MAN POGA

Fjala e arsyes, ndjenja e zemrës!

Hyrje

Thursday, July 9, 2015

VRASJA NE DUKAGJIN DHE QASJA JONË NDAJ TURIZMIT



Prap plumba nga njerëz të vegjël në Dukagjin, dhe prap viktima turistët çek. Ngjarja është më tepër së e rëndë, po të mos bëhej i ditur vendi, nga egërsia dhe mënyra se si vrasësit dhunuan çiftin çek, si i mbytën dy shpirtrat e lire, e më pas rrekja për ti  zhdukur trupat e njomë në humnerë, mendja të shkon në nje gjeografi të largët, në një botë të errët, në një kohë që s’na përket ne, aq më pak në Europë. Po ja që ndodhi ndër ne e midis nesh, nga njerëz mizorë, e që na bënë të ndihemi keq e më keq të gjithëve, si një turp i pamerituar që vazhdon e vazhdon të na përndjekë si makth, pavarësisht dëshirës për ti ikur.     

Në jug për sezon si të mos të mjaftojnë çmimet super të larta, anijet greke ndotin ujin me naftë, ndërkohë në Dukagjin ngrihen disa dhe ju japin plumba për mirëseardhje atyre pak turistëve që ose mezi i bindim të vine ose kalojnë tangent.

Po përtej ngjarjes, si i shohim ne turistet, çfarë qasje a sjellje manifestojmë ne ndaj tyre ?
Turisti tek ne, sidomos i huaji, vazhdon e vazhdon të shikohet si një shanc i mirë për tu rrjepur, ai shihet si ushqim, ku pritësi me të duhet të shuajë urine për nëntë muajt e tjerë, përpara se ai të ikë. Kjo mendësi, kjo babëzi, kjo qasje e të bërit turizëm apo e të parit të turizmit, na ka bërë të jemi të fundit në Ballkan. Edhe Mali i Zi 600-mijë banorësh na kalon. Jo se ka më shumë resurse natyrore, përkundrazi, por ka më shumë resurse njerzore. Shkurt, qytetari di të presë, bisnesi di të  bëjë turizëm, pra të përfitojë sa më shumë të mira materiale, dhe shteti ka ditur ta kthejë vërtet në prioritet kryesor turizmin, pa demagogji. Turistet që i pret njëherë, synon dhe arrin ti bëjë të rikthehen përsëri.
Tek ne filloi një etapë e mbarë e zhvillimit të turizmit malor, me pikat në Valbonë, Theth, e Pukë me Hanet, e ne vend që të shtrihet më tej, në Has, Kukës, Dibër, Mat etj., na dalin forca njerzore jo mbinjerzore dhe ofrojnë plumba si guide. Sa fillon të ecë diçka, për dreq ja bëhin ngjarje që na kthejnë mbrapa, dhe Miti i Sizifit na djek si mallkim.

E gjithë kjo është pasojë e shumë fakorëve, por më shumë se çdo gjë na vjen nga varfëria (jo vetëm ekonomike). “Ku ka fukarallek- ka maskarallëk” -na kujton urtësia e popullin tonë. Shto këtu etjen që kemi për tu pasuruar sa më shpejt, dhe në çdo mënyrë, aty dhe menjëherë. Turistët në tre muajt e verës janë një shanc i mirë për robin e thatë (në çdo aspect), që pret të pijë vitet e tjetrit, atje në harreses e vet (dhe shtetit), si të ishte prejë.

Atë mot që do të ndryshojmë qasje ndaj turizmit dhe turistëve (jo vetem të huaj), atëherë do bëhemi konkurues në rajon dhe të realizuar në kohë afatgjatë edhe në aspektin ekonomik.
Krahas shtetit, që të paktën duhet të ketë patjeter posta policie sezonale në zona të larta, rrugë dytësore por që bëhen kryesore gjatë sezonin turistik; gjithashtu vetë komuniteti, biznesi lokal duhet të marrë masa urgjente që njerzit ploblematik që cënojnë imazhin e zones ti denoncojë vet në polici si distancim ndaj akteve të tyre që minojnë turizmin, të ardhmen ekonomike, shancin e vetëm për begatimin afatgjatë të zonës.


Ndryshe, çekët do rikthehen çdo vit, vetëm për të vënë lule në vendin ku u vranë të afërmit e tyre.

Man Poga
Gazeta "Tirana Observer", Tiranë, 7.07.2015

Monday, March 23, 2015

Fabulat e një zonje nga Hasi



 Shënime rreth librit “Fjala”, të autores Shkurte Mula

Botuar nga gazeta "Tirana Observer", 22 Mars 2015

Nga Man Poga
Mësuese Shkurta, siç e njohin e i thrrasin të gjithë në Has, përpara se të jetë mësuese, në syrin tim, është një zonjë e vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës. Sepse si zonjë ka lëne gjurmë tek unë qysh në fëmini, në kontaktin e pare, si mësuese e muzikës (në 8-vjeçare). Dhe e tillë ka mbetur edhe më pas, më sjelljen, aktivitetin, karakterin, qytetarinë, humorin, që ka përcjellur gjatë gjithë kohës në komunitet. Më vonë, kam ndjekur nga larg punën e saj, dhe kam vëne re pasionin e  pafund  për të mbajtur gjallë sadopak jetën kulturore, artistike, muzikore në një qytet të heshtur si Kruma. Edhe këtë libër, e shoh si mesazh nga ana saj, se jo gjithçka ka vdekur në atë qytet. Së mbrami, kur të gjithë flenë, një dritë është mbajtur ndezur deri vonë,  për të shkruajtur këtë libër me fabula që mësuese zonjë, Shkurte Mula, na sjell si kontribut intelektual. Për ne, nxënësit e pafund të saj, ky botim vjen si dedikim, si shenjë e respektit të pakohë, të pandashëm mes mësueses dhe nxënesve. Që në kopertinë, në hyrje libri kulmon me vargjet: “Një jëtë me ju nxënës punova, / Ju kam mësuar e më keni mësuar/ ndaj këtë libër të vogël mendova/ juve për t’ua dedikuar”.
Duke lexuar librin “Fjala”, shkruar me shumë mjeshtëri nga znj. Mula, mendimi i parë që më erdhi ishte: të ulëm dhe të shkruaj ca shënime, në mënyrë që kjo vepër cilësore, produkt i një përvoje disadekadeshe të mos mbetet krejt në hije, fill pas botimit, por t’ua bëj të njohur sa më shumë lexuesve që të jetë e mundur. Besoj se në fund, do me jepni të drejtë, ndoshta do bashkoheni me përshtypjen time se ky shkrim është minimalist, pasi të lexoni fabulat e autores, intelektuales, artistes, aktivistes, mësueses së njohur hasjane Znj. Shkurte Mula.
Një e nga një, të 208-të fabulat pas çdo leximi të pasurojnë, të mençurojnë edhe më, të mahnisin me dinamikën, larminë e tematikave të rrokura, freskinë, satirën e mprehtë në përmbajtje, origjinalitetin në krijim. Në fund, libri mbyllet në mënyrë të befasishme, gjeniale do të thoja, me krijimin e mrekullueshëm “Nusja dhe shtetrrethimi”, krijuar nga titujt e 100 filmave shqiptarë. Pa i cënuar ato, autorja ka “luajtur” me mjeshtëri me titujt e fimave dhe ju ka dhënë kuptim çdo titulli duke i rradhitur sipas përmbajtjes.
Libri u mbeshtet financiarisht nga Z. Kadri Morina, bisnesmen, mbi të gjitha i njerëzishëm e dijëdashës, i cili si ish nxënës i autorës mundësoi botimin në shenjë mirënjohje për vlerat njerzore, intelektuale dhe qytetare që mësuese Shkurta mbart.

Fabula nga libri:

“Mirësjellje”
N’telefon e mori shefi.
U ngrit në këmbë, e përshëndeti.
Një tjetër u ndodh në zyrë.
E kuptoi veprimin mirë.
-ç’bën kështu? A s’e kupton?
Ai s’të sheh në telefon.
-Që s’më sheh, këtë e di.
Halli është se më sheh ti.

“Punë e shpërblyer”

Një mësues nga Jugu,
10 vjet në veri.
Dërgoi disa here,
letra në n’ministri
Shkuan dhe plot vite,
Mësuesi u lodh
Me hallin e tij
Askush  nuk u mor.
Një ekip kontrolli,
Një ditë aty mb’rriti,
Dhe mësuesi nxënësit
Mire i “pregatiti”.
Çdo pyetje që bënte,
Ata si veriu,
Një përgjigje kthenin,
“Zogu bën ciu ciu.”
Inspektori i nxehur tha:
-Një gjë ta dish ,
Sa tjem unë atje
Ti këtu do rrish.
-Dhe unë,-tha mësuesi,
-Një fjalë pot a them,
Sa tjem unë këtu,
K’ta “ciu ciu” do  bëjnë.

Kandidati

Tre legjislatura,
N’pushtet një patok.
S’ndryshoi gjë prej gjëje
As sot as mot.
Ve­ç kateve tpara
U lëshoi fre,
T’hapim pijetore.
Edhe kafene.
Se populli kohën
S’kish ku ta kalonte,
Ndimen ekonomike
S’kish ku ta shpenzonte.


Kungulli dhe Shalqiri

(Ferit Lamaj)

I flet kungulli një shalqiri:
“Ti I ëmbel, ti i mire,
Pa rri kungull ketë verë;
Mos u piq pra, byrazer!
Mos u piq, më dëgjo mua;
Unë të keqën kurrë sta dua!
Dhe tek ne hyn politika:
Po u skuqe, të prêt thika….”

(Autorja)
I thotë shalqiri kungullit”
-Tungjatjeta byrazer!
Ama, nuk me le te piqem,
Shkova dëm gjithë një verë.
-Bëme punë shumë me mend,
S’qemë për treg, qemë për Kuvend.

Paradoks

Ra në darkë pa një kacile
Kur u zgjua, pronar firme.
-ç’qe gjithë kjo?-pyet gjitoni.
-Paradokse tranzicioni!!!

Drejtori i Mjedisit

Vunë cjapin drejtor mjedisi.
Me passion punën nisi.
Nuk la pemë as gjethe lisi.
E thirrën në Ministri.
-çbëhet kështu more zotëri?
-Vetë me vutë perendi.
Unë punoj ashtu si di.
Mos t’ ju duket aq hata.
Ju e dini se çfare ha.

Kush është Shkurte Mula:

Shkurte Zenel Mula, lindi në Helshan të Hasit në vitin 1955. Arsimin 8-vjeçar e kreu në vendlindje. Më pas në vitin 1974 përfundoi me rezultate të shkëlqyera Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Po atë vit kthehet në vendlindje dhe emërohet si mësuese e edukimit muzikor në shkollën 8-vjeçare “Niman Ferizi”, (sot 9-vjeçare“Sejdi Dida”), në Krumë. Në fëmijëri ka marrë pjesë në shumë aktivitete artistike nga ku është dalluar e vlersuar në shkallë vendi për talentin, sidomos në interpretimin e lartë artistik.

Shkurte Mula, ka dhënë një kontribut të madh në proçesin mësimor, dhe vazhdon të kontribuojë sidomos në evidentimin, mbështetjen e talenteve muzikore, realizimin e koncerteve dhe aktiviteteve artistike në shkallë rrethi e më gjërë.
Në vitin 1987 është dekoruar me medaljen e lartë “Naim Frashëri”.




Saturday, February 7, 2015

PO IKIN...

Ikin
Turra turra
Kokëulur, besimthyer, xhepatharë, shpirtëzbrasur
Ikin,
Shpresëfikurit.
Me një stinë ja bëri vitin shqiptari i kulltuktë
shqiptarit të pakulltuktë
Dimër, dimër, dimër, dimër
U nxinë rrugët
Po ikin
ikin
ikin
ikin
shpresëfikurit, pa hartë.
Pse shpejtojnë, s'ka 15 vjet që erdhën të ikurit?!
-Pyesin barkëngopurit për barkëtharët
Kulltukëulurit për dheulurit.
Ofshamat e nanave mjegullojne xhamat e autobuzit në kufi
Oooff, ooofff,
-Ku po na çoni kshu, Ju, kolone te ri
të korrupsionit, -na bat zi e ma zi
pas 15 vitesh, prap, muhaxherë u bëmë në shpi...
Serbisht po na shanë prap serbjani minister
Sy për sy,
Mbushet edhe një autobuz
zbrazet edhe një klasë
Abetaret grisen në kufi..
Në oborr, ballë portës 
një qen besnik, syshqetësuar
pret zotin e tij...
Po Ikin

Dhe ne, si qyqarë, rrimë
duarkryq!

M.P

Saturday, December 13, 2014

VEPRA MONUMENTALE E STUDIUESIT NEXHAT ÇOÇAJ


“HASI -ENCIKLOPEDI ETNOKULTURORE”

Man Poga


"Nëse edhe ne heshtim dhe nuk e zbardhim thesarin e artë të traditës kulturore, Hasi edhe për shumë kohë do të shkojë zvarrë pa i marrë ‘këmbët’ që i kishte dikur"- Sejdi DIDA, studiues.

Nëse shumëkush ndër ne ka heshtur, Nexhat ÇOÇAJ, jo, ai ka punuar dhe punon çdo ditë të vitit, për të realizuar projektin madhor, zbardhjen e thesarit të artë të Kultures së Hasit, ai punon për projektin e madh, nuk ndalet, nuk lodhet, nuk pushon, veç punon natë e ditë më nxjerrë në dritë historinë, kulturën, traditën e lashtë të trevës së Hasit që kulmon me veprën VII-të vëllimore, (V të botuara), “HASI ENCIKLOPEDI ETNOKULTURORE”.


 Dr. Nexhat  ÇOÇAJ

***

Dalja në dritë e V-së vëllimeve përmbledhëse "Hasi Enciklopedi Etnokulturore" më tepër se një lajm i mrekullueshem për të gjithe hasjanet dhe dashamirësit e Hasit, është një ngjarje e vërtetë shkencore në fushën e studimeve etnografike, një kontribut me vlera në studimet shqiptare. Për vet tematikën e Enciklopedisë, kisha një etje të madhe për ta rrokur e lexuar këte vepër e cila i kushtohej një prej trevave e cila fatkeqësisht deri më sot mund të jetë një ndër vendet më pak të studiuera. Nëse sot, në shumë drejtime dhe për shumë arsye Hasi është lënë i menjanuar, pa të drejtë në periferi. Faj për këtë, kemi vet ne, hasjanët.

Hasi, që dha aq shumë dhe mori aq pak!

Ngjarjet me kulmore të kombit tonë nëpër shekujt, thërrasin në kujtesë, sjellin në qendër të tyre edhe treven e Hasit, sa here që faktet e dokumentat zdritet, sa here që arkeologet gërmojnë, sa herë që i hiqet “korja e historisë”, sepse në qendër të tyre ngjarjeve kanë qenë shumë figura që kanë dalë edhe nga dyert e lashta, fisnike të Hasit.

Ne besojmë ashtu siç beson dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë sot, ashtu siç besonte dhe shkruante P. Lukari me 1603, Frang Bardhi, e shumë studiues se Kastriotet e kanë tedelin nga Hasi.
Bashkohësi i Buzukut, na shfaqet në Has, me vepren e tij “Dita e gjyqit”, prej nga Budi i madh i mori e i përfshihu më vonë në vepren e tij, pa harruar të citojë autorin e ndritur, At. Pal Hasin e ditur. Si ortek drite do të vijnë më pas Bogdanët e ndritur me Tadejin, Andrean e “Gramatikës Shqip-Latinisht”, Pjetrin e “Çetës se Profetëve”, pastaj me te rijtë Lukën, Gjonin e ri etj., të gjithë me arsim të lartë që në shek 16-17, madje, vetem Pjetër Bogdani kishte dy doktoratura…! Çishte ky Has kaq i ndritur, Hasi i 50 kishave do të thoshte i madhi, i shumënjohuri Pjetër Mazrreku, (plaku), ky hasjan, prijës i deres së njohur Mazrreku, që njihet në historigrafi si mbiemri i dytë i Princave Kastriotas, e shumë, shumë të tjerë. Duhët vetëm pak të ndalemi tek vepra madhështore e Pjetër Bogdanit këtu e 350 vite më parë për të kuptuar sa shumë drite kishte ai diell, që arriti të ndrijë kombin në atë kohë aq të erret, pastaj Hasin deri në ditet tona, duke shëndoshur më tej atë që studiuesi Shuteriqi e cilëson si “TRADITA HASJANE E SHKRIMIT SHQIP”, nga 1580-1700... ndoshta më heret.

Sipas meje, ishte kjo dritë që Hasi si unitet të vijë deri sot, të mos humbasë nëpër terrin e pushtimeve, gjymtimeve, ndarjeve: emrin, identitetin, kulturën, doket, trashegiminë familjare, historinë. Pikërisht mu këtë “cope” dritë që ka mundur të mrrijë ndër ne nëpërmjet trashegimisë, autori Nexhat Çoçaj, me një pune serioze disadekadeshe arrin ta mbledhë cep me cep Hasit, fshat më fshat, shpi për shpi, me çdo intervistë të çdo mbartësi të moçëm që kishte diçka për të thënë, përpara se të ikte nga kjo botë. Pastaj ta zbardhë,  dokumentojë, arkivojë, me qëllimin fisnik për ta përcjellur si dëshmi në vitet, dekadat, shekujt që do vijnë, nëpërmejt botimit të VII-së vellimeve voluminoze me titull “Hasi Encikopedi Etnokulturore”, (V-së prej tyre kanë parë dritën e botimit)!

***
VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM MBI V-SË VËLLIMET E ENCIKLOPEDISË
TË BOTUARA DERI MË SOT


Në tërësinë e vet projekti “HASI ENCIKLOPEDI ETNOKULTURORE”, është një ndërmarrje mjaft e guximshme, kur kemi parasyshë se e gjithë kjo punë voluminoze, afatgjatë në kohe  dhe mjaft serioze nga pikpamja shkencore është marrrë përsipër nga një njeri i vetëm.

Për realizimin e këtij punimi mjaft voluminoz, dhe cilësor, janë intervistuar në çdo skaj të hasit shumë subjekte duke nisur nga datëlindja 1911 e këtej, subjekte mbartës prej të cilëve është vjelur një material bruto, e cila është regjistruar, dokumentuar sipas metodave me te reja shkencore për tu zbardhur më pas në studion e autorit; bibliografia e përdorur është mjaft e pasur, kemi referime nga  materiale të shumta arkivore, referuar Arkivit të Kukësit, Prizerenit, Arkivit Qëndror Tiranë, Prishtinë, Intitutit Popullor, Intitutit të Historisë etj; krahas tyre, autori është konsultuar me shumë libra, dorëshkrime, artikuj shkencorë, doktoratura, e të dhëna të tjera që i japin veprës një vlerë me baza shkencore.
Në total, në 5-së vëllimet enciklopedike që kanë dale në dritë deri sot sipas përllogaritjeve që ju kam bërë këtyre titujve me qëllimin për ti analizuar më tej nga pikëpamja e metodës që ka zgjedhur autori, volumin e punës që ka kryer, qasjen e tij etj., kam konstatuar se:

Janë botuar 2650 faqe enciklopedike gjithsej, me ilustrimet përkatëse si: foto, harta, skica;
Janë intervistuar 816 subjekte nga ku u vol një materiali bazë pune (për shkaqe humbje, autori nuk i ka cituar të gjithë emrat e subjekteve, pra janë më shumë se 816 të konstatuara në vëllimet përkatëse);
Dhe janë shfrytëzuar rreth 280 zëra bibliografie të ndryshme.
Sa më sipër, në rast se vepra nuk do kishte në kopertinë emrin e autorit, shume thjeshtë, lexuesi i nderuar mund të hamendësoje se ky botim është projekt i ndonje akademie, apo i ndonjë grupi studiuesish të lëmive të ndryshme të shkences si: gjuhëtare, etnologë, etnografë, gjeografë, historianë etj., që kanë punuar në grup për të nxjerre në drite këte thesar të çmuar të trashegimisë së Hasit.

Por, nuk është asnjera, autori i kesaj vepre madhështore është një njeri i vetëm, ai është Nexhat Çoçaj. Lexuesi, me të drejtë mund të pyesi:- pse shumësia përcakton vlerën e një vepre?; – “ A eshte tregues i cilësise së një vepre numri i faqeve?! Sigurisht se jo!

Së pari, në rastin tone, volumet e veprës “Hasi Enciklopedi Etnokulturore”, na vijnë natyrshëm në keto përmasa, madje autori shpeshherë (me te drejtë-MP) thekson se ka lëne shume gjera pa i  përfshirë në të, se e tille është përmasa e trashegimisë së trevës së Hasit- një thesar i pafund!
Së dyti: perpara se te dalin nga shtypi, vëllimet janë recensuar, redaktuar, shoqeruar me paradhënie hyrese nga emrat më kopetente te fushave përkatëse studimore. Fjala vjen, Prof. Dr. Aferdita Onuzi, Prof, As. Dr. Nebi Bardhoshi, Dr. Besim Muhadri, Dr. Rovena Vata, e shumë të tjerë. Recenca të tilla që na japin garanci se puna e bëre nga autori, është e tamamtë, është e konsultuar në fund, eshte me baza të shëndoshta dhe me vlera shkencore.


Studiuesi, tashmë, Dr. Nexhat ­Çoçaj e ka parë Hasin ashtu siç është, nji, si unitet. Pavarësisht se treva e Hasit është e ndarë sot, mespërmes Pashtrikut, mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovë si pasojë të vendime të fuqive të medha. Në Shqipëri, Hasi ka qendër Krumën, ndërsa në Kosovë Hasi ndahet mes Prizerenit dhe Gjakovës. Në vështrimin e përgjithshëm gjeografik, autori krahinen e Hasit e cilëson si një ishull, të cilin e rrethon Drini i Bardhë, Drini i Bashkuar, Ereniku, Rastusha dhe Skatina.

Zonën etnografike dhe gjeografike të Krahinës së Hasit e ka studiuar në unitet me gjithsej 70 vendbanimet, që gjallojnë në territorin e Kosovës dhe në territorin e Shqipërisë. Për herë të parë studiuesi sjell historikun e çdo vendbanimi të krahinës së Hasit (Vell II), duke filluar me fshatin Bardhaj (Maçi), Bishtazhini, Bregdrini, Brekoci, Brenoga, Brruti,  Cahani, Damjani, Dedaj, Deva, Dobruna, Doli, Domaj, Fajza, Firza, Fshaji, Gajrepi, Gerçina, Godeni, Golaj, Gurishta, Guska, Gjinaj, Gjonaj, Helshani, Kabashi, Karashëngjergji, Kishaj, Kojushi, Kosturri, Krajku, Kruma, Kusari, Kushaveci, Kushini, Letaj, Lipoveci, Liqeni i kuq, Lugishta, Lukinaj, Mazrreku, Metaliaj, Milaj, Moglica, Mulaj, Nikoliqi, Peraj, Perollaj, Petërshani, Planeja, Pogaj, Pusi i thatë, Qarri, Raca, Rogova, Romaja, Shalqini, Sefoll, Smaçi, Tobli, Tregtani, Tupeci, Ujzi, Vlahna, Vogova, Vranishti, Zahrishti, Zgjeçi, Zylfaj, Zymi, Zhubi.

Studiuesi Nexhat Çoçaj, meriton një mirënjohje dhe mbështetje maksimale për punën e bërë në drejtim të evidentimit, mbledhjes dhe botimit të kulturës, traditës, dokeve dhe historisë së trevës së gjëre, zëmadhe e të lashtë të Hasit.
Vepra e Dr. Nexhat Çoçajt padyshim që kapërcen cilësimin e një vepre të thjeshtë krahinore, V-së vëllimet e botuara deri më tani kanë rëndësi dhe janë kontribut mbarëkombëtar, si të tillë, ato do të jetë një reference për të gjithë studiuesit e etnologjisë, etnografisë, gjuhësisë, historisë për studime të mëtejshme.


Wednesday, November 26, 2014

BILBIL MAZRREKU, SKULPTORI ME DY AKADEMI


Interviste me artistin shqiptar Bilbil Mazrreku

Besidoi: Man Poga

TIRANË, në Pallatin e Kongreseve në një hapsirë të bollshme të katit të 3, në kuadër të edicionint të 21-të, Klik Ekspo Group ka krijuar më shumë vëmendje për artin. Që prej dates 22 nëntor vazhdon të jetë e hapur ekspozita e tre artisteve themelues së shoqatës "VIZart". Në pikturë prezantohen artistët e mirënjohur si Znj. Ormira Lulani dhe Z. Helidon Haliti, ndërsa në skulpturë artisti i talentuar, Bilbil Mazrreku (Billy).
Ekspozita pret vizitorë deri më datë 26 nëntor 2014.
***
Me këtë intervistë, ne do të ndalemi tek skulptori B. Mazrreku, i cili vjen për herë të pare me ekspozitë në sklupturë. Nëpërmejt kësaj bisede do mundohemi të mesojmë me shumë rreth rrugëtimin të tij drejt artit; si është sot jeta e tij artistike mes Francës dhe Shqipërisë; sa ka ndikuar përvoja e tij akademike në krijimtarinë e tij; ndryshimet mes dy Akademive të Artit, të asaj  shqiptare dhe jo shqiptare; planet e tij për të ardhmen etj.
***
Unë dhe artisti Bilbil Mazrreku

Para se ta pyes, ta “ngacmoj” me pyetje, u ndala para punëve të tij, para portreteve, i shoh një pas një, meditoj në to, kthehem prap, i rishoh nga fillimi, janë skalitur me mjeshtëri, skulptura e tij plot ngjyrë dhe formë, më krijon emocione. I afrohem autorit të punëve, artistit
B. Mazrreku, e pyes mbi risinë e veprave të tij, nguron pak, është modest, -“le të flasin veprat për mua” –thotë. Sytë i shprehin më shumë se fjalët, e pyes përsëri, shkarazi i “vjedh” ndonjë përshtypje të veçantë mbi punët, me dashuri të madhe për secilën vepër, më përgjigjet: - "Skulpturat e mia mbi të gjitha kanë shpirt, vizitorët ndalën gjatë para tyre, i prekin, i fotografojnë, i ndjejnë", kjo më gëzon, shton ai.

B. Mazrrekun, si artist që është, e karekterizon një pasion i madh për fushën e artin dhe kulturën në përgjithsi. Gjatë gjithë intervistes, duke mësuar më shumë për jetën e tij artistike, më krijon përshtypjen e një përsoni që nuk "ngopet" me dije, kërkon më shumë nga vetja në çdo aspekt cilësinë, deri në përfeksion, punon deri vonë për të qënë i kulluar në çdo detaj të artin të tij. Ai sot e ndan kohën mes Frances dhe Shqipërisë, ka mbaruar dy Akademi Arti, zotëron shkëlqyeshëm 4 gjuhë të huaja (Frengjisht, Anglisht, Italisht, Greqisht), ka mbi supe shumë përvojë, dhe prap është modest. Fillesat e talentit të tij i gjejmë tek disa skica të bëra në kohën e fëminisë në Has. Falë pasionin të tij ëndrra vazhdon tej, mbaron me sukses në "92 Akademinë e Artit në Tiranë, por nuk ngopet. Vazhdon më tej, kërkon të përmbushet edhë më, duket se liria e lëvizjes i jep një garë tjetër, atë të matjes së dijeve të tij , me artistët jashtë vendit. Shqipëria për të është pak. Asgjë nuk e ndalon pasionin e tij për artin, të bukurën, pikturën dhe skulpturën, në “98-tën mbaron shkëlqyeshëm Akademinë e Artit në Athinë për skulpture dhe disiplina të tjera.
Me aktivitetin e tij artistik e gjejmë si drejtues të një prej galerive më të njohura në Athinë, në lagjen "Plaka", pastaj bashkëpunime në Amsterdem, Paris, e gjetkë. Për tu rikthyer në vendin ku u nis në "92 me më shumë ëndrra në xhep, sot, shumica të bëra realitet.

***

Z. Mazrreku, pashë që kraha ekspozitës ishtë logoja "VIZart", çfarë domëthënie ka kjo logo?

Prezantimi im këtu lidhet dhe me promovimin e Shoqatës Kulturore Artistike "VIZart", ku krahaz punëve të mia në skulpturë,  prezantohen dhe dy artistë mjaft të njohur në pikturë si Znj. Ormira Lulani dhe Z. Helidon Haliti. Ne zgjodhëm që pikërisht me këtë ekspozitë të prezantonim dhe Shoqatën Artistike Kulturore të cilën e pagëzuam me emrin “VIZart”.

Z. Mazrreku për Ju është paraqitja e parë në Tiranë me skulpture, si po pritet nga qytetarët e Tiranës ekspozita juaj ?

Po, është prezantimi i parë me punimet e mia, në zhanrin e skulpturës në Tiranë. Në fakt, e kisha menduar prej kohësh këtë ekspozite si suprizë për publikun artëdashës shqiptar. Ku ka më bukur se sa për festat e nëntorit! Pas një rrugëtimi të gjatë nëpërbotë, e konsiderova si me të veçantë ekspozimin e punimeve të mia aty ku u formova, pra ku janë fillimet e mia artistike.
 Përsa i përket vizitorëve, jam shumë i suprizuar nga impakti i madh që ka patur kjo ekspozitë në syrin e qytetarëve të Tiranës.

Krahas Akademisë së Artit në Shqipëri, ju keni mbaruar dhe Akademinë e Artit në Athinë, na flisni pak rreth kësaj përvoje?

Mendoj që rregullat e forta akademike dhe disiplina e madhe e shkollës sonë ka qenë një bazë e fortë formimi, ku ka ndikuar goxha në të ardhmën time artistike. Shkolla klasike që përfitova këtu në gërshëtim me eksperiencat që mora në shkollën liberale europiane, siç është ajo e Akademise së Arteve të Athines, plotësuan edhe më, formimin tim artistik dhe akademik. Gjatë qëndrimit në Athinë, kemi organizuar shumë ekspozita me artistë shqiptare që jetojne dhe punojnë në greqi. Duke u paraqitur me dinjitet me ekspozita të ndryshme që nga “96-ta deri në 2010-tën, vit të cilin unë u vendosa në Francë.

Ju jetoni mes Francës dhe Shqipërisë, ku frymëzoheni me shumë?

Pyetje e bukur! Sigurisht që Franca është potencial i madh frymëzimi për çdo artist, nga ku kam përfituar shumë eksperienca të reja. Por, gjithmonë sa herë që rikthehem në atdhe për mua është një emocion i veçantë artistik dhe shpirtëror.

Çmund të na thoni diçka mbi projektet e së ardhmës?

Në fakt kam disa. Me një nga projektet e mia artistike, synoj që të paraqitem përsëri sëshpejti me një ekspozitë përsonale në Tirane. Sigurisht me një numër më të madh punësh. Ndërkohë, paralelisht do jem i angazhuar dhe në disa projekte ndërkombëtare me koleget e mi në Francë e më gjërë, nëpër Europë. 

Z. Mazrreku, ju urojmë suksese dhe faleminderit për biseden!

Ju faleminderit ju për bisedën!


Friday, October 31, 2014

Ti njohësh serbët edhe në sport







Parantezë

Ka qënë viti 1998, ku jam njohur në bërthamë, drejtpërdrejtë, me shumë shqiptarë nga Kosova. Shumë prej tyre ishin miq në shpinë tonë, disa miq të vjeter të familjes, me lidhje gati një shekullore, disa bashkëkrahinarë, (të Hasit që mbeti përtej kufijve), disa miq të të rij, që i solli në Krumë lufta e re, gjenocidi i Millosheviçit. Siç e do zakoni, pas darke, vlonte muhabeti, e ku tema kryesore ishte padyshim situata në Kosovë. I ulur në cep, dëgjoja më shumë kureshti bisedat, e nëpërmejt tyre njoha më mirë, më shumë, më thellë, xhamen e madhe të shqiptarëve të Kosovës, pashë plagën e gjallë, luftën e tyre për mbijetesë. Disa sosh, te trembur në palcë nga terrori shekullor, vinin në dukje here pas here forcën e madhe të ushtrisë Serbe. “Sa tenke ka serbi, e na dojm me i ra me kallash shqipnie”- drejtoheshin sa here që zoti i shpisë theksonte domosdoshmërine e reagimit me armë kundrejt gjenocidit serb.
Në ato kuvende njoha shumë burra që ju pikonte urtësia në fjalë, drimëria në sy.
Nuk do ti harroj kurrë mesimet e mëdha që kam marrë nga ato biseda. Mes tjerave nuk më hiqet nga mendja fjalët e njërit prej miqve që vinte nga zonat ku ishte ndez lufta prej s’pari, Drenices, kur në debat e sipër për luftën e Kosoves tha: “Ka zona dhe njerez në Kosovë, sidomos në qytet se se kan mendu kurrë, që ne do ja kthejmë pushkën shkaut. Bile, shumë njerëz me paret që vinin prej gjermanie a zvicre, kan maru dugaja, a shpia t’reja. Kurse na n’Drenice, i kemi shpitë e para 100 vjetve, e krejt paret e djemve prej kurbeti i patem ble armë., e kemi ditë, e na thoshin pleqt: biro, herdokurdo do dana me serbin veç me luftë. Ani, kur ta marojmë luften kena me i maru shpiat e reja.”

Përfundimi, paslufta tregoi se ata që kishin menduar si pacefistë, që ishin tërhequr nga konflikti, gabuan, ata kishin harruar, nuk e njihnin mire armikun shekullor, e kishin falur, por ai nuk falte, të gjitha dyqanet e shpiat të reja a të vjetra u dogjen nga serbet, gjithçka u shkretu, mjafton të ishte e shqiptarëve dhe të frymonte shqip. Paslufte, dolën shumë trima, rëndom. Por në syrin tim luftëtarë të vërtetë ishin ata soj shqiptarësh si familja Jashari që menduan për luftën e lirinë atëherë kur të gjithë e shinin të largët çlirimin e kosoves, ju dukej përrallë folklorike shqiptare. Sepse në thelb të suksesit të projektit të tyre ishte mos-harresa, dinjiteti i lartë, ndjenja e lartë kombëtare dhe njohja e mire e armikut, “Shkjau asht si ujku nen lëkuren e delmes”, përsëritnin pafund sa herë i pyesnim për ta.

***
14 Tetor 2014

Pas orës 20-30 emocionet sa me vinin e shtoheshin, ekipi jonë Kombëtar për pak minutash do zbriste në fushë, ishin në transfertë në Beograd, aq më tepër takimi i parë në historinë e futbollit mes nesh dhe serbëve, pas shkërmoqjes së Jugosllavise së dikurshme. Kisha dëshirë të madhe të ndaheshim me fitore në këtë takim historik.

Pavarësisht panoramës së zymtë mediatike, shpresoja tek e fundit, që kjo ndeshje do simbolizonte ndarjen nga epoka konfliktuale të para 15-të viteve dhe fillimin e një epoke të re marrëdhënies mes nesh, çka mund të vinte nëpërmjet asaj ndeshjeje sportive, dashamirese aq sa mund të ishte, fundja, futbolli më shumë ka bashkuar sa ndarë. Madje, më keq që ishim s’kemi ku shkojmë me këte ndeshje futbolli – thoja më vete.
Po çdo shoh, mu errësuan sytë, ishte hera parë që himni i kombit tim ulëritej, fishkëllehej, përbaltosej si askund, me aq barbari, aq me teper nga një komb i cili ka qënë armiku jonë më barbarë në kuptimin e plotë të fjalës, i cili ka thurur plane prej mendjeve akademike për zhdukjen e shqiptareve!
Pastaj, ulërijtja e tmerrshme e 30 -të mijë serbëve: “Ubij, Ubij siptara” – “Vrite, vrite shqiptarin”, gjatë gjithë 40-të minutave të lojës, më bëri të rikthehen në kohë, e të mendoj se armiku shekullor i joni nuk paska ndryshuar aspak. Atë e rinjoha në egërsinë e vet jo nëpërmjet ndonjë lufte të re por për fat nëpërmjet sportit. Thjeshtë në një ndeshjeje futbolli, me fobinë e tyre kundrejt flamurit tim, që as për një ndeshje të vetme nuk e honepsin dot përballë, sy për sy me flamurin e tyre si dy simbole të dy kombëve. Çfarë frikacakësh!

I turpëruam, po po i turpëruam, me lojë, me dinjitet, me flamurë, sepse kishim atje 11 lojtorë-heroj që Beogradi i 30-mijë huliganëve dot si mundi, kurrë më shumë krenarë sjam ndjerë, para dyarve të “Nënë Terezës”, o Zot, mbi krye sa ju shkonte triumfi. Tirana, Prishtina, Tetova, Ulqini, Kumanova, e kudo në diasporë, valëvitej krenar një flamur që kurrë nuk ka m’sy për gjenocid.
E valëvitnin lart përpjetë, si shqiponja që flururon mbi retë, mosha më vitale e kombit tonë, të rinj e të reja, të bukur, të ditur, kryelartë, me vetëdije të lartë kombëtare. Le ta marri vesh bota se autoktonë do të thotë: europianë!
Ra kjo ndeshje e u ripamë me serbet, sllavët. Ra kjo ndeshje dhe rinjohëm egërsinë barbare të tyre edhe në sport.
“Shkjau asht si ujku nën lëkuren e delmes”!

Tirana Observer 19. 10.2014

Tuesday, May 13, 2014

NJË IMAZH I KEQ (I SHTUAR) NA DËMTON TË GJITHËVE



MAN POGA

Pa u ftohur akoma duartrokitjet e zjarrta të diplomatëve në sallën Kombëtare të Teatrit të Operas dhe Baletit për nder të shfaqjes dhe suksesit të trupës së baletit "Balet Preljocaj", të një prej koreografëve më të zëshëm në botë, shqiptarit Angjelin Preljocaj, mediat vizive, por jo vetem na bombarduan me lajmin “trofe”: “avioni me drogë ra në divjakë…”. Ndërkohë imazhi i një avioni privat i zhytur me hundë në rërën e lagësht të divjakës nuk na shqitej nga ekrani. Sigurisht për pak orë lajmi u bë ndërkombëtar, sidomos mediat Italiane u morën gjatë me detajet e ngjarjes, nxitur dhe nga pjesmarrja e një shtetasi Italian, pronar i mjetit fluturues.

Afërmendsht, çdo strategji kombëtare në sendërtimin e një imazhi pozitiv të vendit nëpërmjet diplomacisë kulturore do të shembej si një kështjelle rërë, përpara kategorisë së këtij lajmi i cili me sa duket është shumë i kërkuar jashtë vendit, dhe çuditërisht pompohet dhe brenda vendit me forma të ndryshme. Si lajm i faqeve të para, ndimon po e po në shpërndarjen e një imazhi të keq plus, të shtuar (taze), për ne. Si vend i trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike tashmë jo me gomerë në kufi, as me qerre, as me makina, kamionë, gomone apo tragete, por me avionë, po po me avionë si në Kolumbinë e filmave..! Politika mendjeshkurtër e ditës e pa si një trofe, kauzë, si rast “fatlum” për të goditur poshtë brezit, ekzekutivin e dalë pas 23 qeshorit, sidomos tani kur po afron qeshori i vendimeve në Bruksel! Sepse opozitarizmi tek ne tash e 23 vite, quan fitore të veten çdo dështim të ekzekutivit në etapat integruese që të çojnë drejt Bashkimit Europian, anipse nga kjo politike e dites, jemi dëmtuar të gjithë ne, pa përjashtim bindjeve politike sot e gjithë diten.

Ndaj, tu biesh borive me teper se ­ç’duhet për ngjarje të tilla që krahas elemintit atiligjor që mbartin e që mbetet për të pritur hetimet deri në fund, demtojnë rëndë imazhin e shqipërisë dhe shqiptarëve përveç të tjerave edhe në strukturat vendimarrëse të Bashkimit Europian. Gjykoj se kjo qasje nuk është kontribut në opozitarizem (madje zeron dhe kontributin e dhënë gjatë 8 viteve kur ishte vet në pushtet), as demokraci, përkundrazi është një imazh i keq i shtuar që i bëhet vendit tonë…! E që zbeh mundin e madh të çdo shqiptari, sidomos të diasporës, çdo aktori, soprane, balerini e koreografi shqiptar me famë ndërkombëtare që me punën e tyre titanike e suksesin e madh mundohen të japin në përditshmërinë e tyre një imazh pozitiv për vendin nga vijnë, shqipërinë. 

Ndoshta jemi ndër të paktet kombe që po kalojmë një tranzicion tepër të zgjatuar me kulminacione negative që shpesh herë na kanë kthyer në pikën zero për mos të thënë mbrapa. E ku protagonistë negativ në shkatërrimin e vendit tonë kemi qenë vet ne, sikur të mos mjaftonte kjo, një imazh negativ të pashembull dhame në ’97, ku u desh ndërhyrja e forcave ndërkombëtare për të na  paqtuar mes veti. Te gjitha këto ngjarje bashkë me shumë të tjera na stopuan në proçeset integruese, krijuan një imazh dhe steriotip teper negativ, aq sa edhe Serbia që kishte kryer sa e sa masakra deri ne ‘99, Europa e shihte me të mire se ne, dhe sot (pothuajse i gjithë balkani) është ku e ku para nesh në shumë tregues! Ndaj sot ku pritshmëritë në BE për transformime positive janë të mëdha, dalin çeshtje mjaft serioze që na paraqesin para syve të botës krejtësisht të transformuar, së pari me lajmet e fundit si gjoja shtet alla-kolumbian, që tregtinë e droges e bën deri me avionë; dhe së dyti me lajmet e vazhdueshme tash një vit mbi pjesmarrjen e shtetasve tanë në luften e Sirisë duke krijuar një pamje kinse radikale të besimtarëve të fesë Islame në shqipëri, gjë që krijon një mjegullnajë të panevojshme dhe me kosto të lartë.

Jo më kot populli yne ka nxjerrë urtësine: “më mirë me të dale syni sesa nami...!” Ndaj shtimi i një nami tjeter të keq është tepër për ne, ndaj duhet trajtuar me kujdes, përndryshe do na vërberojë të gjithëve.


Botuar ne gazeten “Tirana Observer”, 13. Maj 2014