën VII-të vëllimore, (V të botuara), “HASI ENCIKLOPEDI ETNOKULTURORE”.


 Dr. Nexhat  ÇOÇAJ

***

Dalja në dritë e V-së vëllimeve përmbledhëse "Hasi Enciklopedi Etnokulturore" më tepër se një lajm i mrekullueshem për të gjithe hasjanet dhe dashamirësit e Hasit, është një ngjarje e vërtetë shkencore në fushën e studimeve etnografike, një kontribut me vlera në studimet shqiptare. Për vet tematikën e Enciklopedisë, kisha një etje të madhe për ta rrokur e lexuar këte vepër e cila i kushtohej një prej trevave e cila fatkeqësisht deri më sot mund të jetë një ndër vendet më pak të studiuera. Nëse sot, në shumë drejtime dhe për shumë arsye Hasi është lënë i menjanuar, pa të drejtë në periferi. Faj për këtë, kemi vet ne, hasjanët.

Hasi, që dha aq shumë dhe mori aq pak!

Ngjarjet me kulmore të kombit tonë nëpër shekujt, thërrasin në kujtesë, sjellin në qendër të tyre edhe treven e Hasit, sa here që faktet e dokumentat zdritet, sa here që arkeologet gërmojnë, sa herë që i hiqet “korja e historisë”, sepse në qendër të tyre ngjarjeve kanë qenë shumë figura që kanë dalë edhe nga dyert e lashta, fisnike të Hasit.

Ne besojmë ashtu siç beson dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë sot, ashtu siç besonte dhe shkruante P. Lukari me 1603, Frang Bardhi, e shumë studiues se Kastriotet e kanë tedelin nga Hasi.
Bashkohësi i Buzukut, na shfaqet në Has, me vepren e tij “Dita e gjyqit”, prej nga Budi i madh i mori e i përfshihu më vonë në vepren e tij, pa harruar të citojë autorin e ndritur, At. Pal Hasin e ditur. Si ortek drite do të vijnë më pas Bogdanët e ndritur me Tadejin, Andrean e “Gramatikës Shqip-Latinisht”, Pjetrin e “Çetës se Profetëve”, pastaj me te rijtë Lukën, Gjonin e ri etj., të gjithë me arsim të lartë që në shek 16-17, madje, vetem Pjetër Bogdani kishte dy doktoratura…! Çishte ky Has kaq i ndritur, Hasi i 50 kishave do të thoshte i madhi, i shumënjohuri Pjetër Mazrreku, (plaku), ky hasjan, prijës i deres së njohur Mazrreku, që njihet në historigrafi si mbiemri i dytë i Princave Kastriotas, e shumë, shumë të tjerë. Duhët vetëm pak të ndalemi tek vepra madhështore e Pjetër Bogdanit këtu e 350 vite më parë për të kuptuar sa shumë drite kishte ai diell, që arriti të ndrijë kombin në atë kohë aq të erret, pastaj Hasin deri në ditet tona, duke shëndoshur më tej atë që studiuesi Shuteriqi e cilëson si “TRADITA HASJANE E SHKRIMIT SHQIP”, nga 1580-1700... ndoshta më heret.

Sipas meje, ishte kjo dritë që Hasi si unitet të vijë deri sot, të mos humbasë nëpër terrin e pushtimeve, gjymtimeve, ndarjeve: emrin, identitetin, kulturën, doket, trashegiminë familjare, historinë. Pikërisht mu këtë “cope” dritë që ka mundur të mrrijë ndër ne nëpërmjet trashegimisë, autori Nexhat Çoçaj, me një pune serioze disadekadeshe arrin ta mbledhë cep me cep Hasit, fshat më fshat, shpi për shpi, me çdo intervistë të çdo mbartësi të moçëm që kishte diçka për të thënë, përpara se të ikte nga kjo botë. Pastaj ta zbardhë,  dokumentojë, arkivojë, me qëllimin fisnik për ta përcjellur si dëshmi në vitet, dekadat, shekujt që do vijnë, nëpërmejt botimit të VII-së vellimeve voluminoze me titull “Hasi Encikopedi Etnokulturore”, (V-së prej tyre kanë parë dritën e botimit)!

***
VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM MBI V-SË VËLLIMET E ENCIKLOPEDISË
TË BOTUARA DERI MË SOT


Në tërësinë e vet projekti “HASI ENCIKLOPEDI ETNOKULTURORE”, është një ndërmarrje mjaft e guximshme, kur kemi parasyshë se e gjithë kjo punë voluminoze, afatgjatë në kohe  dhe mjaft serioze nga pikpamja shkencore është marrrë përsipër nga një njeri i vetëm.

Për realizimin e këtij punimi mjaft voluminoz, dhe cilësor, janë intervistuar në çdo skaj të hasit shumë subjekte duke nisur nga datëlindja 1911 e këtej, subjekte mbartës prej të cilëve është vjelur një material bruto, e cila është regjistruar, dokumentuar sipas metodave me te reja shkencore për tu zbardhur më pas në studion e autorit; bibliografia e përdorur është mjaft e pasur, kemi referime nga  materiale të shumta arkivore, referuar Arkivit të Kukësit, Prizerenit, Arkivit Qëndror Tiranë, Prishtinë, Intitutit Popullor, Intitutit të Historisë etj; krahas tyre, autori është konsultuar me shumë libra, dorëshkrime, artikuj shkencorë, doktoratura, e të dhëna të tjera që i japin veprës një vlerë me baza shkencore.
Në total, në 5-së vëllimet enciklopedike që kanë dale në dritë deri sot sipas përllogaritjeve që ju kam bërë këtyre titujve me qëllimin për ti analizuar më tej nga pikëpamja e metodës që ka zgjedhur autori, volumin e punës që ka kryer, qasjen e tij etj., kam konstatuar se:

Janë botuar 2650 faqe enciklopedike gjithsej, me ilustrimet përkatëse si: foto, harta, skica;
Janë intervistuar 816 subjekte nga ku u vol një materiali bazë pune (për shkaqe humbje, autori nuk i ka cituar të gjithë emrat e subjekteve, pra janë më shumë se 816 të konstatuara në vëllimet përkatëse);
Dhe janë shfrytëzuar rreth 280 zëra bibliografie të ndryshme.
Sa më sipër, në rast se vepra nuk do kishte në kopertinë emrin e autorit, shume thjeshtë, lexuesi i nderuar mund të hamendësoje se ky botim është projekt i ndonje akademie, apo i ndonjë grupi studiuesish të lëmive të ndryshme të shkences si: gjuhëtare, etnologë, etnografë, gjeografë, historianë etj., që kanë punuar në grup për të nxjerre në drite këte thesar të çmuar të trashegimisë së Hasit.

Por, nuk është asnjera, autori i kesaj vepre madhështore është një njeri i vetëm, ai është Nexhat Çoçaj. Lexuesi, me të drejtë mund të pyesi:- pse shumësia përcakton vlerën e një vepre?; – “ A eshte tregues i cilësise së një vepre numri i faqeve?! Sigurisht se jo!

Së pari, në rastin tone, volumet e veprës “Hasi Enciklopedi Etnokulturore”, na vijnë natyrshëm në keto përmasa, madje autori shpeshherë (me te drejtë-MP) thekson se ka lëne shume gjera pa i  përfshirë në të, se e tille është përmasa e trashegimisë së trevës së Hasit- një thesar i pafund!
Së dyti: perpara se te dalin nga shtypi, vëllimet janë recensuar, redaktuar, shoqeruar me paradhënie hyrese nga emrat më kopetente te fushave përkatëse studimore. Fjala vjen, Prof. Dr. Aferdita Onuzi, Prof, As. Dr. Nebi Bardhoshi, Dr. Besim Muhadri, Dr. Rovena Vata, e shumë të tjerë. Recenca të tilla që na japin garanci se puna e bëre nga autori, është e tamamtë, është e konsultuar në fund, eshte me baza të shëndoshta dhe me vlera shkencore.


Studiuesi, tashmë, Dr. Nexhat ­Çoçaj e ka parë Hasin ashtu siç është, nji, si unitet. Pavarësisht se treva e Hasit është e ndarë sot, mespërmes Pashtrikut, mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovë si pasojë të vendime të fuqive të medha. Në Shqipëri, Hasi ka qendër Krumën, ndërsa në Kosovë Hasi ndahet mes Prizerenit dhe Gjakovës. Në vështrimin e përgjithshëm gjeografik, autori krahinen e Hasit e cilëson si një ishull, të cilin e rrethon Drini i Bardhë, Drini i Bashkuar, Ereniku, Rastusha dhe Skatina.

Zonën etnografike dhe gjeografike të Krahinës së Hasit e ka studiuar në unitet me gjithsej 70 vendbanimet, që gjallojnë në territorin e Kosovës dhe në territorin e Shqipërisë. Për herë të parë studiuesi sjell historikun e çdo vendbanimi të krahinës së Hasit (Vell II), duke filluar me fshatin Bardhaj (Maçi), Bishtazhini, Bregdrini, Brekoci, Brenoga, Brruti,  Cahani, Damjani, Dedaj, Deva, Dobruna, Doli, Domaj, Fajza, Firza, Fshaji, Gajrepi, Gerçina, Godeni, Golaj, Gurishta, Guska, Gjinaj, Gjonaj, Helshani, Kabashi, Karashëngjergji, Kishaj, Kojushi, Kosturri, Krajku, Kruma, Kusari, Kushaveci, Kushini, Letaj, Lipoveci, Liqeni i kuq, Lugishta, Lukinaj, Mazrreku, Metaliaj, Milaj, Moglica, Mulaj, Nikoliqi, Peraj, Perollaj, Petërshani, Planeja, Pogaj, Pusi i thatë, Qarri, Raca, Rogova, Romaja, Shalqini, Sefoll, Smaçi, Tobli, Tregtani, Tupeci, Ujzi, Vlahna, Vogova, Vranishti, Zahrishti, Zgjeçi, Zylfaj, Zymi, Zhubi.

Studiuesi Nexhat Çoçaj, meriton një mirënjohje dhe mbështetje maksimale për punën e bërë në drejtim të evidentimit, mbledhjes dhe botimit të kulturës, traditës, dokeve dhe historisë së trevës së gjëre, zëmadhe e të lashtë të Hasit.
Vepra e Dr. Nexhat Çoçajt padyshim që kapërcen cilësimin e një vepre të thjeshtë krahinore, V-së vëllimet e botuara deri më tani kanë rëndësi dhe janë kontribut mbarëkombëtar, si të tillë, ato do të jetë një reference për të gjithë studiuesit e etnologjisë, etnografisë, gjuhësisë, historisë për studime të mëtejshme.