(Kontributi i popullit
të Hasit në përballimin e eksodit të
vitin ’99)
Nga Man Poga
Botuar ne gazeten "Tirana Observer" 16 prill 2014
Popullsia vendase (Hasit) për vite me rradhë ka
mbajtur dhe strehuar vëllezërit kosovarë që iknin nga terrori serbo-malazez,
dhe kanë ndarë bukën e gojës. Kështu ka vazhduar deri sa janë instaluar nëpër
pasuri shtetërore dhe ju kanë shpëtuar jetën.
Tafil
BOLETINI
(marrë nga libri me kujtime: “Pranë Isa
Boletinit&Përballë sfidave të kohes”, Tiranë, 2003, fq. 182)
Me 16 prill në qytetin
e Kukësit sipas njoftimeve të ekzekutivit dhe pushtetit vendor do të ketë
aktivitete të shumta në përkujtim të 15-të vjetorit të eksodit të popullsisë
Shqiptare të Kosovës nga trojet e veta në drejtim të Shqipërisë.
Me moton “Shqiperia dhe Kosova, 15 vjet nga eksodi”, në qendër
të Qarkut Kukës do mbahen aktivitete te shumta argëtuese dhe kulturore për
shënjimin e këtij përvjetori me qëllim falenderimin e popullsisë së Qarkut
Kukës (Kukësit, Hasit dhe Tropojës), për përballimin me dinjitet të asaj
situate shumë të vështirë, ku mund të themi se popullsia Shqiptare e Kosovës
kaloi nga gjendja e asimilimit nëpërmjet gjenocidit të ushtruar mbi të, e deri
në eksod biblik.
Festa
vjen sot si një bashkëpunim në një kohë e rrethanë afërmendsh shumë me
dinjitoze për popullsinë shqiptare që gjallon e lire tashmë në dy shtete
zyrtare, Shqipërisë dhe Kosovës.
***
Mirëpo
krahas kësaj atmosfere feste, duhet të mbizotërojë një ndjesi e përgjegjësi
kujtese kombëtare nga çdo indivit që ka çfarë të thotë dhe të kujtojë nga
kronika e eksodit ’99. E, nëpërmjet publikimit të çdo dëshmie, qe vjen nëpërmjet
fotove, filmimeve, statistikave e të dhënave të tjera, të dëshmohet fort e vërteta
e madhe se shqiptarët e Kosovës janë viktima
jo agresori… siç duan ta sjellin sot politikat e mbrapshta antikombëtare. Njëkohësisht,
duhet të dalë në pah çdo kontribut i çdo krahine, fshati,
familje, individi që në kohë e rrethana shumë të vështira ekonomike dhe sociale
(sapo kishte kaluar 97-ta) gjeten forcen, energjinë, besimin dhe solidaritenin
për ta kaluar bashkarisht këtë sprovë historike.
Një prej
dëshmitarëve të pasojave të eksodit ’99, jam dhe unë, si shumë bashkëqytetarë të
Krumës së Hasit, të cilët për hirë të së vërtetës, (siç dihet) është zona që ka
kontribuar masivisht që në hapat e parë të lëvizjes së Ushtrisë Çlirimtare, ku
bijte e kësaj krahine kanë qënë të përfshirë kryekreje në çdo pikëpamje dhe
kontributi i tyre ka qenë shumëplanësh, deri në dhënjen e gjësë më të shtrejtë: Jeten. Sidomos fshatrat kufitarë si: Letajt, Dobruna, Vlahnja, Cahani, Kishajt,
Pogajt etj.
Të parët Shqiptarë të Kosovës që erdhën grup në Krumë si
pasojë e dhunës e masakrave serbe ishin rreth 200 banorë të fshatit Goden të
Komunës së Gjakovës të cilët u depërtuan nëpërmejt pikes së qaf-prushit. Ata
gjetën strehë menjeherë në familjet Hasjane në Krumë. Për të parë situatën në
vend në këto familje bëri vizitë Presidenti, Rexhep Mejdani, dhe kryeministri
Pandeli Majko, ndërkohë gjendje sa vinde e përkeqësohej dhe më tej. Çdo ditë e
pas 25-26 marsit u bë dhe me e vështirë në Krumë, numri i të dëbuarve po
shtohej me shpejtesi, ndërkohë kapacitetet mbajtese ishin shumë të kufizuara. U
tejmbush çdo ode e çdo shpie, pastaj sistemimi
vazhdoi tek Xhamia e Qytetit, Pallati i Kulturës, Shkolla e Mesme, Shkolla
8 vjeçare, Pallati i Oficerave, Spitali, çdo hapsirë e lulishteve ishte plot e përplot.
Me 17 prill shënohet një dyndje e madhe ku në
rrethin e Hasit atë ditë, ishin njëzet e tre mijë banorë të shpërngulur. Në
qytetin e Krumës 9.417 persona, në komunën Golaj 7.990, në komunën
Fajza 1.540 dhe komunën Gjinaj 966 veta. Ndërsa në xhaminë e qytetit të Krumës
dhe në Pallatin e Kulturës u vendosën edhe dy mijë të tjerë. Solidariteti
ishte në përmasa hyjnore, të gjithë morëm nga 2-3 familje, për njerzit që
s’mund ti mbanim në shpi kemi shpërnda ujë, bukë e rroba nëpër lulishte ku
ishin vendosë.
Gjithçka u bë me ndimen e banorëve vendas, asnjë ndimë nga
shoqatat apo shteti nuk kishte ardhë në Krumë, ishin fokusu në Kukës, sepse
atje kishte një dëpertim edhe me të madh. Sipas regjistrimeve numri i të
shpërngulevje që kaloi nëpërmejt pikës së qaf-prushit për në Krumë e nëpër Has ishte
mbi 70 mijë, por mund të ketë qënë edhe
më shumë…
Populli i Hasit në përgjithsi e ka besdi me përmendë
buken qe ka dhanë, e sheh si ofendim, i largohet vetëmburrjes me urtesi, por
kjo gjë shpesh here e ka çuar në harrese kontributin qe ka dhene ...
Sot 15-të vite më vonë nga kronika e mbijetesës, kemi
arsye të përkujtojmë triumfin në përballimin e situatës dhe të festojmë të
gjithë me dinjitet.
Tiranë,
15 prill 2014