MAN POGA

Fjala e arsyes, ndjenja e zemrës!

Hyrje

Thursday, April 19, 2012

Trishtimi dhe Arsyeja

Pushtues, verbues është trishtimi
kur turret marrëzisht drejt shpirtit.
të mbyll në keshtjellë prej boje dhe letre
dhe pret reagimin ...

Vetullat si heshta shpejt kthehen
drejtuar pa shkak drejt njerezisë
që përballë në kodrën e gajasjes presin
pa durim një përfundim...

Sytë, këta këshilltarë të vetëm
në oborrin mbushur plot të pabesë
Lajmërojnë lart në kullë, arsyen
trishtimit ti kundërpërgjigjet me shpresë

Në koder dyqindëmijë njerzi si nënqeshje
hunj rrine stepur pa fjale
ndersa ne kështjellën prej boje e letre
arsyeja me arsye shuan trishtimin
në ditar...

Tulipani im




Dita ime ështe e thjeshtë

ashtu si shpirti

nuk duron sende të tepërta...

veçse nje lule si lule.


Rrëmujë me libra,

ëndrra, projekte, ulje-ngritje

dita ime sende të tepërta s'mban

Veç një lule tulipan


Që si flladi i sekondit të pandalur

i njom ditët e mija me qeshje...

në cep të shpirtit tim e vetmja lule...

Wednesday, November 9, 2011

Si u krijua “Prefektura e Kosovës” në Krumë të Hasit më 1921


(90 vjetori i harruar)

Doktorant. Man POGA

Në vitet ‘20 të shekullit të kaluar shteti shqiptar rënkonte së tepërmi, edhe pse pas 8 vitesh mëvetësie, Shqipëria nuk qeveriste dot territorin e vet, grindjet mes “krerëve” brenda vendit ishin të mëdha dhe situata ekonomike shumë e vështirë.

Mirëpo, përpjekjeve të herëpashershme të elementit anti-shqiptar për shthurjen e shtetit ju dha fund Kongresi i Lushnjes (21.01.1920).

Kongresi i Lushnjes ka meritën historike të zgjidhjes përfundimtare të dy detyrave themelore kombëtare: 1. të krijimit të shtetit të qëndrueshëm, me institucione demokratike; 2. ruajtjes së sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Ku vendin kryesor në zhvillimet e Kongresit e zuri pikëpamja e rimëkëmbjes dhe e organizimit të shtetit të pavarur shqiptar mbi baza kushtetuese.

Krijimi i prefekturave në veri-lindje të Shqipërisë

Një ndër detyrat kryesore të shtetit shqiptar ishte organizimi dhe funksionimi i njësive administrative, prefekturave e nën/prefekturave.

Në veri-lindje të Shqipërisë, fillimisht u organizua Dibra si njësi administrative në nivel prefekture, e cila u emërtua “Prefektura e Drinit”, me qendër në Peshkopi. Në përbërjen e saj do të hynin Dibra, Mati, nën/prefektura e Hasit, Lumës dhe Homeshit, (Malësia e Gjakovës shkonte me Shkodrën). Ky organizim administrativ duket se ishte i ngutshëm dhe nuk plotësonte kërkesat e të gjithë popullsisë veri-lindore (Hasit e Malësisë së Gjakovës) të cilat ishin larg qendrës së re dhe akoma të pushtuar nga serbët.

Në këto kushte paria e Hasit, dërgoi disa letra këshillit të lartë të shtetit, në kundërshtim me vendimin e marrë, për ta lëne këtë krahinë nën administrimin e Prefekturës së Drinit. Reagimi kryesor dhe vendimtar u bë nëpërmjet kërkesës dërguar në prag të zgjedhjeve për Asamblenë Kombëtare e cila do të mbahej në 5 Prill, 1921.

Letra e parisë së Hasit dërguar Këshillit të Lartë të Shtetit Shqiptar, datë 2.III.1921: ne nuk votojmë për deputet për Prefekturën e Drinit.

Gati një muaj përpara zgjedhjeve, më 2 Mars të 1921, paria e Hasit i drejton një peticion Këshillit të Lartë të shtetit Shqiptar lidhur me pakënaqësinë për ndarjen administrative. Ndarje e cila Krumën me rrethina e kishte përcaktuar si pjesë e prefekturës së sapoformuar të Drinit, që ishte me qendër në Peshkopi.

Kërkesa fillon me notë proteste të dukshme, të bën përshtypje mënyra e parashtrimit të fakteve, ku spikasin elementët argumentues (gjeografik dhe ekonomik), në favor të një njësie të re për Hasin, konkretisht:

“…Po marrim vesh se Hasin, qe perbahet prej (2000) dymije shpive e (2500) e nizete e pese mie shpirt, Qeveria Kombetare e paska lane me Prefekturen e Drinit, me te cilin vend Hasi as ekonomikisht as gjeografikisht s’ka kurrfare marrëdhanie e pergjithehere ka asht kane nen-prefekture e Gjakoves e skemi kurrfare udhe tregtiet me Prefekturen e Drinit, e jemi këtej Drinit”, (AQSH. F. 418. V. 1921. D. 14, fl 1).

Kërkesa kulmon me kushtëzimin deri me bojkot të zgjedhjeve në rast se nuk realizohej ndarja nga prefektura e largët e Drinit. Ndërkohë zgjedhjet për Asamblenë do mbaheshin shumë afër (me 5 prill 1921), citoj:… “Per ndryshe s’kena me i dhane zarat (votat) per deputet per Prefekturen e Drinit, e keshtu ka me i hup 2-3 deputet Shqypnia” (AQSH. F. 418. D. 14, fl 1).

Kërkesa u firmos nga Hysen Selmani i Çarrit, Bajraktar Mehmet Alia, Bajraktar Rexhep Syla, Brahim Dida, Tahir Hoxha, Avdi Saiti, Ali Haxhija, Zejnel Peçaku, etj., me 20 qendrat kryesore si, Krumë, Vlahna, Golaj, Nikoliç, Tregtan, Çarr, Demjan, Rugovë, Gjonaj, Kushlli, Romaj, Gercine, Planej, Grazhup, Kishaj, Helshan, Kosturr, Letaj, Shiqjegj (Zgjeç), Perollaj.

Kruma u shpall qendër prefekture fill pas kërkesës së parisë së Hasit si dhe me mbështetjen e fuqishme të Bajram Currit, i cili ishte anëtar i senatit që në mars të vitit 1920, për Has e Krasniqe, (Shih: Ligjvënësit Shqiptarë 1920-2005,Tiranë 2005, fq.8). Prefektura e re mori emërtimin “Prefektura e Kosovës”, dhe përfshinte Hasin, Lumën e Malësinë e Gjakovës (Tropoja). Megjithatë, vërehet se, shumë shkresa zyrtare emërtimin e prefekturës e shënojnë edhe me emrin “Prefektura e Krumës”, (Shih: Telegram- Min. e Luftës, AQSH. F. 252. D. 1/1, Fl. 549). Në funksion të aktivitetit të Prefekturës, Këshilli i Ministrave me vendim nr. 975 datë 30.12.1921, vendosi që të formohej një komision administrativ nën kryesinë e prefektit, me të drejtën e gjykimit provizorisht të çështjeve civile dhe penale, komisioni i formuar do të kishte 8 anëtarë dhe anëtarët do të paguheshin nga 100 franga ari, (ASHQ. F. 152. D. 754, fl. 195).

Zhvillimet e Kohës:

Rrethanat historike që mundësuan krijimin e “Prefekturës së Kosovës” në Krumë:

Në historiografinë shqiptare kur bie fjala për vitet 1920-‘25, Kruma përmendet vetëm si pikënisje e “Revolucionit Demokratik” të Qershorit 1924, me në krye Bajram Currin dhe ngelet me kaq. Për zhvillimet historike, arsimore, kulturore e patriotike të qendrës pak ose aspak është shkruar. Mendoj se asgjë nuk ka mbirë në një tokë të thatë, përkundrazi, aty prej shekujsh kultivohej arsimi dhe atdhedashuria, duke filluar që nga shekulli i XVI-XVII me shkollat dhe viganët e arsimit si me Pal Hasin (klerik, shkrimtar), Pjetër Mazrrekun, (Kryepeshkop), Gregor Mazrreku, Andre Bogdanin (Kryepeshkop), Pjetër Bogdanin (Shkroi veprën e plotë shqip “Çeta e Profetëve”), Lukë e Gjon Bogdani, e deri tek “Abetarja e Zymit” (1900), shkolla në Golaj (1906), duke ardhur në fund me shkollën e njohur të Krumës (1921, me vone Internat).

Janë tri elementë kryesore që në ndërveprim me njëri tjetrin mundësuan krijimin dhe funksionimin e Prefekturës së Kosovës:

1. Pozita gjeografike; 2. zhvillimi politik i kohës;

3. krijimi si qendër arsimore/kulturore.


I. Si pozitë gjeografike

Kruma si qendër prefekture ndodhej në mes të “Prefekturës së Kosovës”, duke krijuar një baraspeshë edhe në kuptimin gjeografik dhe politik mes krahinës së Malësisë së Gjakovës ne veri dhe krahinës së Lumës në jug.

Përveç kësaj në të gjithë historinë e vet organizohej në një territor shumë të gjerë, duke u kufizuar me dy qendrat e rëndësishme si Gjakova dhe Prizreni. Kësisoj, duke qenë udhëkryq mes këtyre qyteteve, nëpër Has kalonte rruga Shkodër- Vaspas- Has- Gjakovë, Shkodër-Has-Kukës-Prizren. Kështu që më shumë se asnjë vend tjetër Hasi lidhjet kryesore ekonomike-tregtare, shoqërore e kulturore i kishte me së shumti me Gjakovën në verilindje dhe diçka me pak me Prizrenin në jug. Themelimi i Prefekturës shihej me simpati dhe mbështetej nga banorët e Gjakovës, Pejës, Rahovecit, Hasit të përtejmë etj., të cilët shpresonin qe me forcimin e Krumës ato do të ishin më të sigurtë, (Për ti shpëtuar mizorisë serbe, një pjesë e familjeve të pasura u shpërngulën në Krumë, mbi 1000 banorë). Si pasojë e shtimit të popullsisë dhe zhvillimit u ndërtuan mbi 30 dyqane, vepra publike si shkolla e re dhe ndërtesa qeveritare,(Shih: AQSH. V. 1924. D. 12, fl. 6).

II. Si qendër politike

Kruma ishte mbështetje e madhe e lëvizjes kombëtare në verilindje aq sa cilësohet si qendra e irredentistëve Kosovarë (shih Robert C. Austin, Tiranë, 2003, fq. 270), popullsia vendase për vite me rradhë ka mbajtur dhe strehuar vëllezërit kosovarë që iknin nga terrori serbo-malazez, dhe kanë ndarë bukën e gojës. Kështu ka vazhduar deri sa janë instaluar nëpër pasuri shtetërore dhe ju kanë shpëtuar jetën, (shih Tafil Boletini, Tiranë, 2003, fq. 182).

Është për tu theksuar se në zgjedhjet për asamblenë kushtetuese të vitit 1923 në këtë prefekture fituan figurat opozitare si Hoxhë Kadriu, Dr. Fariu, Niman Ferizi dhe Avni Rustemi që përbënin krahun demokrat, duke dëshmuar kështu unitetin kombëtar aq të domosdoshëm për kohën. Vetë populli i prefekturës me një kërkesë ju drejtua Avni Rustemit: të duam deputet të Prefekturës së Kosovës. Më pas me 21.01.1924, Kruma filloi veprimet si bashki duke krijuar një zhvillim të përparuar për kohën, (Shih: AQSH. F. 152. V 1924. D. 400, fl. 1).

Veprimtari të dendur zhvilluan Hasan Prishtina, Bajram Curri, Hysni Curri dhe çetat kosovare të Azem Galicës, Sadik Ramës, etj, të cilat luftonin për ruajtjen e tërësisë tokësore dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Bashkë me Bujanin, Kruma u bë mbështetja kryesore e “Zonës së lirë të Junikut” në Kosovë. Gjithashtu aktivitet të rëndësishëm zhvilluan Riza Cerova, Ali Kelmendi, Zylyftar Veleshnja, Ibrahim Gjakova, Tahir Zajmi etj.

III. Si qendër arsimore dhe kulturore

Në fillim të viteve ‘20 të shekullit të kaluar në Krumë ka funksionuar shkolla shumë degëshe, e njësuar me të mesmen e sotme, e cila ka pasur edhe një konvikt të emërtuar “Kosova”. Si kryemësues i shkollës ishte intelektuali e patrioti Niman Ferizi, kontributi i të cilit është shumë i çmuar në çeljen e shkollave në Krumë e Malësi. Në Internatin e Krumës përveç Hasit, Lumës e Malësisë mësuan shumë djem që vinin nga vise të ndryshme, si Gjakova, Peja, Mitrovica, Prizreni, Dibra etj., disa prej nxënësve do të bëheshin më vonë personalitete të spikatur, si Mahmut Bakalli, Emin Duraku, Fadil Hoxha, heroi i popullit Xheladin Beqiri e shumë të tjerë. Kjo shkollë u bë qendër e rëndësishme e arsimimit dhe edukimit patriotik kombëtar, si frymëmarrje e vetme atdhetare e arsimore për rininë kosovare.

Grupi artistik i Krumes, 1923

Zhvillimi kulturor mori gjithashtu dimensione të tjera, me 1923 u krijua shoqëria kulturore “Shkëlzeni”, e përbërë nga patriotë dhe intelektualë që punonin në prefekturë. Kjo shoqëri themeloi në Krumë bandën frymore të Krumës, rrethin letrar dhe teatrin amator. Nëpërmjet shoqërisë u arrit qëllimi për edukimin e brezave dhe përmirësimin e jetës ekonomike e politike të prefekturës.

Sot e 90 vite më parë u themelua “Prefektura e Kosovës” me mbështetjen e madhe të patriotëve, arsimtarëve dhe intelektualeve që deshën përparimin rajonal e kombëtar të vendit. Ata shkrinë pasurinë e tyre për interesin e kombit, ndërsa “politikanët” e sotëm të qarkut e kanë harruar këtë datë, sepse këta po shkrijnë pasurinë e kombit për interesa personale.

Thursday, June 2, 2011

"Qyteti pa qytet në një menu mëngjesi"


Agimi vjen herët në "qytet", bashkë me lëvizjet e pandalshme të njerëzve, rreth orëve të para të mëngjesit. Qumshti hyri shpejt bashkë me biçikletat kineze që duken si zisa të vjetër kur parkohen karshi benzave të freskët diaspore.
Në Qytetin pa qytet nuk ndodh ndonje hata. Sot për shembull, është një nga ato ditë e zakonshme kur të gjithë i nënshtrohen pavetëdije diellit. Dita është e bukur, bukur e gjatë, por menuja është e varfër dhe sofra është e vjetër. Në orët e ditevë të "qytetit" çdo mëngjes, "qytetari", merr menunë me vete. Aty shkruhet: 1. ora 8:00, shëtitje buzë rruge me duar në xhepa; 2. ora 8:30, një kafe në lokal, (po të thriti njeri do ishte shumë mirë), përbri, ka nje shënim me të kuqe: "a) mos u ul në kafe me të tjerët, ka rrezik të paguash. b) Ti gjithmonë po pret një njeri"; 3. ora 10:45, argëtim me veten dhe një rrugëtim të këndshëm nëpër mendje; 4. ora 12:30 kthehu shpejt në shtëpi, poshtë ka një shënim tjetër: ke harruar menunë e drekës...!
Në "qytet" nuk ndodh ndonjë hata, çdo ditë është si çdo ditë। Atje, bjeshka mendohet, njeriu hutohet, fjala hesht, dhe dielli qesh me menunë e qytetit pa qytet.



Man Poga

Wednesday, November 17, 2010

Kur ika























Ika,

jo se me ikej

por duhet ta beja.

Atëbotë,

ajri ishte ndotur me marri,

me pamundësi.


Mbi Bajrak,

me sy kur përshëndeta shtepinë,

s'isha vetëm!

Veç frymarrjes,

një mal kujtimesh mora

stampuar fort në ADN, në kry.


Ika,

jo se më ikej,

por më ecej.

Në këtë botë vrapuese, s'jam vetëm.

Me adn-në time eci,

vrapojmë të dy...

Puthja!


Pesë kile isha ba,

kur,

Tulin e buzëve tua e preka pa u n'di

si grumbulli i reve kur e zen diellin,

vjedhtazi.


Gjujt,

si një frikacak m'tradhtun

s'mbajshin ma as mu, as një fije kashte

pa dit,

në ashtin e dashnis u mbajta,

t'paluem me n'droje kur m'kqyrën

dy sy bojkafe


Pesë kile isha ba,

at'botë,

unë, kroi pa një pikë ujë do isha

pa atë puthje...!

Wednesday, June 23, 2010

Kosova, kjo arnë e fundit e ish-Jugosllavisë



Në fillim të viteve ’90 në Europen Juglindore ndodhën ndryshime thelbësore në përbërjen e hartës gjeopolitike. Impaktin më të madh në tronditjen e ekuilibrave gjeo-politikë të kohës e dhanë shperbërja e Bashkimit Sovjetik dhe Federatës Jugosllave, kjo duke passjelle krijimin e shtetëve të reja, që bashkë me shkëputjen nga federata ndryshuan edhe regjimin politik, duke u larguar nga e kaluara komuniste. Ky ndryshim nuk ndodhi qetësisht, por u shoqërua me luftime te ashpra mes Kombëve e Nacionalitetëve të cilat donin të shkëputeshin dhe shtetit federative i cili i përshkruante si ilegjitime këto përpjekje për shkëputje.

Në këtë panoramë ngjarjesh, Shqiptarët e Kosovës nuk qëndruan këmbëkryq, por ishin vigjilente dhe koherentë në kërkesat e tyre për të marre në dorë vetë fatin e tyre. Duhet theksuar se, kërkesat e tyre për më shumë te drejta e liri kishin një zgjim më të hershëm. Në pranverën e vitit 1981, shqiptarët e Kosovës u bënë sfiden e parë të madhe trashigimtarëve të Titos. Disa mijëra prej tyre dolën në rrugë duke kerkuar “Kosova Republikë “, domethënë, shkëputje nga Serbia.

Dalja në skenën politike të Sllobodan Millosheviçit minoi përpjekjet paqësore të Shqiptarëve te Kosoves për zgjidhjen e situates. Millosheviçi ndërmori një politike radikale për mbajtjen e Federatës Jugosllave, duke përdorur si karte kryesore karten nacionaliste, e ndimuar kjo edhe nga Akademia e Shkencave ku, në vitin 1985 një “Memorandum” i hartuar nga ky institucion i Serbise, bente thirrje për shfuqizimin e të drejtave të akorduara Kosoves nga Kushtetuta e 1974, dhe krijimin e Serbise së Madhe.

Ndërkohë klerikët Serbë nisin bekimin e ushtareve në kishat e tyre, për t’iu legjitimuar në anën shpirtërore vandalizmat e masakrat e rradhes.

Kjo pikpamje e shtetarit të ri të Jugosllavisë do të arrinte kulmin në prill të vitit 1987. Në këtë kohë Millosheviçi mbajti një fjalim përpara turmës së terbuar serbe nga dritarja e Qëndres Kulturore të Fush-Kosovës, kjo deklaratë më vone do te merrte nam dhe do të shënonte fillimin e fundit të Jugusllavisë.

Shqiptarët e Kosovës në këto kushte të vështira, vepruan të kordinuar së bashku, Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Prishtinë, shoqata e iniciativës demokratike e shumë nisma të tjera intelektualësh vepruan. Ata paraqitën përpara opinionit publik jugosllav e botëror, deklarata të qarta ku kërkonin:

1. Të hiqet gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë;

2. Të ndërpriten masat politike dhe të lirohen të gjithë të burgosurit politikë;

3. Të respektohen e drejta e bashkimit të lirë politik, kulturor, profesional e Shqiptarëve;

4. Të nderpritet fushata e ashpër e diskualifikimit të të grupeve dhe dhe lëvizjevenalternative;

5. Në marrveshje me të gjitha forcat pollitike të caktohen zgjedhje të lira për kuvendet e të gjitha niveleve dhe të krijohen kushtet për mbajtjen e tyre;

6. Të ndërpritet kontrolli i tanishëm i rrepte i mjeteve të informimit publik nga ana e Lidhjes Komuniste si parakusht për fillimin e dialogut politik.

Këto kërkesa u parashtruan opinionit publik nga intelektualët e Kosovës, të cilët paralajmëruan protesta të vazhdueshme, ata u bëne fillimisht pararoja e demonstratave e tubimeve, që nga dita në ditë bëheshin edhe me intensive, të mbeshtetura fort nga rinia e Kosovës.

Pushteti i drejtuar nga Milloshoviçi përkunder protestave paqësore, prodhoi vetem diskriminim, shtypje politike e ekonomike ju hoqi jo-serbeve pikat kyçe në Federate.

Si rezultat i ketyre veprimeve, lufta nisi me pasoja të gjithanshme në të gjithë Federatën. Sllovenia dhe Kroacia deklaruan pavarsinë në qershor 1991, dhe u njohen në 1992, kurse Bosnje-Hercegovina u njoh më vonë në të njejtin vit, Maqedonia në fund të vitit 1993, gjithashtu Mali i Zi u shkëput pa hezitim.

Themelet e Federatës u thërmuan, Kosova e fundit në këtë proçes, ngjante si arna e fundit që duhej të shqyhej tashmë nga ajo rrobe e vjetër e cila ishte stilisur me zor nën petkun e Federatës Jugosllave.

Taktika e spastrimit etnik nga Millosheviçi e përdorur më përpara ndaj Bosnjes-Hercegovinës, e tani edhe ndaj popullsisë së Kosovës krijoi nje kolaps të gjithanshëm në mbare rajonin e Ballkanit.

Jugosllavia ka humbur çdo sundim legjitim mbi Kosovën, sepse siç thekson Max Weber në analizën mbi raportet në një shtet mes sunduesit dhe të sunduarve, “sundimi mbështetët përbrenda në arsye ligjore, pra në arsyet e “legjitimitetit” të tij dhe tronditja e besimit në këtë legjimitet ka zakonisht pasoja të gjithanshme”

Kështu, për të krijuar Jugosllavinë u desh gati një shekull. Që me daljen ne dritë të idesë së lëvizjes për bashkimin e sllaveve të jugut në fillim të shekullit XIX, e deri në mbarim të Luftës së Parë Botërore. Për ta shkatërruar atë u deshën pak vite ose të paktën kështu u duk.

Ky shkrim eshte botuat me 26.06.2010 ne gazeten "Tirana Opserver"

Wednesday, June 16, 2010

Ora ime...

Ne bisht te syrit
e shoh kohen qe me iken
se, nuk kam force, guxim
ta shikoj n'sy

ajo, më s'fidon,
shume më ndjell friken
njemije herë më shume
kur jam pa ty...

© Man POGA




Friday, June 11, 2010

Rojtar i mallit

S'pëpëtin askurrgjë në livadhe
edhe kroi derdhet me kujdesje
kali i bardhë, kalëroi në vegime
ruajtur, sh'kujdesur në mendje

Një hije e trembi at heshtje
që mbarsur ishte me kujdes
kur trupi i vetëm më veten
bëlbëzueshëm livadhit i flet

Vetmueshëm si ligjerues i hallit
për fisin,vendin, e ikjen kallxon
anipse triumfal flet rojtari i mallit
hije, n' livadh i vetëm bëlbëzon...


Trio

Mbrame, une ndjeva fort lumtuni
kur te shija tu qesh si f'mi..
e mbrapa.. zemra jeme bante b'rof,
me kan me ty e me k'nu si zog..

Sot, dy duer n'xhepa e mendjen n'ty..
ec e ec.. rrugicave e tu shkel pa fund gjethe
menojsha se qysh kam me të puth ne n'sy
kur kujtojsha urat, shpite, varkat n'venecie..
...
e neser..
e neser e di, do pres, do pres..
me u k'qyr, sy për sy...

M.POGA